Ministrat me aktakuza dhe raporti i regresit

Politika

Ministrat me aktakuza dhe raporti i regresit

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 18 prill 2018 Në ora: 17:56
Pal Lekaj, i cili aktualisht është ministër i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, akuzohet për dy vepra penale të përvetësimit në detyrë dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Kriteri i dytë për Liberalizimin e vizave po vazhdon të jetë i paplotësuar. Këtë e dëshmon edhe raporti i Progresit i publikuar së fundi. Në dokumentin e përpiluar nga Komisioni Evropian, Kosovës i bëhet e ditur se duhet të forcojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, deri në momentin që Parlamenti dhe Këshilli i Evropës do ta miratojnë heqjen e vizave.

Veprimet e Qeverisë aktuale në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar lënë për të dëshiruar.

Kryeministri Haradinaj, brenda qeverisë së tij, ka edhe ministra me aktakuza të ngritura. Tre Ministra të kësaj Qeverie kanë probleme me drejtësinë, si të dyshuar për afera të ndryshme që kanë të bëjnë me keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsion.

Kur kishte bërë nominimin e personave për Ministra, Ramush Haradinaj, kishte zgjedhur që të mos i shikonte biografitë e tyre. Në këtë mënyrë, kishte nominuar për Ministër të Inovacionit,  njërin prej protagonistëve të aferës “Pronto2”, rast ky që ka dëmtuar rëndë imazhin e institucioneve të Kosovës.

Ndaj Beqajt dhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë të PDK-së, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë, pikërisht për aferën “Pronto2”.

Haradinaj, nuk kishte shikuar as një biografinë e Pal Lekajt, të cilin e kishte bërë Ministër të Infrastrukturës.

Ditë më parë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj.

Pal Lekaj, i cili aktualisht është ministër i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, akuzohet për dy vepra penale të përvetësimit në detyrë dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, në kohën kur ishte kryetar i Gjakovës.

E pavarësisht kësaj, Kryeministri i vendit ende nuk ka ndërmarr ndonjë masë ndaj ministrave të akuzuar. Për rrjedhojë, ata vazhdojnë ta kryejnë punën e tyre normalisht, ani pse mbi ta rëndojnë akuza për keqpërdorime të detyrës zyrtare.

Se Kosova ka ngecur në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, e kanë deklaruar edhe zyrtarë të lartë të shteteve mike, gjatë vizitave zyrtare.

Fatkeqësisht, luftimi i krimit dhe korrupsionit bëhet i pamundur kur kjo kërkohet nga njerëz që janë të korruptuar apo kanë aktakuza të ngritura nga Prokuroria.

Pa dëgjueshmëria e institucioneve të Kosovës sa i përket kësaj çështjeje, po rezulton me raporte negative për shtetin.

Korrupsioni në Kosovë i ka rrënjët e thella, andaj edhe është bërë i vështirë luftimi i tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat