Dyshimet e profesorit ndërkombëtar: Marrëveshje mes Erdoganit, Putinit dhe Vuçiqit për deportimin e 6 gylenistëve

Politika

Dyshimet e profesorit ndërkombëtar: Marrëveshje mes Erdoganit, Putinit dhe Vuçiqit për deportimin e 6 gylenistëve

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 2 prill 2018 Në ora: 20:58
Shtetasit turq te arrestuar dhe te deportuar

Profesori dhe njohësi i çështjeve politike në vend, Enver Bytyçi, thotë se të gjitha zhvillimet e fundit sa i përket gylenistëve do të kenë ndikim në jetën e brendshme të Kosovës, në marrëdhëniet me Turqinë dhe partnerët perëndimorë.

Bytyqi në një prononcim për “Bota sot” deklaron në çështjen e arrestimit dhe deportimit të shtetasve turq, janë disa udhëheqës të implikuar.

“Arrestimi i atyre që quhen gylenistë dhe që konsiderohen kundërshtarë të presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan, është kryer në kundërshtim me ligjet e Kosovës, me ligjin ndërkombëtar dhe në kundërshtim me kushtetutën e Kosovës. Janë disa udhëheqës të shtetit që janë implikuar në këtë histori të trishtueshme, është presidenti Thaçi, zv. kryeministri Pacolli, ministri i Brendshëm, shefi i AKI-së e ndonjë tjetër zyrtar i lartë, si p.sh. drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit. Ndërsa kundër këtij akti janë shprehur kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kreu i parlamentit, Kadri Veseli. Erdogan e ka pritur mirë këtë akt dhunues të ligjit e të të drejtave të njeriut. Ka lavdëruar Thaçin dhe ka marrë në mbrojtje ministrin e Brendshëm, e shefin e AKI-së, ndërkohë që ka kërcënuar në mënyrë të pazakontë kryeministrin Haradinaj. Të gjitha këto zhvillime kanë ndikim në jetën e brendshme të Kosovës si dhe në marrëdhëniet e saj me Turqinë dhe partnerët strategjikë perendimorë”, pohon Bytyçi.

Kërcënimi ose tërheqja e trupit diplomatik turk nga Kosova, sipas Bytyçit, do të shërbejnë në funksion të dobësimit të pavarësisë dhe shtetësisë.

Mirëpo, për profesorin e marrdhënieve ndërkombëtare, për këtë akt nuk është e çuditshme, që të ketë një marrëveshje në mes Erdoganit, Putinit dhe Vuçiqit.

“Akti i ekstradimit po shfrytëzohet nga presidenti turk për të justifikuar tërheqjen e personelit të ambasadës, pasiqë, sipas tij përfaqësuesit diplomatikë turq në Prishtinë nuk kanë kushte sigurie. Me këtë paralajmërim Erdogan kërkon t’i bëjë presion kryeministrit Haradinaj dhe kryeparlamentarit Veseli, me qëllim që këta të largohen nga pushteti dhe në vend të tyre të vijnë turkofIlë të rrethit të Hashim Thaçit. Por kam dronë se kërcënimi ose tërheqja e trupit diplomatik turk nga Kosova do të shërbejë në funksion të dobësimit të pavarësisë dhe shtetësisë së saj. Nuk është çudi që të ketë ndonjë marrëveshje xhentelmenësh midis Erdogan dhe Vladimir Putin e Aleksandër Vuçiç për këtë akt. Thaçi në këtë rast do të dilte si mashë në dorën e këtyre tre armiqve të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Amerikanët dhe europianët nuk mund të jenë të lumtur që presidenti i Kosovës vihet në krye të një akti të turpshëm në shkelje të ligjit e kushtetutës së vendit për marrjen peng dhe ekstradimin e gjashtë mësuesve me kontribut në formimin shkencor të rinisë në Kosovë. Them marrje peng, sepse asgjë nuk ka kaluar në dyert e gjykatave, gjithçka është kryer bazuar nga një informacion i AKI-së, siç thotë presidenti i Kosovës. Ky veprim pa akt gjykimi e pa vendim gjykate madje edhe me mënjanimin e hetimeve të prokurorit është akt banditesk shtetëror, që rëndon nga pikëpamja e aftësisë së shtet-formimit pozitën e Kosovës në demokracitë e zhvilluara. Dhe që të riparohet sado pak ky dëm do të duhet që parlamenti i Kosovës dhe gjykata kushtetuese të vlerësojnë dhe vendosin për shkeljet kushtetuese të presidentit. Ai nuk duhet të guxojë të dalë mbi ligjin e shtetit dhe kushtetutën e vendit për hatër të lidhjeve të tij të dyshimta me president të tillë si Rexhep Taip Erdogan” shton Bytyçi.

Ai nuk i pranon kërcënimet e Presidentit të Turqisë, gjersa pohon se Veseli nuk qëndron të linjë të njëjtë me Thaçin, sepse e di që i ka javët e numëruara për shkak të veprimit të Gjykatës Speciale.

Image
Enver Bytyçi

“Kërcënimet e presidentit të Turqisë ndaj Raush Haradinajt janë të paprecedentë. As presidenti i Serbisë, i cili e quan Kosovën pjesë të vendit të tij, nuk ka guxuar të kërcënojë Prishtinën më një gjuhë të tillë. As Vladimir Putin nuk e ka bërë këtë. E bëri Erdogan, gjë që nuk pritej. Megjithatë unë mendoj se kërcënimi i Erdoganit vetëm sa i ka rrit kredibilitetin kryeministrit të Kosovës. Jam i bindur se shqiptarët e Kosovës edhe ata që kanë simpati për presidentin turk, nuk e pranojnë një gjuhë të tillë sjelljeje. Por, ajo që mund të ndodhë ka të bëjë me ndikimin e këtyre ngjarjeve në Kosovë. Tashmë duket qartë se presidenti dhe kryeministri nuk janë në të njëjtën linjë aleancash dhe veprimesh politike”.

“Hashim Thaçi duket se ka për qëllim të shkaktojë krizë politike dhe ta largojë Haradinajn nga posti i kryeministrit. Nuk e di saktë, por gjykoj se Kadri Veseli nuk është dakord e veprimet e ish-shefit të tij, Hashim Thaçi. Ndoshta dëshiron të krijojë një profil të vetin e t’i marrë përgjegjësitë mbi vete. Ndoshta shikon që presidenti i Kosovës i ka javët e numëruara për shkak të veprimit të Gjykatës Speciale. Ndoshta nuk është pjesë e garniturës erdoganiste. Nuk ka rëndësi arsyeja e motive, është lajm i mirë që Kadri Veseli së paku në këtë rast endon dhe gjykon ndryshe nga Hashim Thaçi. Kjo ndoshta do t’ia shtojë kreditet si politikan. Nëse Kadri Veseli i qëndron besnik Haradinajt ka gjasa që kriza politike të mos ndodhë. Sado që Lidhja Demokratike jep sinjale për zgjedhje të parakohshme, unë besoj se ajo do të jetë e detyruar ta mbështesë Haradinajn në rast se ndonjë deputet erdoganist ose hashimist, apo serb shkëputet nga koalicioni qeverisës. Kjo do të ndodhë, sepse Kosova nuk ka komoditet të bëjë zgjedhje njëherë në vit. Zgjedhjet e vazhdueshme të parakohshme për hatër të Hashim Thaçit duhet të marrin fund. Ndryshe Kosova humbet energji, humbet kohë, humbet kredibilitet dhe dëmton imazhin e saj si shtet ende i pa definuar sipas ligjit ndërkombëtar”, përfundon Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat