Shteti policor i Hashim Thaçit

Politika

Shteti policor i Hashim Thaçit

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 30 mars 2018 Në ora: 17:51
Hashim Thaçi, foto ilustrim: Bota sot

Në mëngjesin e së enjtes janë arrestuar 6 persona të nacionalitetit turk, punëtorë të kolegjit “Mehmet Akif”. Përpos drejtorit, zëvendës drejtorit në këtë aksion policor janë arrestuar edhe dy profesorë Cihen Ozkan dhe Hasan H. Gunakan si dhe Drejtori i Kolegjit në Gjilan, Kahraman Demirez.

Të arrestuarit janë identifikuar nga Turqia si mbështetës të Fetullah Gulenit dhe kundërshtues të politikës së Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Sipas familjareve të të arrestuarve, familjarët e tyre janë arrestuar në mënyre mizore dhe gjatë rrugës sa ishin duke shkuar në punë.

Cihan Özkan, Kahraman Demirez, Hasan Hüseyin Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina dhe pjestarë të organizatës  FETO thuhet se do t’u dorëzohen autoriteteve gjyqësore.

Mirëpo, enigmë ishte vendi ku po mbaheshin gjashtë personat e nacionalitetit turk, në media vazhdimisht qarkullonin lajmet se të arrestuarit e “Mehmet Akif” po mbahen në Qendrën e Policisë Kufitare. Derisa nuk dihej nëse do te depërtoheshin për në Turqi

Haradinaj Shkarkon Sefajn dhe Gashin

Menjëherë pas këtij arrestimi, kuvendi i Kosovës mbajti një seance parlamentare të premten ku gjithashtu kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj përmes një shkrese zyrtare dërguar Ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefajt, ka kërkuar dorëheqjen e tij.

“Në bazë të kompetencave kushtetuese, si Kryeministër i Republikës së Kosovës kam kërkuar Lirimin e menjëhershëm nga përgjegjësia e Drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, z. Driton Gashi dhe Lirimin e menjëhershëm nga përgjegjësia e Ministrit të Punëve të Brendshme, z. Flamur Sefaj” ka thënë Haradinaj.

Gjithashtu, kryeministri Haradinaj doli në një konferencë për media.

Haradinaj, tha se nuk ka pasur informata përpara se do të ndodhin këto ndalime dhe se ka kërkuar informata nga policia dhe institucionet tjera.

“Arsyeja e ndalimit është mënyra e qëndrimit që është e pa identifikuar. Janë disa kushte për qëndrim që rregullohen me ligj” ka përfunduar kryeministri Haradinaj

Pas Haradinaj ,arrestimin e 6 gylesitnëve e komentoi edhe presidenti i vendit Hashim Thaçi.

Thaçi ka thënë se ka shprehur zhgënjimin e tij me aksionin e sotëm të policisë së Kosovës, pas arrestimit dhe deportimit të gjashtë shtetasve turq.

Fakti se krerët e shtetit nuk kishin informacion për këtë ngjarje, ka ngjallur reagime të shumta.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka rikonfirmuar zotimin e tij për të vënë para drejtësisë të “pjesëtarëve të organizatës terroriste FETO”, pas ekstradimit nga Kosova për në Turqi të 6 pjesëtarëve të lartë të kësaj organizate.

 “Së fundmi, Agjencia jonë Kombëtare e Inteligjencës, në bashkëpunim me Inteligjencën e Kosovës kapën 6 përfaqësues të lartë të FETO-s në Ballkan, i sollën dhe ia dorëzuan organeve policore. Ne kemi thënë se ata do të ikin, kurse ne do t’i ndjekim dhe t’i sjellim këtu me lejen e Zotit, kudo që gjenden. Do të kërkojmë llogari”, citohet të ketë thënë presidenti Erdogan, siç raporton “Anadolu Agency”.

Pas arrestimit të shtetasve turq – reagon Delawie

Pas arrestimit të shtetasve turq nga Kosova dhe deportimit të tyre në Turqi, ka reaguar edhe Greg Delawie, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës .

Përmes një shkrimi në Tëitter, ka thënë se po i ndjekin me vëmendje zhvillimet që nga dita e djeshme. “Po ndjekim me vëmendje ngjarjet e djeshme. Transparenca dhe angazhimi për një proces të rregullt dhe sundimi i ligjit, janë jetike” ka perfunudar Delawie

Deda: Arrestimi dhe deportimi i “gylenistëve” shkelje flagrante e Kushtetutës

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, ka folur rreth arrestimit të sotëm të drejtuesve të kolegjit “Mehmet Akif”.

Deda ka thënë se arrestimi dhe deportimi i “gylenistëve” është shkelje flagrante e Kushtetues së Kosovës dhe se kjo do të ketë pasoja.“Arrestimi dhe deportimi i “gylenistëve” në Kosovë është kundër Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe qëndrimit përkatës të Këshillit të Evropës – direkt të zbatueshme në Kosovë me Kushtetutën tonë. Do të thotë, është shkelje flagrante e Kushtetutës së Kosovës”.

“Shihni tash – ndër të tjera – pasojat për aplikimin për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka shkruar Deda në Facebook.

Hashim Thaçi, e keqja më e madhe e Kosovës

Image
Drita Millaku

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku në një prononcim për “Bota sot” ka kërkuar edhe shkarkimin gjithashtu edhe të  drejtorit të policisë së Kosovës.

“Arrestimi i personave nga Policia e Kosovës tregon më së miri tregon gjendjen e shtetit tonë ku vendimet merren edhe kur dihen se ato janë të dëmshme por nuk merret autorësia. Asnjëherë me qartë nuk është treguar se Hashim Thaçi është e keqja më e madhe e Kosovës. Asnjëherë më qartë nuk është treguar se kjo qeveri është kot dhe duhet të shkojë për të mos u përsërit kurrë. Si është e mundur të shkarkohet ministri i punëve të brendshme e drejtori i AKI-së e të mos shkarkohet drejtori i policisë. Por, pyetja është kush duhet ta shkarkojë Hashm Thaçin- Njeriu i skenarëve të fëlliqura dhe të rrezikshme”, ka thënë Millaku.

Kurse, analisti Nexhat Haziri, e ka quajtur akt jo human arrestimin e shtetasve turq në Kosovë, duke thënë se tash Kosova është radhitur krah shteteve me demokraci të dështuar dhe se faji për këtë akt bie mbi udhëheqësit kryesor të shtetit, e në veçanti mbi Presidentin Thaçi.

Image
Nexhat Haziri

“Është një akt  jo human dhe i papranueshëm për një shtet dhe shoqëri që ka ambicie demokratike dhe integruese në familjen e madhe të shteteve demokratike siç është sot BE-ja. Me këtë akt, Kosova është radhitur krah shteteve më demokraci të dështuar dhe faji për këtë akt të ndyrë bije mbi udhëheqësit kryesor të shtetit, e në veçanti mbi Presidentin Thaçi, i cili e ka shndërruar vendin në një shtet policor për ti përmbushur ambiciet e tij politike dhe sunduese”, ka thënë Haziri.

Sipas tij, me deportimin e shtetasve turq që kishin leje të rregullta qëndrimi në Kosovë, dhe dorëzimin e tyre regjimit të Erdoganit, Kosova merr edhe një goditje të rëndë sa i përket imazhit të sajë edhe ashtu të rrënuar nga qeverisja banditeske.

“Një vend që nuk respekton  të drejtat e njeriut të cilat janë të garantuara me konventat ndërkombëtare dhe që tashmë është përcaktuar përkrah diktatorëve siç është presidenti turk Erdogan dhe do të humbë simpatinë nga vendet demokratike dhe miqt tanë ndërkombëtar që kishin për Kosovën si një vend që aspiron të ndërtoj një shoqëri demokratike, ku sundon rendi dhe ligji”, është shprehur ai.

Situate e rendë e vendit

Kurse, ish deputetja e Partisë së Drejtësisë, Labinotë Demi Murtezi, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë vendi po përjeton një situatë shumë e tensionuar.

Image
Labinotë Demi Murtezi

“Krejt çka mund të them për momentin është se vendi ynë po përjeton një situatë shumë të tensionuar. Për çështjen në fjalë nuk ka ende diçka konkrete kur nuk kemi as edhe një informatë të saktë nga krerët e shtetit” ka përfunduar Murtezi,

Pozitë e Opozitë bashke kundër Thaçit

Analisti Politik Faik Krasniqi, ka thënë për “Bota sot” se Thaçi po e qon Kosovën drejt Humnerës, dhe është shumë  rrezik për shtetin nëse vazhdon të ngelet President ende.

Image
Faik Krasniqi

“Presidenti Thaçi është duke e sjellë në gisht jo vetëm popullin, por gjithë klasën politike. Veprime të ditëve të fundit janë duke e dëshmuar një gjë të tillë, që Qeveria e kryeministrit Haradinaj nuk janë gjë tjetër veç se spektatorë të spektakleve të njeriut që po na dërgon drejt humnerës. Pozitë dhe opozitë duhet të bëhen bashkë për shkarkimin e tij, sepse kur njeriu është shumë i rrezikshëm për shtetin nëse vazhdon të ngelet President i shtetit. Marrëzitë dhe dëmet e tij nuk do të kenë të ndalur nëse paritet politike ose populli nuk veprojnë. Në të kundërtën duhet  të bie Qeveria, të shpërndahet Parlamenti dhe partitë politike të i pastrojmë radhët e saj, sepse jemi ngopur  me politikan të papërgjegjshëm dhe të korruptuar, të cilët përveç të këqijave  asgjë të mirë nuk kanë sjellë në Kosovën e pasluftës. Edhe ky president është produkt i kësaj politike të mbrapshtë, që përmes instalimit të politikës mafioze dhe mos llogaridhënies, shtetin e kanë shndërruar në pronë private që mund të bëjnë me të çfarë të duan kurse popullin në kope delesh” ka thënë Krasniqi.

Drejt zgjedhjeve

Ndërkaq, politologu Ramush Tahiri, në një prononcim për “Bota sot “ ka thënë se shërbimi turk e ka kryer aksionin gjë që është shkelje dhe cenim i ligjeve të Kosovës.

Image
Ramush Tahiri

“Vendimi i kryeministrit për shkarkimin e zyrtarëve të lartë të shtetit pas skandalit me depërtimin në Turqi të gjashtë shtetasve të Turqisë që kishin leje të rregullt e valide qëndrimi dhe leje pune në Kosovë. Tash dihet që drejtorin e ri të AKI ndërsa ministri i Punëve të Brendshme i takon AKR. Mbetet të shihet a do të ketë pajtim për këtë apo do të Shkohet në zgjedhje të reja parlamentare. Konfirmimi zyrtar nga niveli me i lartë të Turqisë Thotë se shërbimi i këtij shteti e ka kryer aksionin gjë që është shkelje dhe cenim i ligjeve të Kosovës” ka përfunduar Tahiri.

Abazi tregon 2 aspektet serioze të rastit

Gazeta “Bota sot”, për këtë çështje, ka biseduar edhe me analistin dhe njohësin e çështjeve politike, Haki Abazi.

Ai ka thënë se diktatura e instaluar me shumë vite ka filluar të sillet në mënyrë te çmendur dhe pa kontrolle.

 “Vetëm në javën e fundit  Kosova është kthyer në muzeun e befasive të turpit dhe keqpërdorimit të institucioneve dhe mekanizmave të shtetit nga një agjendë e prapaskenave mafioze. Diktatura e instaluar me shumë vite ka filluar të sillet në mënyrë te çmendur dhe pa kontrolle. Presedani i krijuar dje me kapjen ilegale të qytetareve turq me të drejtë legale të qëndrimit ne Kosovën është jashtëzakonisht i rrezikshëm”, ka thënë Abazi.

Image
Haki Abazi

Sipas tij, janë dy aspekte serioze për të cilat duhet te merremi në mënyrë shumë serioze.

“Në këtë ka dy aspekte kryesore që duhet merremi ne mënyrë serioze. E para është tentimi i krerëve të shtetit për t’i ikur përgjegjësisë duke thënë që nuk kanë qenë të njoftuar. Vetë fakti që nuk kanë qenë të njoftuar është papërgjegjësi sepse ata nuk mund të lejojnë situata poroze në sistem të menagjimit dhe kontrollit të shtetit kur gjera të këtilla ndodhin. Kjo është përgjegjësi direkte mbi ata që mbajnë funksione shtetërore, Kryeministri, me ministrat dhe shumësinë e zëvendës ministrave, presidenti me klanet e tij dhe kryeparlamentari. Aty ku janë këta bie pesha e përgjegjësisë ndërsa ata qe kane qenë të përfshirë direkt në këtë realizimi të këtij veprimi: Drejtori i policisë, drejtori i AKI, Ministri i Punëve të Brendshme dhe Ministri i Drejtësisë duhet te ndjeken penalisht nga kryeprokurori i shtetit. Ata duhet të arrestohen menjëherë për keqpërdorim të shtetit dhe shkelje të kushtetutës”.

“Aspekti tjetër ka të bëjë me interesat vitale të shtetit. Fakti që Aeroporti është i privatizuar nuk do të thotë që në atë aeroport mund të vijnë aeroplan të çfarëdo lloji për të marre njerëz nga vendi ynë. Këto fluturime të pa planifikuara dhe ilegale janë shkelje të integritetit dhe sovranitetit të vendit. Fakti që kompania që menaxhon aeroportin është po nga i njejti vend prej ku ka ardhur aeroplani për të marr njerëzit e kidnapuar është problem shumë serioz dhe duhet në mënyrë urgjente të verifikohen shkeljet ligjore që kanë ndodhur dhe aeroporti si i tillë duhet  merret nën menxhim dhe njerëzit përgjegjës për lejimin e këtij fluturimi për të hyrë dhe dalë nga Kosova duhet të merren në përgjegjësi”, është shprehur Abazi për gazetën “Bota sot”.

Ai thotë, se e gjithë kjo klasë politike duhet të shkojë sa me shpejtë, duke kërkuar që kryeprokurori të veprojë sa me shpejtë. “Nëse kryeprokurori nuk vepron, kapja e shtetit thellohet edhe me tutje dhe besimi qytetar në këto institucione me arsyeje do të bie edhe me tutje. Nuk do të befasohem nëse këto ngjarje do të kenë pasoja te rënda në liberalizimin e  vizave dhe proceset tjera integruese dhe gjithashtu do të shkaktojnë dëme të mëdha ne raportet me BE dhe SHBA. Kjo është arsyeja që kjo klasë politike duhet të shkojë nga skena politike,? dhe nëse kryeprokurori nuk vepron mbi të donte rendoje barra e mos veprimit dhe bashkëpunimit në skenarët e çmendur”, ka përfunduar Abazi.

Arrestimi

Të arrestuarit e së enjtes, punëtorë të kolegjit Mehmet Akif të identifikuar nga Turqia si mbështetës të Fetullah Gulenit dhe kundërshtues të politikës së Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Ky i fundit ishte i dyshuar për tentim puqin qe ju bë më 16 korrik 2016 presidentit aktual Rexhep Taip Erdogan.

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan kishte akuzuar Fetullah Gulenin udhëheqësin e lëvizjes “Hizmeti” për tentim-puçin në Turqi dhe kishte kërkuar ekstradimin e tij nga Amerika, pasi Guleni vepron nga ekzili.

Që nga ajo kohë Erdogan kishte filluar një fushatë të egër kundër kësaj lëvizjeje, e cila ka vazhduar edhe dy vjet pas.

Erdogan dhe Gulen ishin partner të ngushtë në politikë deri para pak vitesh, që nga koha kur “Hizmet” si lëvizje kishte arritur të krijonte një shtet paralel brenda shtetit turk, me policë, gjykatës e prokurorë që punonin në institucionet e shtetit turk, por për interesat e Fethullah Gylenit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat