Komandantët, treshja “shtetshkatërruese”!

Politika

Komandantët, treshja “shtetshkatërruese”!

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 2 prill 2018 Në ora: 13:17
Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Dështimi i institucioneve relevante e në të njëjtën kohë edhe mos dakordimi e krerëve të shtetit rreth ngjarjeve të fundit, janë sinjalizues qartë se vendi nuk është duke shkuar drejt një rruge të duhur.

Gjunjëzimi si asnjë herë më parë nga Policia e Kosovës i të ashtuquajturit drejtor të Zyrës për Kosovën pranë Qeverisë së Serbisë Marko Gjuriq dhe deportimit të 6 turqve në Kosovë, të dyshuar si mbështetës të Fetullah Gylen, ngjallen reagime të shumta kundrejt krerëve të shtetit.

Por, kjo nuk përfundon me kaq. Edhe përplasjet e vazhdueshme në mes krerëve të institucioneve po akumulojnë një përfundim se vendi nuk po i kalon momentet më të mira. Veç kësaj, tashmë janë shtuar edhe zërat që tregojnë se vendi së shpejti do të shkojë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme, dhe koalicioni i komandantëve të shkojë drejt fundit.

Derisa nga pozita mendojnë se qeveria aktuale është duke funksionuar mirë, kështu nuk mendojnë zyrtarët e partive politike dhe njohësit e zhvillimeve në vend. Sipas këtyre të fundit, konstelacioni qeverisës është fatal për Republikën e Kosovës, i cili edhe po lëndon seriozisht të arriturat e deritanishme.

Treshja “shtetshkatërruese”

Image
Bajram Gecaj

Ish-zëvendësministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, për “Bota sot”, thotë se me këtë qeveri Kosova është duke lënduar seriozisht të arriturat e deritanishme.

“Unë e kam thënë disa herë deri më tani se ky konstelacion qeverisës është fatal për Republikën e Kosovës. Është në fakt riinkarnimi i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, apo qeverisë së “komandantëve”. Me këtë qeveri Kosova vetëm se do të eci me hapa të sigurt prapa, duke shkatërruar ose lënduar seriozisht të arriturat e deritanishme”, u shpreh Gecaj.

Zyrtari i LDK-së thotë se tre krerët e institucioneve duhet të largohet sa më parë nga pozitat e tyre, sepse, sipas tij, ky konstelacion do të jetë i kobshëm për vendin tonë.

Në fund, Gecaj propozon që partitë politike të mblidhen dhe të vendosin për datën e re të zgjedhjeve parlamentare.

“Treshja “shtetshkatërruese” duhet të largohet sa më shpejt nga krerët e institucioneve, përndryshe çdo ditë që zgjatë ky konstelacion do të jetë i kobshëm për vendin tonë. Do të ishte mirë që sa më parë që të jetë e mundur partitë politike të mblidhen dhe të vendosin për datën e re të zgjedhjeve parlamentare”, ka përfunduar zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj për gazetën “Bota sot”.

“Në këtë momentum nuk është momenti që të kemi zgjedhje”

Image
Time Kadrijaj

Ndërsa, në një linjë me Gecajn nuk është edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj. Ajo në një prononcim për gazetën “Bota sot” u shpreh se në këtë momentum nuk është momenti që të kemi zgjedhje.

Derisa, në të njëjtën kohë, përmend edhe argumentet ku thotë se koalicioni aktual është duke funksionuar dhe se nuk ka mosmarrëveshje, përkundër ngjarjeve të fundit.

 “Nuk ka mosmarrëveshje në mes koalicionit aktual edhe pas ngjarjeve të fundit që kanë ndodhur. Haradinaj ka ndërmarrë hapa duke shkarkuar ministrin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe drejtorin e AKI-së. Ju e dini që e kemi pasur një seancë plenare dhe kemi votuar shumë ligje që kanë të bëjnë me agjendën evropiane dhe nuk ka ndonjë shenjë për koalicionin që tregon se nuk është duke funksionuar. Koalicioni është duke funksionuar mirë dhe mendojmë se nuk është momenti i duhur që ne të shkojmë në zgjedhje. Në këtë momentum nuk është momenti që të kemi zgjedhje”, tha deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj për “Bota sot”.

“Organizator i tërë të këqijave presidenti i vendit”

Image
Faton Mehmeti

E, analisti politik, Faton Mehmeti, duke komentuar zhvillimet e fundit në vend, për gazetën “Bota sot”, thotë se nuk duhet shumë zgjuarsi për të kuptuar se kjo qeveri ka rënë.

Sipas Mehmetit, organizator i tërë të këqijave në vend është Thaçi, i cili  sipas tij, po përdorë të gjithë në favor të interesave të tija.

“Besoj se nuk duhet shumë zgjuarsi për të kuptuar se kjo qeveri ka renë. Një qeveri me sistem parlamentar udhëhiqet nga shumica e numrave dhe në momentin që nuk i ka numrat ajo bie. Tani që qeveria Haradinaj nuk i ka numrat, rrjedhimisht ka rënë. Organizator i tërë të këqijave në vend është Thaçi, i cili po përdorë të gjithë në favor të interesave të tija”, tha Mehmeti.

Ai thotë se edhe Kadri Veseli dhe Rammush Haradinaj janë ndër organizatorët e krimit në vend, për të cilët thotë se kanë privatizuar vendin.

Njohësi i zhvillimeve në vend konsideron se kjo treshe duhet larguar nga pushteti, që Kosova të merr frymë lirshëm.

“Gjithashtu edhe Veseli dhe Haradinaj janë ndër organizatoret e krimit në vend, të cilën e kanë privatizuar për interesat e tyre. Kjo treshe e dëmshme për vendin, ka filluar të përçahet pasi Hashimi dëshiron të largoj Ramushin nga pushteti dhe vet të rikthehet si kryeministër. Pasi posti i presidentit i jep pak kompetenca. Thaçi dëshiron të luaj rolin e politikanit të pazëvendësueshëm në vend. Prandaj Hasha po lufton në dy drejtime, brenda PDK dhe kundër kundërshtarëve të jashtëm. Gjithsesi kjo treshe duhet largohet nga pushteti, që Kosova të merr frymë”, ka përfunduar Mehmeti për Bota sot”

Kujtojmë se krerët e shtetit kishin pasur edhe ditë më parë një takim në një nga restorantet e Prishtinës dhe nga aty mediat raportuan se takimi ishte goxha i "nxehtë" me përplasje dhe me akuza e kundër akuza, ndërsa se edhe sa do të zgjas ky mosbashkëpunim mbetet për t’u parë në ditët në vazhdim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat