Paralajmëron eksperti i sigurisë për Asociacionin: Do të ketë tensione të reja

Politika

Paralajmëron eksperti i sigurisë për Asociacionin: Do të ketë tensione të reja

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 28 mars 2018 Në ora: 17:04
Policia e Kosovës

Eksperti i sigurisë Drizan Shala, ka paralajmëruar tensione në vend, pas formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Shala ka theksuar se ASK do të duhej formuar para 3 viteve, në bazë të obligimeve ndërkombëtare të Kosovës.

Mirëpo, ai ka thënë se ASK nuk mund të jetësohet pa u bërë ndryshime në disa pika nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.

Image
Drizan Shala

"Kosova ka përmbyllur obligimet e saj ndërkombëtare ndaj marrëveshjeve dhe kështu edhe ASK-ja është një proces, i cili do duhej të ishte përfunduar para 3 vite dhe kështu të ecte Kosova një hap para normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Për ASK-në kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila e ka cilësuar se disa pika duhen të ndryshohen dhe të përshtaten me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe me pastaj të jetësohet”, është shprehur ai.

Ndërkohë, Shala ka pohuar se Serbia ka nisur një fushatë sulmesh ndaj institucioneve të Kosovës, derisa ka paralajmëruar tensione të reja mes të dyja vendeve.

“Lidhur me krijimin e tensioneve, kjo po shihet që nga vrasja e politikanit serb Oliver Ivanoviq dhe pastaj sulmin ndaj pjesëtarëve të FSK-së dhe së fundi edhe arrestimi i Marko Gjuriqit nga ana e Policisë së Kosovës. Dhe Beogradi zyrtar nuk do e lë vetëm me këtë, sepse ka filluar një fushatë sulmesh asimetrike kundrejt institucioneve dhe rendit të Kosovës. Dhe pritet edhe në të ardhmen të kemi tensione të tilla”, ka thënë për “Bota sot” Drizan Shala.

Ndryshe, përfaqësuesit e katër komunave veriore me shumicë serbe në Kosovë, në një takim të mbajtur gjatë ditës së sotme, u kanë dhënë ultimatum institucioneve të Kosovës, që deri më 20 prill të formojnë ASK-në. Në të kundërtën, ato do të bëjnë vet një gjë të tillë.

Por, Qeveria e Kosovës, përmes një reagimi për media, ka thënë se asnjë nismë, e cila nuk është e bazuar në ligjet dhe procedurat demokratike të Republikës së Kosovës, nuk do të implementohet dhe nuk do të respektohet.

“Asociacioni është obligim që Kosova e ka marrë në procesin e Brukselit dhe i cili do të implementohet në të ardhmen e afërt. Asnjë nismë, e cila nuk është e bazuar në ligjet dhe procedurat demokratike të Republikës së Kosovës nuk do të implementohet dhe nuk do të respektohet”, thuhet në përgjigjen e zyrtarëve për informim të kryeministrit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat