“Kosova ka vetëm një lojtar me gërshërë në duar, ky është Presidenti Thaçi”

Politika

“Kosova ka vetëm një lojtar me gërshërë në duar, ky është Presidenti Thaçi”

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 10 prill 2018 Në ora: 19:26
Skender Zogaj

Propozime të shumta janë duke qarkulluar në Serbi në kuadër të të ashtuquajturit “dialog i brendshëm për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”, kurse modalitetet, të cilat do ta transformonin prezencën e Beogradit në Kosovë janë nga më të ndryshmet.

Duke folur rreth asaj se përse sa herë që Serbia e kërcënon Thaçin, priten kompromise të dhimbshme për Kosovën, analisti politik Skender Zogaj ka thënë për “Bota sot” se veprimet e deritanishme të kësaj qeverie dëshmojnë se kompromisi i ardhshëm mund të jetë shumë më i dhimbshëm sesa lëshimet e deritashme.

“Propozime të shumta janë duke qarkulluar në Serbi në kuadër të të ashtuquajturit “dialog i brendshëm për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”. Modalitetet, të cilat do ta transformonin prezencën e Beogradit në Kosovë janë nga më të ndryshmet, madje përse sa herë që Serbia e kërcënon Thaçin, priten kompromise të dhimbshme për Kosovën”, ka thënë Zogaj.

Sipas tij, dialogu me Serbinë është nisur mbrapsht, prapa shpinës së institucioneve relevante publikut, që është gënjyer, duke i thënë se po bëheshin “bisedime teknike” e në fakt dialogu siç po e shohim është absolutisht politik.

“Kompromisi më i hidhur ka qenë fusnota e Edita Tahirit, që ka derivuar varg kompromisesh të tjera të dhimbshme, aq sa, tash ballafaqohemi me situatën e lëndimit të pavarësisë dhe sovranitetit nga Serbia, e cila ka pretendime përfitimesh në Kosovë. Ndërsa në lidhje me atë se cilat mund te kenë kërkesat e reja të Serbisë, mund ta dijë vetëm Thaçi, sepse ai i ka marrë gërshërët në duar.”, ka thënë Zogaj.

Analisti politik Zogaj, konsideron se zhvillimet e deritashme kanë qenë me shumë ‘karaxhozllëqe’, dhe sa mund të kuptojmë do të ketë ende, sepse këtij teli është duke i rënë “dialogu i brendshëm serb për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës”.

“Se cili do të jetë efekti i kërcënimeve serbe mbetet të shihet në vazhdim sepse, Kosovë ka vetëm një lojtar, e ky është Presidenti Thaçi, i cili nëse pranon kompromise të reja, atëherë sigurisht se do të jenë  të dhimbshme për Kosovën, dhe Kosova sigurisht se do t’ia shpagojë me mos falje të dhimbshme. Nuk kanë mbetur shumë mundësi për kompromise: o hunin, o tirqit. Por megjithatë mbetet të shihet se çfarë do të merr Serbia e çka Kosova”, ka thënë analisti politik Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat