“Partitë duhet të merren vesh për caktimin e datës së zgjedhjeve”

Politika

“Partitë duhet të merren vesh për caktimin e datës së zgjedhjeve”

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 4 prill 2018 Në ora: 09:09
Ilustrim

“Në këtë situatë se çfarë jemi nga jashtë e nga brenda, ndoshta ja vlen që subjektet politike e veçanërisht koalicioni qeveritarë i cili e din që nuk e ka shumicën dhe as nuk a ka pasur duhet t’i ofronte edhe palët tjera që të bisedohet që të merren vesh me konsensus për një datë të caktuar të zgjedhjeve”, tha prof Mazllum Baraliu.

Zhvillimet e fundit në vend dhe në anën tjetër dalja nga Qeveria e Listës Serbe ka bërë që subjekti më i madh opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës, të propozojë që vendi të shkojë në zgjedhje.

Kërkesa LDK-së ishte jo duke testuar me një mocion mosbesimi qeverinë Haradinaj, por, duke kërkuar konsensusin politik të partive për t’u ulur dhe dakorduar për datën e zgjedhjeve të parakohshme.

Zyrtarët e këtij subjekti, thonë se këto ditë do të dalin me pikat me të cilat do të prezantohet në ofertë, e që për synim kanë të shndërrohet në marrëveshje të përbashkët për t’i dhënë vendit një datë për zgjedhje.

E lidhur me propozim e fundit, pikërisht nga LDK  deklarojnë se së shpejti do të dalin me një qëndrim zyrtar. Ndërsa, subjektet e tjera, si nga pozita po ashtu edhe nga opozita nuk po e shohin si serioze kërkesën e LDK-së për të shkuar në zgjedhje.

Gjersa, njohësi i Kushtetutës, thotë se në situatën çfarë jemi nga jashtë e nga brenda,  ia vlen që subjektet politike të mblidhen për të vendosur për datën e zgjedhjeve.

“LDK së shpejti me qëndrim zyrtar”

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherit edhe kryetari Komunës së Podujevës, Agim Veliu, për gazetën “Bota sot” ka folur për propozimin e fundit nga subjekti i tij.

Sipas Veliut, pritet  që së shpejti LDK të mblidhet për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit që kanë ndodhur në vend.

Image
Agim Veliu

“Vetëm mendime ivinduale të njerëzve që po i shprehin. Nuk kemi marr qëndrim si subjekt politik dhe pritet shumë shpejt që të mbledhim Kryesinë e LDK-së edhe për t’i diskutuar të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur këto ditë e fundit”, tha nënkryetari i LDK-së.

I pyetur se a presin përkrahjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe “Grupit të Deputetëve të Pavarur”, për një propozim të tillë, Veliu tha se Lidhja Demokratike e Kosovë opozitën e bën vet.

“Ne e bëjmë opozitën vet, ne i kemi qëndrimet tona, nuk presim përkrahjen e tyre. Po që se thonë se mund të përputhen diku me qëndrimet, me rrugën tonë, ata mund të bashkëngjitën sigurisht, sepse tani jemi subjekti më i madh politik dhe ne bëjmë punët vet, pavarësisht prej bindjeve dhe qëndrimeve tjera”, ka përfunduar nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, për gazetën “Bota sot”.

“Kjo qeveri duhet të bie”

Në anën tjetër, subjekti dytë opozitar nuk po e sheh si shumë serioze kërkesën e LDK-së. Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, në një prononcim për gazetën “Bota sot” tha se deklaratat e subjektit më të madh opozitar nuk janë shumë serioze.

Image
Arbërie Nagavci

Nagavci thotë, se në rast se ka një iniciativë për të rrëzuar qeverinë aktuale do të mblidhet Kryesia e VV-së dhe vendos për hapat e mëtejshëm.

“Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e ka seriozisht. Deklaratat e tyre nuk janë shumë serioze dhe në rast se ka një mocion ose iniciativë lidhur me këtë çështje mblidhet Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje dhe vendosim se çfarë do bëjmë. Sigurisht, duke i parë zhvillimet e fundit, ne mendojmë se është një skenar që ka dorë direkt presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe mendojmë se kjo qeveri duhet të bie për shkak të mospërmbushjes së premtimeve dhe mos punës, por, jo përmes skenarëve që vijnë nga Partia Demokratike e Kosovës, konkretisht nga Hashim Thaçi”, u shpreh deputetja e VV-së.

E pyetur se a janë kontaktuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës lidhur me këtë propozim, Nagavci tha se nuk ka njohuri lidhur me këtë çështje.

“Personalisht nuk kam njohuri lidhur me këtë çështje. Po flas prej seancës së fundit kur kemi qenë të gjithë dhe atë ditë nuk ka pasur diçka zyrtare, ndërsa sa i përket këtyre dy-tre ditët e fundit nuk kam ndonjë informacion”, përfundoi Arbërie Nagavci për gazetën “Bota sot”.

“NISMA nuk e përkrahë”

E, deputetja e Nismës Socialdemokratike të Kosovës, Albulena Balaj-Halimaj, për gazetën “Bota sot” thotë se subjekti i tyre nuk e përkrahë një propozim të tillë.

Balaj-Halimaj, thotë se kërkesa e LDK-së nuk është serioze. Sipas saj, ky subjekt politik çdo ditë po bën propozime të njëjta.

Image
Albulena Balaj-Halimaj

“Nuk e konsiderojmë kërkesë serioze, sepse Lidhja Demokratike e Kosovës çdo ditë po bën të njëjtin propozim. Nisma Socialedemokrate nuk e përkrahë një gjë të tillë. Ne zgjedhje duhet të shkohet në momentin që qeveria nuk punon, vetëm atëherë duhet të shkohet në zgjedhje. Tani opozita nuk po e lenë qeverinë t’i përfundojë punët e veta. Në zgjedhje nuk duhet të shkohet veç se po i teket dikujt”, u shpreh ajo.

Deputetja e Nismës, thotë se koalicioni aktual nuk ka disponim për zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Sa përket koalicionit nuk ka disponim që të shkohet në zgjedhje. Ndërsa, sa di unë edhe gjendja brenda koalicionit është e mire dhe është duke funksionuar gjithçka si duhet”, ka përfunduar deputetja e Nimës Socialedemokrate, Albulena Balaj-Halimaj për gazetën “Bota sot”.

Njohësi i Kushtetutës flet për propozimin e LDK-së për zgjedhjet, tregon si të veprohet

Ndërsa, njohësi i Kushtetutës, njëherësh dhe profesori universitar, Mazllum Baraliu, ka folur për zhvillimet e fundit në vend. Baraliu, në një prononcim për “Bota sot” duke folur propozimin e LDK-së që vendi të shkojë në zgjedhje, tha se subjektet politike duhet të bisedojnë që të merren vesh me konsensus për një datë të caktuar të zgjedhjeve.

Baraliu, thotë se në këtë situatë se çfarë jemi nga jashtë e nga brenda,  ja vlen që subjektet politike të mblidhen.

Image
Mazllum Baraliu

“Zgjedhjet jo çdo herë kanë efektin e tyre, e aq më tepër me koston e tyre, me humbjen e kohës, me humbjen e trendit në vendimmarrje e kështu më radhë, në realizimin dhe zgjidhjen e problemeve. Qytetarët kanë efektin e duhur dhe duhet të mbahen në kohën e duhur. Në këtë situatë se çfarë jemi nga jashtë e nga brenda, ndoshta ja vlen që subjektet politike e veçanërisht koalicioni qeveritarë i cili e din që nuk e ka shumicën dhe as nuk a ka pasur duhet t’i ofronte edhe palët tjera që të bisedohet që të merren vesh me konsensus për një datë të caktuar të zgjedhjeve”, tha Baraliu.

Profesori universitar, thotë se subjektet politike duhet të merren vesh për caktimin e datës së zgjedhjeve. Sipas Baraliut, nuk duhet vazhduar më me këtë trend të ngërçeve, sepse, sipas tij, ato shkaktojnë dëme të jashtëzakonshme për vendin.

“Subjektet politike duhet të merren vesh për caktimin e datës së zgjedhjeve jo më pak se gjashtë muaj, mundësisht jo më pak se një vit. Të vazhdojë kjo qeverisje, gjithsesi duke krijuar shumicën minimale prej 61 deputetëve dhe të vazhdojnë proceset sepse Kosova ka sfida më të vërtetë edhe rreziqe nga jashtë dhe nga brenda dhe për të mos vazhduar me këtë trend të ngërçeve që tri vite të ndërprerjeve para mandatit sepse shkaktojnë dëme të jashtëzakonshme edhe në vendimmarrje, në zgjidhjen e probleme dhe nevojave të qytetarëve”, përfundoi profesori universitar, Mazllum Baraliu për gazetën “Bota sot”.

Gazeta “Bota sot” ka provuar që të kontaktojë edhe me “Grupin e Deputetëve të Pavarur”, të njohur ndryshe si “GDP”, për të marrë një prononcim lidhur me propozimin e LDK-së, por, kontakti me ta ka qenë i pamundur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat