Pushtetarët fajtorët kryesor për vlerësimin negativ të Kosovës në Raportin e Progresit - Bota Sot
Pushtetarët fajtorët kryesor për vlerësimin negativ të Kosovës në Raportin e Progresit

Politika

E hënë, 16 korrik 2018

Pushtetarët fajtorët kryesor për vlerësimin negativ të Kosovës në Raportin e Progresit

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 16 prill 2018 Në ora: 21:19
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli

Paralajmërimi i anëtarit të Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, Eduard Kukan se Kosova nuk duhet të pret raport pozitiv nga ana e Komisionit Evropian me publikimin e Raportit të Progresit, nuk përbën lajm.

Lajmi do të ishte sikur Kukan të thoshte se Kosova ka bërë progres në luftimin e korrupsionit, sundim të ligjit, rritje ekonomike, etj.

E pse Kosova nuk po arrin të shënojë progres në fushat e lartë përmendura, fajin kryesor e kanë politikanët tanë që tërë ditën gojën e kanë plotë fjalë për integrim të Kosovës në BE, e në anën tjetër veprimet që ata i ndërmarrin shkojnë në drejtim të kundërt me deklaratat e tyre.

Prej pas luftës, të gjitha partitë politike pa dallim, që kanë qeverisur qoftë në nivel lokal apo qendror, ardhjen e tyre në pushtet e kanë parë më shumë si mundësi për të përfituar personalisht vet dhe rrethi i tyre i ngushtë se sa për të qeverisur në të mirë të qytetarit.

Por, e keqja e kësaj është se edhe Qeveria aktuale e udhëhequr nga Ramush Haradinaj nuk është se ka ndërmarrë ndonjë reforme për të përmbysur këtë praktik të mbrapsht të qeverisjes.

Madje, ekzekutivi Haradinaj është një ndër përgjegjësit kryesor pse Kosova do të vlerësohet negativisht në Raportin e Progresit për vitin 2017, pasi që ai është në krye të Qeverisë prej shtatorit të vitit të kaluar.

E Gjatë kësaj kohe kanë ndodhur disa veprime skandaloze që sot Kosova po vlerësohet negativisht nga ana e Komisionit Evropian.

Njëri ndër këto veprime është vendimi i ministrit të Arsimit, Shyqyri Bytyqi për shkarkimin e bordit të Agjencisë së Kosovës për Arsim, me urdhër të kryeministrit Haradinaj. Shkarkimi i këtij bordi, çoi në përjashtimin e AKA-së nga Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë (EQAR).

Tentimi për shfuqizimin e Gjykatës Speciale në mbrëmjen e së premtes së 22 dhjetorit, pas kërkesës së 43 deputetëve nënshkruar të partive të koalicionit qeverisës, PAN ka dëmtuar shumë imazhin e vendit. Madje, kjo e ka vënë në pikëpyetje edhe orientimin perëndimor të Kosovës.

Emërimi i më shumë se 70 zëvendësministrave që janë kryesisht militantë partiakë të partive të koalicionit PANA, është një argument shtesë që Kosova të vlerësohet negativisht në Raportin e Progresit.

Përjashtimi i ekspertëve britanik për emërim të gjashtë anëtarëve të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe Bordit të Trepçës pa dyshim që i jep një notë negative Kosovës, pasi që me memorandumin e nënshkruar mes Qeverisë, Kuvendit dhe Ambasadës Britanike, ekspertët e lartë cekur do të kontribuonin në përzgjedhjen e njerëzve kredibil në pozita të larta shtetërore.

Qeveria Haradinaj e përbërë nga ministra me aktakuzë për korrupsion dhe vepra të tjera penale, është një fakt tjetër që zyrtarët e Brukselit kanë argumente për të vlerësuar negativisht Kosovën në rrugën e saj për liberalizimin e vizave dhe integrimin e saj në BE.

Këto janë vetëm disa nga veprimet skandaloze të institucioneve tona, pa e përmendur dështimin e Kosovës për të ndërtuar një shtet ligjor me një drejtësi të pavarur ku askush nuk do të jetë mbi ligjin.

Andaj, paralajmërimi i Eduard Kukan se Kosova do të vlerësohet negativisht në Raportin e Progresit nuk përbën lajm për qytetarët e Kosovës.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test