Kërkohet përjashtimi i Thaçit nga dialogu me Serbinë

Politika

Kërkohet përjashtimi i Thaçit nga dialogu me Serbinë

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 11 prill 2018 Në ora: 18:59
Hashim Thaçi

Fillimi i muajit prill i mblodhi në një tryezë të përbashkët krerët qeveritar mes tyre edhe dy figura të njohura politike, që rrallë herë shihen bashkë duke biseduar për aktualitetin vendor.

Ishte  konferenca “Skenarët e finales së madhe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” ajo e cila i mblodhi bashke Presidentin Thaçi, Kryeministri Haradinaj, nënkryetarin e LDK-së Lutfi Haziri e liderin e VV-së Albin Kurti, ku Thaçi synoi me çdo kusht të krijojë një grup uniteti që i duhet për bisedimet me Serbinë, duke  thënë se është e rëndësishme që të gjithë janë për dialog.

Ai ka thënë,  krijimi i këtij grupi duhet t'i paraprijë miratimi i një rezolute në Kuvend.

Ndërsa lideri i VV-se në këtë tryezë ka qenë konstruktiv duke mos i bërë kritikat e zakonshme në adresë të Thaçit se po e shet Kosovën në bisedimet e Brukselit.

Sipas Kurtit, Prioritet i Kosovës është bashkimi i Mitrovicës, jo ulësja në OKB

“Treg gjysmë miliardë i Serbisë. Varësia e Serbisë për anëtarësim e saj në BE. Dikur Kosova varej nga Serbia, sot Serbia. Reciprociteti i të drejtave midis serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Serbi”, ka thënë lideri i VV-së.

Mirëpo, a duhet dhe a do te krijohet ekipi i unitetit si ka kërkuar presidenti Thaçi për dialogun me Serbinë. Kush duhet ta përbejë këtë ekip dhe kush duhet ta udhëheq atë? A duhet të përjashtohet Thaçi duke marr për baze marrëveshjet e dëmshme qe i ka nënshkruar për shtetin e Kosovës, flasin deputetë dhe analistë.

Image
Korab Sejdiu

Bisedimet me Serbinë - Dështim pas dështimi për Kosovën

Deputeti i pavarur në Kuvendin e Kosovës, Korab Sejdiu, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se Presidenti Thaçi nuk ka kompetenca kushtetuese e as ligjore për të udhëhequr një dialog të tillë.

"Unë që nga fillimi kam thënë se bisedimet me Serbinë janë çështje me interes kombëtar.  Po ashtu kam thënë se bisedimet kanë sjellë dështim pas dështimi për Kosovën, si pasojë e menaxhimit dhe negocimit të keq të këtij dialogu, kryesisht nga Presidenti Thaçi, i cili për shkak të rrethanave personale ka pozitë shumë të palakueshme negociuese.  Rrjedhimisht, duke shikuar kah e ardhmja, kërkohet konsensus i gjerë politik dhe i tërë shoqërisë lidhur me këtë dialog.  Unë besoj që krijimi i një ekipi të tillë gjithëpërfshirës, që nuk kufizohet vetëm në përfaqësues nga politika, do të shkonte në favor të Kosovës.  Dhe natyrisht, pasur parasysh se Presidenti nuk ka kompetenca Kushtetuese e as ligjore për të udhëhequr një dialog të tillë, nuk mund të shërbente në atë funksion, përveç nëse një kompetencë të tillë do ta merrte shprehimisht nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.  Por, sa do që është i rëndësishëm ekipi dhe përbërja, shumë më të rëndësishëm janë faktorët e tjerë, si mos vazhdimi i dialogut pa zbatim të plotë të marrëveshjeve paraprake nga Serbia, platforma e bisedimeve, çështjet që diskutohen dhe ato që janë të rëndësishme për Kosovën, qartësimi i vijave të kuqe për anën tonë, si dhe afati përfundimtarë për këto bisedime. Natyrisht, si përfundim i tërë kësaj nuk mund të jetë krijimi i një konflikti të ngrirë në mes të dy vendeve, por njohja reciproke dhe zotimi obligues, me BE-në dhe SHBA-të si garantues, të mos pengimit të ndërsjellë për përfshirjen e dy shteteve në trupa dhe relacione ndërkombëtare." ka përfunduar Sejdiu.

Image
Lutfi Haziri

Kuvendi të vendos për dialog

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njehërit kryetari i komunës se Gjilanit Lutfi Haziri, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se kushtetua e  definon qarte përfaqësimin e autoritete në këtë raport.

“Konsensusi politik për çështjet që janë në interes kombëtar duhet të jetë sa më gjerë dhe përfaqësimi duhet të jetë me legjitimitet. Natyrisht, Kushtetuta e definon qartë përfaqësimin e autoriteteve edhe në këtë raport, por duke e marrë parasysh sfidën e rëndë që e ka dialogu i Brukselit, duhet një konsensus i gjerë dhe roli i Kuvendit të Republikës si organi më i lartë kushtetues duhet të definohet qartë në këtë raport. Kjo është rruga në të cilën LDK e shef procesin e dialogut në Bruksel” ka përfunduar Haziri.

Image
Lirije Kajtazi

Qeveri pa kredibilitet

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lirije Kajtazi, në një prononcim për ” Bota sot” ka thënë se LDK- fton spektrin politik për një tryeze për dalje nga kriza.

“LDK ku i bënë thirrje spektrit politik për një tryeze për dalje nga kriza në të cilën është futur vendi. Te gjitha do të marrin përgjigjeje aty. Para se gjithash ta lirojmë nga barra e pamundësisë për të qeverisur këtë qeveri që tani më ka humbur kredibilitetin.

Mungesa e transparencës dëmton ekzistencën e Kosovës

Njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare Adlum Ramadani, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se në krye të ekipit të unitetit, primati do duhej t’i ofrohej z. Rifat Jashari, i cili ka karakter karizmatik.

Image
Adlum Ramadani

“Ekipi negociator i dialogut me Serbinë gjithsesi se duhet të ri formatohet përmes ekipit të unitetit, i cili duhet të përfshijë përfaqësues kredibil dhe diplomatë të denjë për të mbrojtur dhe përfaqësuar interesat kombëtare në tryezën e bisedimeve. Deri më tash, shohim se kemi pasur ekipe jo të përshtatshme për të përfaqësuar denjësisht Kosovën në tryezën e bisedimeve, ndërsa mungesa e transparencës padyshim se e ka dëmtuar në tërësi vet ekzistencën e Kosovës brenda dhe jashtë dhomës së bisedimeve. Po qe së bëjmë një “skenim” të akterëve aktual, se cili do duhej të ishte në krye të ekipit të unitetit, padyshim se primati do duhej t’i ofrohej z. Rifat Jashari, i cili ka karakter karizmatik, me histori të gdhendur në tokën kosovare dhe i cili, konsideroj se do plotësonte tiparet e një diplomati të vërtetë dhe të denjë për të përfaqësuar interesat e kosovarëve në tryezën e bisedimeve. Sa i përket përjashtimit të Thaçit nga dialogu, qëndroj i mendimit se do duhej të gjithë ata që kanë qenë pjesë e ekipeve të mëhershme të përjashtohen, për faktin se në bazë të marrëveshjeve të deritanishme, asnjë nuk ka qenë sukses për të cilin do duhej të krenoheshim, përkundrazi, të njëjtat vazhdojnë t’a mbajnë peng Kosovën ndërkombëtarisht” ka përfunduar Ramadani.

Image
Faik Krasniqi

Me rendësi Thaçi të mos e udhëheq ekipin e dialogut

Njohësi i çështjeve politike Faik Krasniqi në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se Thaçi duhet të përjashtohet nga dialogu me Serbinë për shkak të armiqësisë që ka krijuar me shumicën e partive politike shqiptare.

“Dialogu me Serbinë është çështje e interesit kombëtar që kërkon konsensus të plotë politik. Vetëm një konsensus i plotë partive politike shqiptare, garanton që Kosova të nxjerrë maksimumin nga ky dialog. Por armiqësia politike ndaj Presidentit Thaçi nga shumica e spektrit politik në vend është faktor se Presidenti e ka të vështirë, për mos të thënë të pamundur, të shërbejë si mekanizëm për mobilizimin e përkrahjes parlamentare që nevojitet për ratifikimin e marrëveshjeve eventuale që mund të arrihen me Serbinë. Prandaj, Presidenti Thaçi duhet të përjashtohet nga dialogu me Serbinë. 1) Për shkak të marrëveshjeve të dëmshme që i ka nënshkruar për shtetin e Kosovës. 2) Për shkak të armiqësisë që ka krijuar me shumicën e partive politike shqiptare. 3) Për shkak se këtij njeriu nuk i besohet, e aq më pak kur ka të bëj me fatin e Kosovës. Veprimet e tij e sidomos këto të fundit, janë treguesi i qartë se ky njeri për interesa personale është në gjendje ta rrezikojë edhe shtetin e tij. Pastaj ka pak rëndësi se kush e udhëheq këtë ekip”, ka përfunduar Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat