Skandali me mishin, kërkohet përgjegjësi nga institucionet përgjegjëse

Politika

Skandali me mishin, kërkohet përgjegjësi nga institucionet përgjegjëse

Suzana Rugova Nga Suzana Rugova Më 15 prill 2018 Në ora: 18:18
Ilustrim

Shpesh herë bëjnë bujë problemet që lidhen me ushqimet, si: çështja e mykotoksinave në qumësht, kontaminimi i miellit të bukës dhe shumë e shumë shqetësime të tjera. Ushqimet përmbajnë rreziqe të mëdha që vijnë nga kontaminimi me baktere, viruse, parazitë ose substanca kimike.

Deri më sot njihen rreth 220 sëmundje të ndryshme që transmetohen përmes ushqimit. Mikroorganizmat mund të shkaktojnë diarre dhe infeksione tepër të rrezikshme që mund të çojnë deri në vdekje.

Skandali i mishit të konfiskuar nga inspektorët ka shokuar të gjithë konsumatorët që furnizohen me produkte ushqimore në Kosovë.

Megjithëse gazeta ‘’Bota sot’’, ka shprehur interesim të marrë një përgjigje nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë si dhe nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, asnjëra nga këto institucione përgjegjëse për këtë temë, nuk kanë kthyer përgjigje.

Kurse, Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione ka mbajtur tryezën lidhur me çështjen e importimit dhe përpunimit të mishit në Kosovë. Të pranishëm në këtë tryezë për të diskutuar për çështjen e mishit ishin përfaqësues të disa institucioneve dhe përfaqësues të bizneseve vendore që bëjnë importimin dhe përpunimin e mishit.

Konsumatorët të pambrojtur

Deputetja Lirije Kajtazi ka thënë se konsumatori është i pambrojtur. Dyshimet i hedh tek mallrat e importuar por nuk i lë anash as prodhimet vendore.

Image
Lirije Kajtazi

‘’Shumë afera qe po i shohim çdo ditë na rrëfejnë se konsumatori kosovarë është shumë i pambrojtur . Kjo po ndodhë më shumë nga importi i mallrave, por edhe nga prodhuesi vendorë kemi raste’’, ka thënë Kajtazi.

Tutje ajo shton se disa institucione kanë qenë të ftuara në këtë tryezë por që nuk ju ka dukur e arsyeshme të paraqiten dhe ky gjest sipas saj tregon papërgjegjësinë e institucioneve.

‘Ne si komision mbajtëm një tryezë për këtë problematikë, mund ta keni parë se disa institucione ishin ftuar, por nuk e panë të arsyeshme të marrin pjesë. Kjo flet për papërgjegjësinë e institucioneve tona. Nuk mjafton vetëm të shënohet dita ndërkombëtare e konsumatorit pastaj të biejnë në gjumë. Nuk ka kontroll në dogana. Numri i inspektorëve është shumë i ulët. Me Ligj për inspektoriatin sanitar kërkohet një inspektor për 15-25 000 banorë. Ne folëm shumë për mishin e prishur, por mendoj njëjtë është edhe me artikuj tjerë të shumtë, pa lënë edhe atë farmaceutik. Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik nuk guxon të heshtë, ai është sistemi mbrojtës shtetëror AVUK e të tjerë. Shkeljet e tilla janë penale, edhe prokuroria duhet flasë’’, ka thënë deputetja Lirije Kajtazi pwr gazetwn “Bota sot”.

Shumë ligje, zbatim fare

Në anën tjetër, Selatin Kaçaniku nga organizata ‘’Konsumatori’’ cekë se bizneset janë të obliguara edhe me ligj që t’i ofrojnë konsumatorëve produkte cilësore dhe të sigurta.

Megjithëse ekzistojnë mbi 30 ligje në Republikën e Kosovës ato zbatohen shumë pak dhe si pasojë e kësaj rrezikohet jeta e konsumatorëve.

Image
Selatin Kaçaniku

‘’Bizneset janë të obliguara edhe me ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorëve edhe me mbi 30 ligje të tjera që e trajtojnë të drejtën e konsumatorëve që të prodhojnë dhe të ofrojnë në treg prodhime, mallra dhe shërbime të sigurta dhe cilësore. Pra, kjo gjë nuk diskutohet sepse të gjithë i kanë bizneset e regjistruara kanë licenca valide dhe në të gjitha ato letra shkruan se duhet të respektohen ligjet’’. Kosova ka ligje të mira, por problem është se ato ligje nuk zbatohen si e sa duhet.  Sipas disa analizave vlerësohet se zbatueshmëria e ligjeve në Republikën e Kosovës është nën shkallën 40%. Ligji për vezët e konsumit është i hartuar dhe miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2008 ka filluar të zbatohet me 8 vite vonesë. Ligji mbi standardizimet është ligj që duhet t’i rregullojë disa gjëra mbi bazën e vullnetit dhe qëllimit të mirë të biznesmenëve gjë që nuk shkon me këtë mendësi, këtë logjikë tonën që më shumë merret me trimninë e mashtrimit se sa me burrërinë e respektimit të ligjit’’, ka thënë Kaçaniku.

Kërkohet llogari nga institucionet

Në anën tjetër, analisti Mustafë Kadrijaj thotë se që nga paslufta nuk është treguar kujdes ndaj konsumatorëve. Sipas tij, fajtorë janë prodhuesit, qendrat tregtare e më pas importuesit të cilët nuk tregojnë kujdes në produktet që i ofrojnë.

Image
Mustafë Kadrijaj

‘’Që nga pas lufta prodhuesit, qendrat tregtare dhe importuesit nuk kanë pasur kujdes ndaj konsumatorit. Në vazhdimësi ka pasur raste produkte me afat të skaduar, të prishur dhe duke marrë edhe trajtim në qendrat familjare për shkak të infektimit nga këto produkte’’, tha Kadrijaj.

Sipas Kadrijajt, rasti i mishit të prishur që ishte importuar nga një fabrikë belge është alarm për të gjitha institucionet gjegjëse.

Tutje ai ngjallë dyshime edhe tek prodhuesit vendor që sipas tij kanë lidhje të ngushta në politikë dhe gjyqësor e si pasojë e kësaj ata shpëtojnë pa u ‘’lagur’’. 

‘’Rasti i aferës me produkte mishi të importura 12 vite i vjetër duhet të jetë një alaram për institucionet përgjegjëse si dogana, AVUK dhe institucionet e drejtësisë që të marrin hapa konkrete në parandalimin dhe shkuarjen deri në fund që të marrin dënimin e merituar konform ligjeve dhe rrezikut të shkaktuar. Mendoj që rasti i fundit tregoj më së miri për një aleancë të mafioligarkisë në Kosovë pra institucionet në bashkëpunim me bizneset e afërta me pushtetin dhe njerëz të politkës që po shtohen cdo ditë duke dëmtuar qytetarin. Pra aferat e fundit kanë krijuar një panikë tek qytetari që nuk dinë se ku të furnizohet sepse qytetari nuk beson më në këto institucione sepse më së paku këto institucione dhe këta tregarë e kanë shëndetin e qytetarit’’, ka thënë analisti.

Kadrijaj thekson se rasti me mishin mund t’i largojë investitorët dhe mund të ndikojë në prishjen e imazhit të Kosovës.

Ndërkaq zgjidhjen e këtij problemi e sheh vetëm duke marrë hapa konkret përmes drejtësisë dhe jo mbi bazën e ndërgjegjësisë.

Përmirësimi i kësaj gjendje nuk bëhet mbi bazën e ndërgjegjjes por duke marrë hapa konkret dhe duke e dhënë fjalën e fundit drejtësia që fajtoret të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënime kapitale sepse kjo katrahurë institucionale po e dëmton cdo ditë imazhin e Kosovës para miqve dhe investitorëve të huaj si një vend që ligjet i kanë dy standarde zbatim 100% për qytetarin dhe formalitet për njerëzit e pushtit dhe njerëzve dhe bizneseve të afërta me pushtetin dhe partitë pulitke’’, ka thënë Kadrijaj për gazetën ‘’Bota sot’’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat