Koalicion LDK- Vetëvendosje, për ta lënë PDK-në në opozitë

Politika

Koalicion LDK- Vetëvendosje, për ta lënë PDK-në në opozitë

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 6 prill 2018 Në ora: 08:26
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

“Ne vazhdojmë të shpresojmë që subjektet politike nuk do të mashtrohen nga premtimet e tyre në mënyrë që të shkojnë me PDK-në për të bërë marrëveshje si në 2014, e në at të 2017-së, por të vazhdojmë të mbajmë rrugën e përbashkët kundër saj”, thotë për “Bota sot”, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi.

Skandali i fundit i arrestimit dhe deportimit të gjashtë qytetarëve turq, ku dyshohet se është i involvuar edhe presidenti, Hashim Thaçi po konsiderohet si një mundësi e mirë për një mobilizim të përgjithshëm për ç’ kapjen e shtetit nga elemente të PDK-së.

Policia e Kosovës, së bashku me AKI-në dhe në koordinim me shërbimin sekret turk FIT, javën e kaluar arrestuan dhe dëbuan brenda ditës gjashtë qytetarë turq, për të cilin kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj u deklaruar se nuk ka qenë i njoftuar.

Për këtë veprim për të cilin shefi i ekzekutivit deklaroi se nuk ka qenë një dijeni, mori një vendim për të shkarkuar nga detyra ministrin e brendshëm, Flamur Sefaj dhe drejtorin e AKI-së, Agron Gashi.

Por, lirimin e Gashit nga pozita e udhëheqësit të AKI-së po e kundërshton presidenti, Hashim Thaçi.

Sipas Kushtetutës së Kosovës emërimi i drejtuesve të AKI-së, por edhe shkarkimi i tyre bëhet pas një koordinimi të kryeministrit dhe të presidentit.

Kështu që si pasojë e kundërshtimit të presidentit, Gashi mban ende pozitën e drejtorit të këtij shërbim, për kundër vendimit për shkarkim nga ana e Haradinajt.

Deputetë opozitarë dhe analist politik në vend, thonë se kundërshtim nga i pari vendit, pasi që ai dyshohet se vet ka qenë i involvuar në këtë aksion.

Po ashtu sipas tyre, të gjitha institucionet e shtetit udhëhiqen nga njerëz të emëruar të PDK-së.

Për këtë ata thonë se nevojitet një mobilizim i përgjithshëm për të çuar PDK-në në opozitë dhe për të filluar ç’ kapjen e shtetit nga njerëzit e Thaçit.

Image
Ismajl Kurteshi

Shteti nuk mund të ç’ kapet me PDK-në në pushtet

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi duke komentuar çështjen në fjalë thotë se ata dyshojnë se prapa arrestimin të qytetarëve turq, qëndron i pari i vendit.

“Ngjarja e fundit rritin dyshimin se presidenti është i involvuar në këtë punë për të cilin ai po thotë se ka qenë i informuar. Ai është një njeri që ka përgjegjësi, sepse dyshojmë se ai vet është i involvuar në këtë, dhe nëse kjo vërtetohet, atëherë presidenti del të ketë shkel kushtetutën dhe rrjedhimisht duhet të dorëhiqet”, thotë Kurteshi për “Bota sot”.

Sipas tij, shteti është kapur nga militantët e PDK-së dhe ç’ kapja e tij nuk mund të bëhet pa e dërguar këtë subjekt politik në opozitë.

“Ne nuk mendojmë që shteti mund të ç’ kapet pa dal PDK-ja në opozitë, por nuk po shohim diçka serioze në këtë drejtim”, deklaron ai.

Ai thotë se partitë opozitare, por edhe ato në pushtet nuk duhet bërë gabimin e njëjtë për të shkuar në koalicion me PDK-në, siç në dy parë zgjedhjet e kaluara.

“Ne vazhdojmë të shpresojmë që subjektet politike nuk do të mashtrohen nga premtimet e tyre në mënyrë që të shkojnë me PDK-në për të bërë marrëveshje si në 2014, e në at të 2017-së, por të vazhdojmë të mbajmë rrugën e përbashkët kundër saj”, shtoi Kurteshi.

Në zgjedhjet e vitit 2014, PDK-ja doli partia e parë në zgjedhje, por ajo kishte vështirësi për të themeluar Qeverinë, pasi që partitë e opozitës, LDK, AAK, Lëvizja Vetëvendosje dhe NISMA, vendosën që mos të shkonin në koalicion me PDK-në.

Madje, ato nënshkruan një koalicion pas zgjedhor për të formuar institucionet pasi që PDK nuk po arrinte të siguronte shumicën në Kuvend.

Por, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që ia dha të drejtën PDK-së për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, LDK-ja vendosi të shkojë në koalicion me PDK-në, pasi që kjo e fundit pranoi që Isa Mustafa të bëhej kryeministër.

Kurse, në zgjedhjet e 2017, PDK, AAK dhe NISMA së bashku me 16 parti të vogla nënshkruan një koalicion para zgjedhor me Ramush Haradinaj kandidat për kryeministër.

Edhe këtë herë këto parti dolën fituese të zgjedhje, por atyre u mungonin votat për të krijuar shumicën.

Vendi hyri përsëri në krizë institucionale për më shumë se dy muaj. Por, ishte AKR-ja e Behgjet Pacollit që pranoi të shkojë në koalicion pas zgjedhor me partitë e PAN-it në këmbim të marrjes së disa dikastereve qeveritare.

Image
Haki Abazi

Abazi thotë se vendit i duhet një koalicion, LDK-Vetëvendosje

Analisti Haki Abazi, thotë se Kosova është kapur thellë nga krimi dhe sipas tij, mundësia e vetme për të shpëtuar vendin është duke e krijuar një koalicion antikrim.

Ai thotë, se nuk befasohet me skandalin e fundit për depërtimin e gjashtë qytetarëve turq.

“Tani nuk ka qenë dashur të ndodh kjo gjë për të kuptuar se institucionet e shtetit janë të kapura. Kjo është ditur dhe për këtë janë duke folur edhe institucionet ndërkombëtarë dhe BE-ja që sa kohë. Dalja nga kjo situatë mund të bëhet duke bërë një koalicion antikrim dhe anti-korrupsion nga partitë tjera që nuk janë të përfshira në kapjen e shteti”, thotë Abazi për “Bota sot”.

Ai kërkon edhe nga votuesit që të ndëshkojnë pushtetarët aktual që po qeverisin vendin.

“Votuesi në zgjedhjet e reja kurdo që mbahen ato, duhet goditur me votë këtë kastë politike që ka degraduar shtetin dhe ka sjellur procese të dëmshme në raport me shtetet dhe institucionet ndërkombëtare”, deklaron ai.

Ai shton, se një koalicion ndërmjet LDK-së dhe VV-së me qëllim të luftimit të krimit dhe korrupsionit do të ishte i mirëseardhur.

Image
Faton Abdullahu

Abdullahu: Zgjedhjet duhet të mbahen, sa më shpejtë

Nga ana tjetër, publicisti Faton Abdullahu, thotë se me situatën e krijuar në vend, opsioni më i mirë janë zgjedhjet e parakohshme.

“Zgjedhjet duhet të mbahen, sa më shpejtë aq më mirë. Nuk na duhet një Qeveri e cila për veprimet e dikastereve dhe vartësve të saj, informohet në mëngjes nga mediat. Nuk na duhet një Kryeministër që reagon pas kohe dhe mandej ky reagim i tij injorohet dhe paralizohet nga dikush tjetër, me çka na jep të kuptojmë se ai është Krye-ministër i Qeverisë, por nuk është koka e tij”, thotë Abdullahu për “Bota sot”.

Sipas tij, rasti i fundit i depërtimit të qytetarëve turq, i ka dhënë imazh të keq vendit sa i përket integrimeve euro-atlantike.

“Nuk na duhet kjo Qeveri, dhe as këta pushtetarë aktual, të cilët brenda dy ditëve me “rastin gylenistët” i devalvuar e besa edhe i hodhën në baltë pikët pozitive të përfituara mundimshëm të cilat u mblodhën me kalimin e demarkacionit në Kuvend. Tani në vend se Brukseli të na shpërblejë në rrugëtimin tonë drejtë BE-së për demarkacionin e kaluar, ajo tash ka drojën se ky rreshtim antiperëndiomor në krah me Erdoganin kërkon disiplinim konceptual dhe politik ndaj Kosovës gjë që mund të na marr kohë, mund e energji të panevojshme”, thotë më tej ai.

“Për më keq, si mund të bindet tani Brukseli zyrtarë se, këta pushtetarë ky Kryeministër dhe ky President, kështu të pakoordinuar, kështu të papërgjegjshëm, sikundër ishin me “rastin gylenistët’ mund të jenë efikas dhe unik në luftimin e korrupsionit. Kjo është brengosëse, sidomos kur dihet se për t’i përfituar vizat dhe benifitet  tjera nga Brukseli, na ka mbetur edhe një raund politik, ku duhet të jemi sidomos efikas, luftimi i korrupsionit”.

Sipas tij, zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të gjithë të sigurohen që të ja tregojnë vendin Presidentit aktual Thaçi.

“Vendi më i mirë për te është pensionimi. Nuk na duhen zgjedhjet pa këtë paketë ndryshimi. Sepse ekziston rreziku që ai nga pozita e tij nesër, fal rrjetit të krijuar, klaneve dhe rreshtimeve shumë djallëzore, të veproj prapë në atë mënyrë që ta eklipsoj një pjesë të Qeverisë dhe jo vetëm të saj. Zgjedhjet e ardhshme duhet ta organizojnë një “ceremoni mortore politike” për Presidentin aktual. Opozita aktuale e ka borxh para qytetarëve të jetë më përgjegjëse me fleksibile ndër-veti, sepse ajo me mundësinë që e ka për ta rrëzuar këtë Qeveri dhe këtë President, është shpresa e vetme për një Kosovë të re”, shtoi Abdullahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat