“Haradinaj të nxjerrë para drejtësisë ata që shkelën ligjin, ose të ofrojë dorëheqje”

Politika

“Haradinaj të nxjerrë para drejtësisë ata që shkelën ligjin, ose të ofrojë dorëheqje”

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 1 prill 2018 Në ora: 15:50
Ramush Haradinaj

Njohësi i çështjeve politike Leon Duhanaj, ka komentuar zhvillimet e fundit në Kosovë. Ai  i ka quajtur akt të vendosshmërisë shtetërore arrestimet e fundit në veri të vendit, duke thënë se shpreson që nuk ka skenar prapa tyre, të cilat do ta dëmtonin Kosovën.

Ndërsa, në lidhje me arrestimin dhe deportimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova, Duhanaj ka theksuar se ishte në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e vendit.

Image
Leon Duhanaj

“Zhvillimet e fundit në Kosovë, kanë bërë që të kemi një situatë shumë dinamike dhe me plotë konfuzitet. Së pari, arrestimet në veri të Kosovës, ishin një akt i vendosmërisë shtetërore. Megjithatë dëshiroj të besoj që prapa tyre nuk la skenarë, nga të cilët Kosova me shumë dëmtohet se sa fiton. Shenjat janë të atilla që lënë me dyshuar shumë. Në anën tjetër, kemi edhe rastin e arrestimit, gjegjësisht deportimit të qytetarëve shtetas turk nga Kosova, duke i ekstraduar në Turqi, në bazë të kërkesave të shtetit turk si kundërshtarë politik të Presidentit turk Erdogan. Jo pse ata ishin siç po quhen gylenista, sepse për mua politika e shtetit turk ndaj shqiptarëve është e njëjtë, pa marrë parasysh nga cili grup. Por, sepse ky akt përpos që ishte qyqar, mënyra e ekzekutimit të tij, ishte në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Në kundërshtim me konventat ndërkombëtare si dhe në kundërshtim me politikën aktive të komunitetit ndërkombëtar, me theks të veçantë SHBA, BE”, është shprehur Duhanaj.

Ai më tej ka thënë se për këtë çështje kryeministri duhet të nxjerr para drejtësisë ata që shkelën ligjin, ose të ofrojë dorëheqje për shkak të paaftësive për të menaxhuar me shtetin.

“Për këtë shkelje të rëndë duhet të kërkohet përgjegjësi juridike dhe politike. Në tërë këtë vorbull, kemi sinjale që Kryeministri i vendit nuk ishte i involvuar fare, madje ishte totalisht i painformuar. Në këtë rast, nga Kryeministri duhet të kërkohet ose ta ngritë çështjen në nivelin e duhur hetimor dhe të dalin para drejtësisë të gjithë ata që kanë bërë shkelje ligjesh dhe Kushtetutës, ose të ofrojë dorëheqje për shkak të paaftësive për të menaxhuar me shtetin. Për këtë rast, duhet ta ketë mbështetjen e të gjitha subjekteve pa dallim, në gjetjen dhe ndëshkimin e secilit që shkelë mbi ligjet dhe Kushtetutën e vendit, qoftë ai president, zyrtarë shtetëror apo qytetar i thjeshtë”, ka theksuar Leon Duhanaj për “Bota sot”.

Ndryshe, Haradinaj për shkak të deportimit të shtetasve turq, ka shkarkuar Ministrin e Punëvë të Brendshme Flamur Sefaj dhe drejtorin e AKI-së, Driton Gashin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat