Privilegjet e përjetshme të Presidentit, kundërshtohen ashpër

Politika

Privilegjet e përjetshme të Presidentit, kundërshtohen ashpër

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 10 prill 2018 Në ora: 13:49
Hashim Thaçi

Së fundmi në Kuvendin e Kosovës është miratuar Projektligji për Presidentin, i cili parasheh privilegje të përjetshme për të parin e vendit. Në seancën ku ishin të pranishëm 108 deputetë, 78 votuan pro dhe 30 votuan kundër.

Deputetja e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci bëri të ditur se privilegjet e përjetshme për Presidentin i kanë mundësuar edhe ata që kanë abstenuar ose që nuk kanë marrë pjesë në votim.

“Kuvendi sapo votoi Projektligjin nr. 06/L-004 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës, i cili parasheh privilegjet e përjetshme për Presidentin e vendit. Të pranishëm ishin 108 deputetë. Kundër propozimeve për privilegjet e përjetshme për presidentin votuam 30 deputetë, ne të Vetëvendosje sigurisht se jemi kundër. Duhet parë sa më parë transkriptin e votave që të shohim mënyrën e votimit të deputetëve. Privilegjet e përjetshme për Presidentin i kanë mundësuar edhe ata që kanë abstenuar ose që nuk kanë marrë pjesë në votim. Mendja më thotë se ata që e votuan për president, po i mundësojnë tani dhe privilegjet e përjetshme”, ka thënë Nagavci.

Image
Muhamet Kelmendi

“Privilegje në bazë të kushteve”

Se a duhet të ketë privilegje për presidentin, njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se në unionin evropian, presidenti, qeveria dhe parlamentarët kanë privilegje të veçanta me ligj, derisa thotë se është pro privilegjeve, por në bazë të kushteve të Kosovës dhe jo të nivelit që janë caktuar.

“Çdo kund në botë, në shtete të ndryshme parlamentare dhe presidenciale, presidenti, qeveria dhe parlamentarët kanë privilegje të veçanta që ligji ju garanton. Kështu është kudo në Unionin Evropian. Në kontest të gjendjes ekonomike që kalon Kosova, është një pyetje me vend me atë se a duhet të ketë privilegje presidenti. Natyrisht se jam për privilegje por jo të natyrës dhe të nivelit të tillë. Jam për privilegje por në bazë të kushteve ekonomike dhe sociale që i ka vendi. Pra, të ardhurat dhe privilegjet duhet të caktohen kryesisht sipas gjendjes që kemi në Kosovë”, është shprehur Kelmendi.

Image
Blerim Burjani

Ligji të shkojë në Gjykatë Kushtuese

Ndërsa, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, thotë se kjo duhet anuluar pasi nuk duhet të ketë privilegje për presidentin.

“Kjo duhet anuluar, nuk ka askund në bote praktika të tilla, përvoja mbretërore veç, nuk ka as sens as bazë ligjore kushtetuese, sepse kushtetua e jonë shtetin e definon Republikë Parlamentare, jo të bëhen ligje në kundërshtim me Kushtetutën e vendit duke u nisur nga premisa e njerëzve të padijshëm, çka nuk është e definuar dhe me Kushtetutë mund të rregullohet me ligje, edhe ligji për privilegje si i tillë është në kundërshtim me sistemin parlamentar. Në këtë sistem presidenti është simboli dhe ka kompetenca të reduktuara në raport me Kuvendin përderisa Kosova nuk është shtet presidencial, pra duhet ndal logjika zhvatës përfituese përtej gjendjes normale dhe logjike” , është shprehur ai.

Sipas Burjanit, ky ligj i miratuar në Kuvend duhet të shkojë në Gjykatë Kushtetuese.

“Këto gjëra janë absurde që vazhdojnë të ndodhin me të gjithë njerëzit si në kohën e komunizmit s’ka privilegje për shërbim të popullit, ka mandat dhe besim të caktuar që merr nga populli dhe ai asnjëherë nuk është i përjetshëm por është i përkohshëm. Gjëra të tilla zhvatës komunistë vazhdojnë të mbizotërojnë në logjikën e fukarasë dhe zhvatësit si të përfitojnë më shumë edhe atë në mënyrë të përjetshme, në formë diktatoriale vendosin këto kuota interesime ligje. Ky ligj duhet të shkojë në Gjykatë Kushtetuese sikurse edhe ligji për deputetët sepse është bërë praktikë e mbrapshtë të mendojnë se atje sa janë kanë paga të mira kur edhe të mos jenë duhet të kenë paga, kjo logjikë e mbrapshtë e ka bastarduar demokracinë e ka shndërruar në përfitues të pandalshëm por edhe të rrezikshëm”, vlerëson Burjani për “Bota sot”.

Image
Faik Krasniqi

Thaçi, vetëm të këqija i sjelli Kosovës

Kurse, njohësi i çështjeve politike në vend, Faik Krasniqi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se deputetët votuan për privilegje të presidentit, shumicë prej qytetarëve të Kosovës jetojnë në varfëri.

“Deri sa shumica e qytetarëve të Kosovës përballen me probleme të mëdha ekonomiko-sociale, një pjesë prej tyre edhe jetojnë në varfëri të skajshme, pa trajtim të mirëfilltë shëndetësor nëpër spitalet dhe klinikat publike, deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan për privilegjet e përjetshme të Presidentit. Bërjen e presidentit me privilegje ia ka mundësuar edhe pjesëmarrja në seancë e disa deputetëve të cilët nuk kanë votuar, por thjeshtë kanë qenë në sallë. Ata që e votuan për president, po i mundësojnë tani dhe privilegjet e përjetshme. E, aq më pak një Presidenti që përpos të këqijave asnjë të mirë nuk i ka sjellë këtij vendi”, është shprehur Krasniqi për “Bota sot”.

Ndryshe, me këtë Projektligj beneficionet për presidentin që kanë qenë për një periudhë 5 vjeçare bëhen të përjetshme. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat