Masakrat trokasin në ndërgjegjen e Thaçit, ku mbeti padia për gjenocid?

Politika

Masakrat trokasin në ndërgjegjen e Thaçit, ku mbeti padia për gjenocid?

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 28 mars 2018 Në ora: 22:34
Hashim Thaçi

19 vite pas, qytetarët e Kosovës, ende vazhdojnë të përballen me dhimbjen e plagëve të luftës. Dhimbja bëhet edhe më e madhe, kur ata nuk shohin asnjë veprim nga institucionet e vendit për ta paditur Serbinë  për krimet dhe gjenocidin e ushtruar në Kosovë.  

Marsi i dhimbjes trokiti edhe sivjet në zemrat e familjarëve, të cilët kanë humbur më të dashurit e tyre gjatë luftës. Në mars përkujtohen masakrat më të mëdha që janë kryer nëpër vende të ndryshme të Kosovës përgjatë viteve 1998-1999.

Fjalë të mëdha thuhen nga politikanët në tubimet përkujtimore të këtyre masakrave. Sikur duan tu qesin hi syve “kinse” po bashkë-ndjejnë me dhimbjen e tyre dhe japin premtime të mëdha, se Serbia do të marr dënimin e merituar. Realiteti është krejt ndryshe nga ajo që e thonë Presidenti, Kryeministri, Kryetari i Kuvendit dhe përfaqësuesit e tjerë të popullit.

Ata, përveç fjalëve të mëdha nuk kanë bërë asgjë deri më sot për të kërkuar llogari nga Serbia për zbardhjen e krimeve të luftës përkatësisht ushtrimin e padisë kundër Serbisë. Për më tepër, me negociatat e tyre në Bruksel, këto ngjarje sikur ja kanë lënë harresës dhe më shumë janë marr me çështje teknike, ku në të shumtën e herëve kanë lëshuar pe.

Ironikisht, përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, kanë ndërruar vendin e agresorit dhe të viktimës, duke i dhënë krah Gjykatës Speciale, e cila pritet të hetojë krimet e supozuara të luftës nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

E me krimet ndaj qytetarëve të pafajshëm kush do të merret? Për vrasjet e grave, fëmijëve e pleqve kush do të jap llogari. 18 vite pas mbarimit të luftës, edhe rreth 2000 qytetarë të Kosovës rezultojnë si të zhdukur. Serbia heziton t`i hapë dosjet për të zbardhur fatin e tyre e familjarët luten të ndodhë diçka në këtë drejtim. Përveç lutjes nuk u ka mbetur shpresë tjetër.

Edhe gjendja e viktimave civile të luftës ku bëjnë pjesë edhe të dhunuarit seksualisht vazhdon të jetë tejet e rëndë.  Edhe ata kërkojnë drejtësi për vdekjen për së gjalli që ua shkaktoi Serbia.

Atë pak shpresë që e kishin, ua kanë humbur institucionet duke bërë dialog pa kushtëzime me Serbinë dhe duke lëshuar pe në çdo marrëveshje të arritur deri më sot.

Hyrja në dialog me Serbinë pa kushtëzime ka dëmtuar në masë të madhe Kosovën. Edhe temat që janë planifikuar të diskutohen në fazën e re të dialogut nuk japin shenja të kërkim faljes nga ana e Serbisë, por as përfaqësuesit e Kosovës në dialog nuk është se e kanë kërkuar një gjë të tillë.

Çështje si Asociacioni i Komunave me Shumicë serbe, janë prioritet në këtë fazë të dialogut derisa Serbia po kërcënon me formim të njëanshëm të këtij institucioni.   

Në cilësinë e disa posteve shtetërore, Hashim Thaçi, kishte deklaruar se Kosova ka fakte të mjaftueshme për ta paditur Serbinë për krime të luftës. Por, nga ato deklarata nuk ka pasur asgjë konkrete. Në vend të kësaj, Thaçi ka formuar Komisionin për Pajtimin dhe të Vërtetën. E si mund të ketë pajtim me agresorin nëse nuk ka kërkuar falje, vetëm mendja e Presidentit dhe këshilltarëve të tij e di.

“Prej kaq vitesh kemi dokumentuar krimet dhe viktimat në Kosovë dhe shumë shpejt do të kërkojmë drejtësi në gjykatat ndërkombëtare, për tentativat e gjenocidit në Kosovë”, kishte deklaruar ndër të tjera Thaçi vite më parë.

Kjo “shumë shpejt” duket se do t`i zgjasë më shumë se sa që duhet Presidentit Thaçi, derisa familjet e dëshmorëve dhe martirëve nuk kanë zgjidhje përpos që të presin. Nëse jo vendorët, mbase ndërkombëtarët do të bëjnë diçka dhe drejtësia do të shkojë në vend. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat