Ramush Haradinaj i pafuqishëm përballë Hashim Thaçit

Politika

Ramush Haradinaj i pafuqishëm përballë Hashim Thaçit

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 3 prill 2018 Në ora: 07:23
Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj

Ndonëse është thënë se arrestimi i shtetasve turq erdhi pas bashkëpunimit mes dy shërbimeve inteligjente Turqisë dhe Kosovës, për këtë aksion, Presidenti Hashim Thaçi dhe Kryeministri Ramush Haradinaj, kanë deklaruar se nuk ishin të informuar. Megjithatë, në konferencën e mbajtur të shtunën Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka thënë se ka pranuar një raport nga AKI-ja në lidhje me rrethanat dhe procedurat që kanë çuar drejt deportimit të shtetasve turq duke mos treguar, duke mos e cekur nëse këtë raport e ka pranuar para apo pas arrestimit të tyre. 

Dy liderët e institucioneve më të larta shtetërore në Kosovë, po vazhdojnë të prezantojnë deklarata të ndryshme në lidhje me arrestimin dhe deportimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi.

Në një konferencë për media të mbajtur gjatë ditës së shtunë, presidenti ka thënë se ka pranuar një raport nga AKI-ja në lidhje me rrethanat dhe procedurat që kanë çuar drejt deportimit të shtetasve turq.

Sipas raportit të AKI-së, arsye e vetme pse këta shtetas janë deportuar nga Kosova është se ata kanë pas informata për veprime të paligjshme, e cila sipas AKI-së kanë rrezikuar sigurinë kombëtare.

 “Kemi pranuar një raport të hollësishëm nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës, e cila në mënyrë të detajuar sqaron arsyet edhe procedurat që kanë dërguar deri tek kërkesa e AKI-së drejtuar departamentit kompetent në Ministrinë e Punëve të Brendshme për anulimin e leje qëndrimit, respektivisht për kërkesën për depërtim. Sipas këtij raporti, arsyeja e vetme se përse këta shtetas me kombësi turke janë deportuar, ka të bëjë me veprimet e tyre të paligjshme në Kosovë, të cilat gjithnjë sipas AKI-së, kanë rrezikuar sigurinë kombëtare të Kosovës, pra arsyeja e vetme për deportim sipas AKI-së, është rrezikimi i sigurisë kombëtare”, ka thënë Thaçi në një konferencë për media.

Ndërkaq, kryeministri Ramush Haradinaj, ka shkarkuar nga detyra ministrin e Punëve të Brendshme Flamur Sefaj dhe drejtorin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës Driton Gashi, të cilët nuk e kishin informuar në lidhje me rastin në fjalë.

Haradinaj në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë ka arsyetuar shkarkimet, duke thënë se Sefaj e Gashi kanë humbur besimin e tij.

“Ata s’e kanë besuar me më informuar mua. Për këtë e kërkova lirimin e tyre. Por Flamur Sefaj e ka pasë shkresën që nga dita e premte e javës së kaluar që shtetasit turq do të arrestoheshin”, ka deklaruar Haradinaj.

Duke komentuar rreth “informimit” të presidentit e kryeministrit, analistët politikë kanë thënë se i vetmi person që sundon tani në Kosovë, është Hashim Thaçi. Ata konsiderojnë se kryeministri Haradinaj, është i pafuqishëm përballë veprimeve dhe personalitetit të presidentit Thaçi.

“Haradinajt po i përzihen në kompentecat e tij qeverisëse”

Sipas analistit politik Skender Zogaj, mosinformimi i Haradinajt, për arrestimin e “gylenistëve” dhe të drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe Marko Gjuriq, tregon se vendi po gremiset. Ai ka hedhur dyshime nëse kryeministri po toleron që dikush të përzihet në kompetencat e tij qeverisëse.

“Nëse arrestimi i Gjuriqit dhe arrestimi i “gylenistëve” ka ndodhur pa dijeninë, angazhimin e plot? dhe pa miratim e vendimit të MPB nga ana e Kryeministrit, kjo është gjamë e madhe për shtetin e Kosovës, sepse del që vendi po gremiset! Unë nuk dua të besoj se kryeministri Haradinaj toleron që dikush të përzihet në kompetencat e tij qeverisëse, sepse, nëse vërtetë dy aksionet e rrezikshme të burgosjeve janë bërë pa lejen e tij, atëherë Haradinaj duhet ta kuptojë se është tepër i rrezikuar dhe të mos habitet nëse një kësi aksioni, në të ardhmen t’i ndodhë edhe atij në Kryeministri”, është shprehur Zogaj.

Image
Analisti Skender Zogaj

Ai ka theksuar, se nëse dikush e anashkalon raportimin për realizimin e detyrave para kryeministrit, duhet të ndëshkohet.

“Nga disa deklarata anësore është thënë se Haradinaj ka qenë i informuar në çdo sekond! Kjo është herezi, sepse Kryeministri nuk informohet por Kryeministrit i raportohet për çdo detaj të realizimit të detyrave! Kjo është mënyra dhe, nëse dikush e ka anashkaluar, kushdo që të jetë duhet të ndëshkohet, ose të paktën, publiku të informohet se çfarë ka ndodhur dhe pse ka ndodhur?!”, ka shtuar për gazetën “Bota sot” Skender Zogaj.

Haradinaj i pafuqishëm përballë Thaçit

Ndërkaq, opinionisti Nexhat Haziri, ka thënë se Presidenti Thaçi, është i vetmi person që po sundon Kosovën. Sipas tij, kryeministri Haradinaj, duke qenë i painformuar, po tregohet i pafuqishëm përballë veprimeve dhe personalitetit të Thaçit.

“Tashmë shihet qartë se i vetmi person që sundon Kosovën, është presidenti Hashim Thaçi, dhe kjo u vërtetua edhe me ngjarjet në veri të Kosovës me rastin e arrestimit të Marko Gjuriqit dhe së fundi edhe me arrestimin dhe deportimin e shtetasëve turq me leje qëndrimi të rregullt në Kosovë, e që njihen si gylenist. Për të gjitha këto veprime të presidentit Thaçi, kryeministri Haradinaj ai është njoftuar vetëm nga mediat, gjë që e bënë të jetë i pafuqishëm përballë veprimeve dhe personalitetit të presidentit Thaçi. Gati gati, në paraqitjet e tij në konferenca për shtyp, kryeministri Haradinaj të linte përshtypjen si të ishte zëdhënës i presidentit e lëre më kryeministër i vendit”, është shprehur Haziri.

Image
Opinionisti Nexhat Haziri

Ai, më tej ka theksuar se Haradinaj duhet të dorëhiqet, ndërsa deputetët e Kuvendit të Kosovës, duhet të fillojnë nismën për shkarkimin e presidentit Thaçi. Ky i fundit, sipas Nexhat Hazirit, po dëmton interesat e qytetarëve dhe të ardhmen e Kosovës.

“Në këto rrethana, aspak të favorshme për vendin pas zhvillimeve të fundit, është e udhës që kryeministri Haradinaj të japë dorëheqje pasi më atë se pyet askush për asgjë, ndërsa deputetët e Kuvendit të fillojnë nismën për shkarkimin e presidentit Thaçi, pasi me veprimet e tij, jo vetëm këto të fundit, por në vazhdimësi, si ajo e tentativës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, është duke e dëmtuar interesat e qytetarëve të vendit dhe të ardhmen e Kosovës si shtet demokratik ku funksionon rendi dhe ligji”, ka shtuar për “Bota sot” Nexhat Haziri.

Brishtësia institucionale

E politologu Ramush Tahiri, e ka quajtur të turpshme dhe lëshim serioz, deklarimin e dy krerëve më të lartë të shtetit se nuk ishin të informuar për arrestimin e shtetasve turq.

Image
Politologu Ramush Tahiri

Ai për “Bota sot”, ka thënë se kjo tregon brishtësinë institucionale të hallkave themelore të shtetit të Kosovës.

“Jo vetëm e turpshme, por lëshim serioz dhe mosfunksionim i shtetit është deklarimi i zyrtarëve më të lartë që nuk kanë qenë të njoftuar për këtë ndërmarrje e as për ardhjen e aeroplanit special në Aeroportin e Prishtinës dhe të nëpunësve të shërbimit të huaj për të kryer aksion në Kosovë, edhe të bëjnë foto me të ndaluarit. Kjo tregon brishtësinë institucionale të hallkave themelore të shtetit të Kosovës. Simptomatike se asnjë drejtor i AKI-së, që nga themelimi nuk mundi në mënyrë të rregullt ta përfundojë mandatin”, ka pohuar politologu Tahiri.

Mirëpo, ndryshe mendon njohësi i zhvillimeve politike Rexhep Shahu, sipas së cilit, kryeministri në kushte normale, nuk duhet të pyetet për ndalime e arrestime. Këto të fundit, sipas Shahut, janë punë të strukturave të shtetit.

Image
Rexhep Shahu

“E kam të vështirë të bëj një përcaktim pasi sa po dëgjojmë, rezulton se është një ekuacion me shumë të panjohura, është si një loje shahu që jo të gjithe dinë ta luajnë edhe pse e shohin. Kosova është skenë shumë e rëndësishme e teatrit politik ndërkombëtar, në të cilën luajnë aktorë të mëdhenj. Mos dija e kryeministrit Haradinaj për arrestimet e ndalimet, nuk është edhe hata pasi në kushtet normale nuk ka pse ta dijë e aq më pak të urdhërojë, të ndërhyjë, të pyetet kryeministri për ndalime e arrestime, pasi nuk janë punë të tij, por të strukturave të shtetit kur vepron shteti. Nëse kryeministri duhet e do të dijë apo pyetet për çdo glasë zogu, atëherë nuk funksionon ai shtet”, është shprehur Rexhep Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat