Viktimat e dhunës seksuale do të marrin pension 230 euro

Politika

Viktimat e dhunës seksuale do të marrin pension 230 euro

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 2 prill 2018 Në ora: 14:22
Foto ilustrim

Një çështje që është diskutuar kohët e fundit ka qenë ajo për kategorinë e viktimave të dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë. Është kërkuar disa herë që kësaj kategorie të iu kushtohet më shumë vëmendje dhe të kenë më shumë hapësirë.

Kohët  e fundit edhe interesimi për pensionin e viktimave të kësaj kategorie është shtuar. Kështu ka deklaruar edhe Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për rehabilitimin e viktimave të tortures.

Ajo ka treguar se interesimi është rritur, pasi viktimat po binden se identiteti dhe të dhënat e tyre do të jenë konfidenciale.

“… vijnë njerëzit për herë të parë, pyesin, marrin informacione, duan që të sigurohen që çdo gjë është konfidenciale, që nuk zbulohet identiteti i tyre. Pastaj vijnë pas një periudhe kohore për të përcaktuar kohën apo ju duhet kohë derisa ta marrin vendimin’, ka treguar ajo.

Sebahate Pacolli nga Qendra për reabilitimin e viktimave të torturës, ka thënë për “Bota sot” se tani më shumë se kurrë janë aktivizuar të gjitha institucionet për të ofruar mbështetje për viktimat e kësaj kategorie.

Image
Sebahate Pacolli

“Tani është periudha kur të gjithë akterët e shoqërisë kosovare si institucionet ashtu edhe OJQ-të  janë më aktiv se kurrë në ofrimin e mbështetjes për të mbijetuarit”, ka thënë Pacolli.

Ajo thotë më tutje se proceci për aplikim për njohjen e statusit ka filluar me 5 shkurt dhe është ende në zhvillim.

“Procesi për aplikim për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale ka filluar me 5 shkurt dhe është në zhvillim e sipër”, thotë ajo.

Ajo thotë më tutje se  janë autorizuar tashmë disa organizata për mbështetjen e aplikimeve të kësaj kategorie.

“Katër organizata, në mesin e tyre edhe QKRMT, janë autorizuar për mbështetjen e procesit të aplikimeve. Njëkohësisht ne po vazhdojmë me ofrimin e mbështetjes profesionale rehabilituese për të mbijetuarit”, thekson Pacolli.

Nga ana tjetër, zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi, thotë për “Bota sot” se, qeveria qysh në fillim të mandatit të saj ka marr vendim për ndarjen e pensionit për viktimat e dhunës seksuale. Pas përfundimit të aplikimit, ajo ka thënë se kjo kategori do të marrin pension mujor 230 euro.

Image
Donjeta Gashi

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbështetur nisma për përkrahje financiare të qendrave të strehimit për personat që pësojnë nga dhuna familjare dhe që është edhe kjo kategori dhe çka është më e rëndësishmja, me të marrë mandatin ka marrë vendim për ndarjen e pensionit për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Tashmë është caktuar komisioni që do të bëjë regjistrimin dhe verifikimin dhe të gjithë ato që aplikojnë do të kenë pension mujor 230 euro”, thotë zëdhënësja Gashi.

Ndryshe, pak ditë më parë edhe ish Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, ka themeluar një fondacionqë do të merret me fuqizimin e grave, viktimave dhe luftimin e dukurive negative.

“Fondacioni Jahjaga” do të fokusohet kryesisht në fuqizimin e grave në integrimin dhe avancimin e tyre në shoqëri, si dhe gjithashtu me çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë në vend, veçanërisht me dukuritë negative si luftimin e korrupsionit, por edhe me adresimin e çështjeve të ekstremizmit të dhunshëm, ka thënë ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, themeluese e “Fondacionit Jahajaga”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat