“Prokuroria Speciale në shërbim të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit”

Politika

“Prokuroria Speciale në shërbim të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit”

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 10 prill 2018 Në ora: 09:23
Presidenti Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Ngritja e aktakuzës nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, për rastin e njohur si “Pronto”, në të cilin janë të përfshirë njëmbëdhjetë persona që bartin ose kanë bartur funksione të larta zyrtare, po lidhet me luftën kundër korrupsionit dhe krimit, që është kushti i fundit nga Bashkimi Evropian, për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Njohësit e çështjeve juridike dhe politike, vlerësojnë se nëse ky proces gjyqësor kryhet mirë, nuk do të mungojnë poenat pozitivë për liberalizimin e vizave.

Faik Krasniqi, analisti politik, aktakuzën e ngritur e ka ndërlidhur me përmbushjen e kushtit për liberalizimin e vizave, mirëpo ka theksuar se Bashkimi Evropian, është i vetëdijshëm, që aktakuzat “nuk janë të sinqerta”.

Image
Analisti politik, Faik Krasniqi

“Ngritja e aktakuzës ndaj 11 personave për rastin “Pronto”, po bëhet për arsye të “përmbushjes” së kushtit për liberalizimin e vizave. Por, BE-ja është e vetëdijshme që këto aktakuza nuk janë të sinqerta, sepse në fund ata do të dënohen me kusht, ashtu siç janë dënuar më herët edhe ish-zyrtarë të tjerë të akuzuar për krim të organizuar dhe korrupsion”, është shprehur Krasniqi në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, qëllimi i institucioneve tona është të lavdërohen, se gjoja kanë përmbushur kushtin për liberalizim të vizave.

“Qytetarët e Kosovës do ta fitojnë liberalizimin e vizave, por jo duke e plotësuar edhe kushtin për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Institucionet tona do të lavdërohen se gjoja e kemi plotësuar edhe këtë kusht, kurse ata do të shtiren se gjoja e kemi plotësuar këtë kusht”, ka shtuar analisti Faik Krasniqi.

Mendim të ngjashëm ka edhe analisti tjetër politik Skender Zogaj, i cili ka thënë se Prokuroria ka bërë mirë që i është qasur aferës “Pronto”. Ai ka thënë se askush më nuk do të merret me përgojime, pasi siç ka theksuar ai, Gjykata do të kryejë punën e duhur.

“Prokuroria ka bërë shumë mirë që iu ka qasur aferës “Pronto”, sepse ajo pas një buje, ra në heshtje dhe ngjalli dyshime të shumta, sepse, ishte një rast shumë i përfolur dhe po krijonte energji negative të shumta dhe të dëmshme! Tash do të jetë krejt më ndryshe dhe askush nuk mund të merret me pëgojime, sepse Gjykata do të kryejë punën e duhur! Unë mendoj që publiku dhe mediat duhet të tregohen të kujdesshme dhe të mos përpiqen të inerferojnë në zhvillimin e procesit në mënyrë që drejtësia ta thotë fjalën e saj, sepse ka ardhur çasti që të funksionojnë institucionet e shtetit”, është shprehur Zogaj.

Image
Analisti Skender Zogaj

Ai në fund, ka thënë se nëse procesi gjyqësor ndaj zyrtarëve të “Prontos” kryhet mirë, kjo do të ndikojë pozitivisht edhe në liberalizimin e vizave.

“Le të presim të shohim se çfarë do të bëjë drejtësia, sepse, unë jam i bindur se e ka parasysh fatkeqësinë e madhe në të cilën është vendi dhe qytetarët e Kosovës të vetmit në Evropë që nuk lëvizin lirshëm! Drejtësia, dua të besoj se e ka kuptuar që duhet të lirohet nga krimi që e ka penguar dhe i ka shkaktuar shumë fatkeqësi Kosovës. Nëse ky proces kryhet mirë, jam i bindur se poenat pozitivë nuk do të mungojë edhe për liberalizimin e vizave, sepse afera “Pronto” ishte pjesë e fakteqësisë së njerëzve të ndershëm”, ka shtuar Skender Zogaj për “Bota sot”.

Burjani: Aktakuza vetëm skenar

Mirëpo, pesimist se drejtësia do të funksionojë në rastin e quajtur “Pronto”, është shprehur njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani. Duke folur në një prononcim për gazetën, Burjani ka thënë se aktakuza e ngritur është një përpjekje në moton e dështuar kaherë në Kosovë.

Sipas tij, aktakuzat ndaj zyrtarëve të lartë në Kosovë, deri më tani ishin vetëm skenar, pasi të gjithë të akuzuarit në fund janë liruar.

Image
Njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani

“Është përpjekje në moton askush mbi ligjin. Kjo moto ka dështuar kaherë, pasi deri më tani asnjë zyrtar i lartë politik nuk është dënuar me aktgjykim të formës së prerë. Deri më tani ishin vetëm lojëra dhe skenar, pasi në fund të gjithë lirohen. Nuk kam fare besim që do të ketë diçka nga kjo temë , duke pasur parasysh zhvillimin e drejtësisë deri më tash në Kosovë dhe aktagjykimet që asnjëherë nuk janë përfunduar në formën e prerë”, ka pohuar Burjani.

Ai, aktakuzën e ka quajtur lojë mes “politikanëve dhe drejtësisë së kapur”.

Edhe kësaj here, nuk ka gjë fare. Kjo është lojë që vazhdon të mbizotërojë në mes politikanëve dhe

drejtësisë së kapur. Askush nuk beson”, ka thënë Blerim Burjani.

U anashkaluan Thaçi dhe Veseli

Edhe profesori juridik Muhamet Kelmendi, është shprehur kritik ndaj drejtësisë, duke thënë se ajo ka anashkaluar bartësit kryesor të klanit “Pronto”.

Sipas tij, bisedat e regjistruara, nxjerrin Hashim Thaçin dhe Kadri Veseli si udhëheqës, urdhërdhënëse, organizator dhe përfitues të klanit.

Mbi këtë bazë, siç ka thënë Kelmendi, Prokuroria Speciale, ka treguar se është në shërbim të Thaçit dhe Veselit.

“Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës kundër klanit “Pronto”, duke anashkaluar bartësit kryesor të veprimtarisë, është fakt që tregon animet politike të sistemit prokurorial. Pse? Udhëheqësit e tërë grupit, nga bisedimet e regjistruara dhe të paraqitura në mediet elektronike, tregojnë: 1. Udhëheqës de-fakto dhe de-jure është Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. 2. Urdhërdhënës është Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. 3. Organizator i grupit është Thaçi i përkrahur nga Kadri Veseli. 4. Përfitues kryesor është Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Mbi këtë bazë, është treguar nga Prokuroria Speciale, se ky mekanizëm juridik i luftimit dhe hetimit të krimit, është kryesisht në shërbim të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit”, ka pohuar profesori Muhamet Kelmendi.

Grabovci, vegla e “shefave”

Ndërsa, ai i ka quajtur “vegla” të udhëheqësve të lartë të PDK-së, të tjerët e grupit “Pronto”, si Adem Grabovcin, që paraqitet si udhëheqës të grupit.

“Të tjerët në grupin “Pronto” janë vegla, por më e lehtë dhe jashtëzakonisht e pavlerë, është akuza ku paraqitet Adem Grabovci si udhëheqës i klanit. Ky dhe të tjerët janë thjeshtë ekzekutues të urdhrave të dhëna nga udhëheqësit e atëhershëm të PDK-së”, ka thënë më tej Kelmendi.

Ai në fund ka treguar se pse i tërë dokumentacioni i përdorur nga regjistrimet e klanit “Pronto”, nuk kanë vlerë juridike.

Image
Profesori juridik Muhamet Kelmendi

“I tërë dokumentacioni i përdorur nga regjistrimet e klanit “Pronto”, janë kryesisht juridikisht pa vlerë. Dhe ato për disa fakte: 1. Materia është regjistruar ilegalisht, 2. Regjistrimet ilegale nuk kanë asnjë vlerë juridike dhe askund nuk përdoren si prova, 3. Kërkohet që të merret në përgjegjësi subjekti që ka bërë regjistrimin dhe 4. Të hapet procedura kundër mediave që keqpërdoren regjistrimet e bëra dhe të cilat u emituan në media. I thashë këto fakte pro dhe kundër, për të parë gjendjen në sistemin tonë të drejtësisë. Thjeshtë: Në njërën anë, përgjegjësinë e subjektit që ka bërë regjistrimin dhe emitimin e tyre në mediet elektronike dhe në anën tjetër, tregon veprimtarinë e keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe kapjen e shtetit. Vetëm kjo dhe ato provohen nga regjistrimet”, ka përfunduar për “Bota sot”,  juristi Muhamet Kelmendi.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale është përfshirë ish-shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci si dhe 10 persona të tjerë me funksione të larta zyrtare. Të pandehurit akuzohen për vepër penale, se kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar ndërmjet vete, për dhënie të privilegjeve dhe përparësive të kundërligjshme për personat, të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat