Formimi i ushtrisë peng i Asociacionit

Politika

Formimi i ushtrisë peng i Asociacionit

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 19 prill 2018 Në ora: 08:04
FSK

“Unë nuk e besoj se në vitin 2018 do të jetë e zgjidhur çështja e formimit të ushtrisë së Kosovës. Nuk po shihet se kemi diçka konkrete, pa u zgjidhur çështja e Asociacionit të Komunave e cila do të zgjatë më muaj të tërë  dhe në këtë rast është njëra prej atyre që e nisë zanafillën krijimit të ushtrisë, por unë nuk po shohë që është duke u parë afër zgjidhja e çështjes së ushtrisë së Kosovës”, ka thënë deputeti i LDK-së, Ramiz Kelmendi për “Bota sot”.

Formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, vazhdon të jetë ndër  temat më të diskutuara në vend.

Në kuadër të kësaj, po thuhet se formimi i ushtrisë do të jetë i pa mundur për shkak të kundërshtimit të Listës serbe dhe çështjes se pa zgjidhur të Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë.

Fundi i këtij muaji është afati që ka vënë Qeveria për procedimin e Projektligjit për Forcat e Armatosura të Kosovës. Megjithëse nuk kanë treguar prerë nëse këtë herë e kanë përnjëmend, zyrtarë qeveritarë janë shprehur optimist se do të përmbushet agjenda legjislative. Qeveria e Kosovës, nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e dërguara, por zyrtarë të saj jo zyrtarisht kanë thënë se fundi i vitit, Kosovës do ti sjell edhe ndryshimet e nevojshme që Forcat e Armatosura të themelohen.

Por, në opozitë kanë shprehur dyshime se kjo mund të jetë vetëm një “lojë” e radhës me ushtrinë e Kosovës.

Image
Rexhep Selimi

Rexhep Selimi, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë për “Bota sot” se  nënshtrimi i Qeverisë së Kosovës ndaj Listës Serbe do të pamundësojë edhe formimin e Ushtrisë se Kosovës, e sidomos kushteve të Beogradit.

“Tash e katër vite ka vetëm fjalë dhe asgjë më shumë për Ushtrinë e Kosovës. Formimin e Forcave të armatosura të Kosovës nuk mund ta bëjnë ata që iu nënshtrohen kushteve të Beogradit. As Thaçi, as Mustafa e as Haradinaj nuk mund ta bëjnë Ushtrinë e Kosovës përderisa iu nënshtrohen kushteve te Serbska-s” ka thënë shkurt Selimi.

Derisa qeveria Haradinaj po konsideron se janë gjithnjë e më afër formimit të FAK-ut. Por, kështu nuk po mendojnë edhe nga opozita.

Sipas këtyre të fundit, as në vitin 2018, nuk do të jetë e zgjidhur çështja e formimit të Forcës së Armatosur.

Image
Ramiz Kelmendi

Anëtari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës nga radhët e LDK-së, Ramiz Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot”, tha se çështja e formimit të ushtrisë se Kosovës po mbahet si një lloj tensioni qytetarë në emër të një pune që kinse po punohet shumë.

“Ushtria mund të formohet me ndryshimet kushtetuese ose edhe deri sa të zgjidhet çështja e statusit të Kosovës, por realisht kjo po mbahet si një lloj tensioni qytetarë në emër të një pune që kinse po punohet shumë për formimin e ushtrisë së Kosovës. Në momentin që ne mund t’i bëjmë ndryshimet kushtetuese ose  të zgjidhim çështjen e statusit, ushtria është pjesë shtet formuese dhe menjëherë mund të formohet, nuk është problem kjo punë”, u shpreh deputeti Kelmendi.

Deputeti i LDK-së këtë po e konsideron si problem i mospunës së mjaftueshme për të mbuluar mungesën e disa ndodhive tjera në vend.

“Më shumë është problem i kohës, i papunës së mjaftueshme apo për të mbuluar mungesën e disa ndodhive tjera si zhvillimin ekonomik i cili nuk është në nivelin e duhur, njerëzit kanë nevojë për të pasur zhvillim ekonomik, rritjen e punësimit. Ju e keni parë se tani është rritur papunësia, pak a shumë po merren me çështje që janë të rëndësishme, por që nuk varën nga pjesa e institucioneve sot për sot”, është shprehur Kelmendi.

Kelmendi nuk beson se në vitin 2018 do të jetë e zgjidhur çështja e formimit të ushtrisë së Kosovës.

“Unë nuk e besoj se në vitin 2018 do të jetë e zgjidhur çështja e formimit të ushtrisë së Kosovës. Nuk po shihet se kemi diçka konkrete, pa u zgjidhur çështja e Asociacionit të Komunave e cila do të zgjatë më muaj të tërë  dhe në këtë rast është njëra prej atyre që e nisë zanafillën krijimit të ushtrisë, por unë nuk po shohë që është duke u parë afër zgjidhja e çështjes së ushtrisë së Kosovës”, përfundoi deputeti i LDK-së, Ramiz Kelmendi për “Bota sot”.

Formimi i Ushtrisë që nuk po realizohet tash e sa vite, po paralajmërohet se do të jetësohet shumë shpejt. Këtë po e thotë zv/kryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli. Ai në një postim në facebook ka paralajmëruar se Ushtria e Kosovës do të formohet së shpejti.

Këtë shkrim e ka shoqëruar edhe me një fotografi, ku prapa Pacollit janë dy anëtarë të FSK-së.

“Nuk janë të shumtë që flasin për ta, por ata e meritojnë të gjithë respektin. Po flas për anëtarët e FSK-së mbrapa meje, të cilët edhe së shpejti do të jenë ushtri!”, ka shkruar Pacolli.

Por, problem kryesor për transformimin e FSK-së tash e sa vite ka qenë Lista Serbe, të cilët edhe në deklaratat e fundit kanë thënë se nuk do të votojnë ndryshimet kushtetuese.

Mundësi e vetme mbetet ajo përmes ndryshimit të ligjit të FSK-së, ku kësaj force vetëm do t’i zgjeroheshin kompetencat.

Formimi i Ushtrisë ka qenë njëri nga premtimet kryesore të kryeministrit Haradinaj gjatë fushatës parazgjedhore.

Image
Muhamet Kelmendi

Muhamet Kelmendi, njohës i çështjeve juridike ka thënë për “Bota Sot” se rrugët e ndërtimit të ushtrisë se Kosovës janë dy, së pari ndryshimet kushtetuese dhe së dyti formimi i ushtrisë me ligjin për FSK-në.

“Tashmë dihet se rrugën e ndërtimit de-jure të Ushtrisë se Kosovës janë dy mënyra ligjore. Se pari, është rruga e ndryshimeve kushtetuese ku kërkohen 2/3 e deputeteve për ndryshim. Këtu duhet qe edhe 2/3 e deputeteve të minoritetit serb të votojnë.

Se dyti është formimi i ushtrisë me ligj, gjë që e lejon sistemi kushtetues i Kosovës. Këtej del se Qeveria e Kosovës ka mundësi juridike që nëpërmjet këtyre dy formave të formoj ushtrinë” ka thënë Kelmendi.

Sipas tij, në mënyrën e parë lypset ndryshimi i Kushtetutës me 2/3 e të gjithë deputeteve. Në rastin e dyte kërkohet një shumicë relative. Pra, juridikisht ka mundësi dhe Kelmendi thotë se pret që deri në fund të vitit të ndërtohet ushtri. Nëse kjo nuk behët kemi qalim të Qeverisë në ketë anë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat