Vetting-u “thikë e mprehtë” për pushtetarët

Politika

Vetting-u “thikë e mprehtë” për pushtetarët

Suzana Rugova Nga Suzana Rugova Më 10 prill 2018 Në ora: 21:22
Për gazetën ‘’Bota sot”, është deklaruar Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar Ruairi O’Connell. Ai ka bërë me dije se përderisa nga një proces i tillë nuk përjashtohet as Mbretëria e Bashkuar atëherë nuk ka përjashtim as për Kosovën.

“Të gjithë shërbyesit publik në MB kalojnë procedurën e verifikimit. Ata në pozita më të ndjeshme i nënshtrohen një procesi më rigoroz. Vettingu është i nevojshëm për Mbretërinë e Bashkuar dhe e mendojmë si të nevojshëm për çdo vend”, ka thënë  Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar Ruairi O’Connell

Megjithëse Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit,  kishte kërkuar që të ketë proces të Vettingut në sistemin e drejtësisë në Kosovë, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Për analistët, Vettingu është një proces jetik që duhet të ndodh patjetër në Kosovë.

Kjo shihet edhe nga ekspertët si nevojë imediate dhe ligj me rëndësi, pasi që shumë zyrtarëve duhet që t`iu bëhet kontrollimi i prejardhjes së pasurisë.

Procesi i Vettingut në sistemin e drejtësisë në Kosovë është i nevojshëm. Kjo pasi, shumë individë që kanë pozita udhëheqëse nuk e deklarojnë të gjithë pasurinë që e posedojnë e në raste edhe i shmangen këtij obligimi.

Në lidhje me këtë çështje, për gazetën ‘’Bota sot”,  është deklaruar Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar Ruairi O’Connell.  Ai ka bërë me dije se përderisa nga një proces i tillë nuk përjashtohet as Mbretëria e Bashkuar atëherë nuk ka përjashtim as për Kosovën.

 “Të gjithë shërbyesit publik në MB kalojnë procedurën e verifikimit. Ata në pozita më të ndjeshme i nënshtrohen një procesi më rigoroz. Vettingu është i nevojshëm për Mbretërinë e Bashkuar dhe e mendojmë si të nevojshëm për çdo vend”, ka thënë  O’Connell.

Image
Lirim Zorra

Vetting-u  shihet si ‘’kërcënim’’

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Lirim Zorra ka thënë se Vettingu është kërcënim për individët që janë në pushtet.

‘’Kosova duhet të ketë proces të Vettingut për të pastruar individët nga krimet politike dhe po ashtu nga keqpërdorimet ekonomike mbas luftës të cilat kanë ndodhur, patjetër që çdo Vetting i kërcënon njerëzit të cilët kanë ardhur në pushtet me metoda të ndryshme jo etike, po ashtu individë të cilët nuk mund ta arsyetojnë pasurinë e tyre e kanë shumë sfiduese këtë pjesë, sepse karriera e tyre politike do të përfundonte, mirëpo unë dyshoj se do të ndodhë ku proces për disa shkaqe, mungesë e vullnetit politik, inate politike, korruptim i zyrtarëve të Vettingut dhe mundësi i organizimit të përplasjeve individuale për dëshmi ose pazare të cilat i kanë bërë këta individë në mes veti ose grupe të ndryshme kriminale’’, tha Zorra.

Në anën tjetër, avokatja Fehmije Gashi- Bytyqi, Vettingun e vlerëson si hap të rëndësishëm për shoqërinë kosovare pasi që do të forconte besimin në sistemin ligjor dhe zbatimin e tij në Republikën e Kosovës.

Image
Fehmije Gashi- Bytyqi

Të filtrohen zhvatësit e shtetit

 ‘’Vettingu do të ishte hapi më i rëndësishëm për shoqërinë kosovare sepse pastërtia ligjore e prokurorëve dhe gjyqtarëve do të na bënte të besojmë fuqishëm që funksionimi dhe zbatimi i ligjit do të krijonte siguri afatgjate për të gjitha kategoritë e njerëzve në shoqërinë kosovare’’, tha avokatja.

Tutje ajo thekson se procesi i Vettingut do të ishte filteri i duhur për zhvatësit e shtetit të cilët e shkelin ligjin e që nuk janë profesionistë në profesionin e tyre.

‘’Vet fakti që Republika e Kosovës ende pas 19 vjetëve liri nuk arriti të ketë një gjykatë Speciale brenda territorit të saj indirekt tregon se Vettigu do të ishte filter i cili do të eliminonte shkelësit e ligjit edhe jo profesionalistë ata që janë të dobët në profesionin e tyre kështu që rrit cilësinë në zbatim të drejtësisë. Ky filter në start eliminon shkelësit e ligjit tek të pasurit pa bazë ligjore. Sistemi i drejtësisë pjesërisht është i kapur sepse përmenden çdo ditë persona të nivelit të lartë shtetëror të cilët shkelin ligjin por në bankën e të akuzuarve nuk i shohim apo nuk shohim që vuajnë dënimin, por thuhet më mirë vonë se kurrë’’, përfundon avokatja për gazetën ‘’Bota sot’’.

Analisti politik, Blerim Burjani thotë  se moszbatimi i drejtë i Vettingut do të ishte i kotë dhe si i tillë nuk do të nxjerrte asnjë rezultat pozitiv.

Image
Blerim Burjani

Problemi tek legjislacioni në fuqi

Sipas tij, shteti po vuan nga kapja e organeve të drejtësisë nga politika dhe kështu nuk do të funksiononte Vettingu.

‘’Vettingu është i kotë po që se nuk zbatohet si duhet me profesionalizëm, përkushtim për të ndërtuar rend dhe ligj. Problemi esencial në Kosovë qëndron në mos zbatim adekuat edhe të këtij legjislacioni në fuqi, çështja është e qartë,  shteti po vuan nga kapja edhe e organeve të drejtësisë nga politika, kush të zbatoj këtë ligj për Vettingun nëse shteti është i kapur dhe drejtësia kështu si është në Kosovë?  pra gjasat janë shumë të vogla të zbatohen ligjet aktuale dhe Kodi penal dhe ai i procedurës e lëre më ligji për Vetting , nxjerrja e lloj-lloj ligjeve është politikë të mos ketë zbatim fare, të gjithë janë apo mund të jenë pro këtij ligji por problemi është në zbatim’’, përfundon Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat