Akuzat për 1997-tën, Thaçit i vie kundërpërgjigjja nga Shqipëria

Politika

Akuzat për 1997-tën, Thaçit i vie kundërpërgjigjja nga Shqipëria

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 4 prill 2018 Në ora: 12:06
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, në një konferencë për media të shtunën e kaluar, ka hedhur akuza të rënda ndaj shumë personaliteteve shqiptare.

Ndër të tjerash, duke folur për për ekstradimin e shtetasve turq, presidenti ka akuzuar opinionistët në Shqipëri, se me shkrimet e tyre “kanë djegur Shqipërinë në vitin 1997”.

Në pyetjen e gazetarit se si i komenton ai akuzat e opinionistëve në Shqipëri, të cilët për rastin e deportimit të shtetasve turq kanë akuzuar krerët e shtetit të Kosovës, Thaçi ka thënë se akuzat e tyre duhet të mbështeten në fakte.

Ai ka theksuar se “opinonistët shqiptarë që dogjën Shqipërinë në vitin 1997, nuk do të mund të arrijnë këtë kurrë në Kosovë”.

“Të them të drejtën për mua janë shqetësuese akuzat. Mendoj që njeriu kur flet dicka duhet të bazohet në fakte. Nga ajo që unë kam lexuar shumë shkurt, opinionistët nga Shqipëria, të them të drejtën, janë kryesisht zëra dhe njerëz që me zërin dhe shkrimet e tyre, kanë djegur Shqipërinë në vitin 1997. E këtë në Kosovë s’kanë me arrit kurrë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Shahu: Edhe shokët e ilegales së Thaçit, ia kanë vënë flakën Shqipërisë në 1997

Image
Rexhep Shahu

E duke i komentuar këto akuza të Thaçit, opinionisti i njohur Rexhep Shahu, ka thënë se presidenti ka pjesërisht të drejtë me këtë deklaratë. Por, sipas tij, edhe shokët e ilegales së Thaçit, ia kanë vënë flakën Shqipërisë në vitin 1997.

“Thaçi pjesërisht ka të drejtë kur thotë se disa opinionistë në vitin 1997, me una zjarri në duar, ia vunë flakën Shqipërisë, por edhe disa shokë të ilegales së Thaçit ishin me una në duar dhe ia vunë flakën Shqipërisë në 1997. Në Shqipëri i dinë mirë punët e shokëve të Thaçit e të ilegales së tyre, por edhe në Kosovë i dinë edhe më mirë”, ka deklaruar Shahu në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Analisti shqiptar më tej ka akuzuar presidentin se nuk mund të fshihet e as të shpëtojë me kundërakuza për “turpin dhe pabesinë ndaj mësuesve turq”.

“Thaçi nuk mund të fshihet pas gishtit, as nuk mund të shpëtojë me kundërakuza për turpin që bëri që nuk e mbajti besën, por i preu në besë mësuesit turq. Kosova u çlirua e u përkrah nga njerëzit e fjalës së lirë, që demokracia të funksionojë, që kundërshtarët të mos ia dorëzosh Sllobodanit dje e Erdoganit sot. Nuk është e fisme, as e ndershem, as shqiptare kjo prerje në besë”, ka thënë tutje Rexhep Shahu.

Ai ka theksuar se shqiptarët duan Turqinë, por jo diktatorët, duke shtuar se përkrah kërcënimeve të presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan ndaj kryeministrit të Kosovës, “Thaçi po i fërkon duart”.

Thaçi e shteti i Kosovës, ka turpëruar të gjithë shqiptarët, të gjithë racën tonë, për hir të dashurisë së tij për vëllain e tij të madh, Erdogan. Shqiptarët e duan popullin turk, e duan Turqinë, por nuk duan asnjë diktator, nuk duan Turqinë diktatoriale dhe shqiptarët nuk kanë fuqi të luajnë politikë në ndeshjet e niveleve botërore. Aq më tepër nëse qëndrojnë kërcënimet e Erdoganit kundër kryeministrit të Kosovës dhe Thaçi fërkon duart”, ka përfunduar për “Bota sot”, opinionisti Rexhep Shahu.

Baze: Thaç shiti nderin e shqiptarëve tek Erdogani

Image
Mero Baze

Përgjigje akuzave të presidentit Thaçi, u ka dhënë edhe opinionisti tjetër i njohur nga Shqipëria Mero Baze.

Ai në një kolumne dërguar mediave, ka sqaruar se në mesin e atyre që akuzuan presidentin, ishte edhe ai, duke thënë se reagimet e tilla, u bëjnë nder shqiptarëve në Shqipëri dhe në Kosovë.

Ai madje ka akuzuar Thaçin se nderin e ka shitur tek Erdogani.

“Desha të sqaroj dhe Presidentin Thaçi, se reagimi i ashpër që ka ardhur nga disa gazetarë nga Shqipëria për rrëmbimin e gjashtë shtetasve turq në Kosovë, mes të cilëve unë isha ndoshta më i ashpër, u bën nder shqiptarëve në Shqipëri dhe Kosovë, pasi u ruan nderin që politikanë si Thaçi ua shitën tek Erdogani”, ka shkruar Baze.

Ai ka thënë se Shqipëria e  ka tejkaluar vitin 1997, si një ëndërr të keqe, por ajo që po ndodh në Kosovë,  sipas tij, është më keq se viti 1997.

Edhe sipas Bazes, Thaçi ishte më i afërt me ata që dogjën Shqipërinë gjatë vitit 1997, se sa opinionistët shqiptarë.

“Reagimi im, por dhe i kolegëve të mi, nuk ka lidhje me ata që dogjën Shqipërinë në vitin 1997, por me ata që po i vënë zjarrin Kosovës në 2018, duke e kthyer në një Vilajet të Erdoganit dhe duke dëshmuar se nuk meritojnë të jenë shtet i pavarur, pasi janë shtet i pasigurt. Më 1997, më afër me ata që dogjën Shqipërinë ishte vet Hashimi, se sa unë dhe kolegët e mi. Por, Shqipëria e ka tejkaluar vitin 1997, si një ëndërr të keqe, por ajo që po ndodhë në Kosovë, është më keq se viti 1997, pasi nuk është luftë mes shqiptarëve për para e pushtet, por përpjekje për t’i futur në luftë shqiptarët, për parat dhe pushtetin e Erdoganit”, ka shkruar Mero Baze.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat