Sfarqa: Pushteti i cili nuk arrin rezultate të prekshme për ta ngritur mirëqenien e qytetarëve, nuk ka pse ta mbajë peng vendin

Politika

Sfarqa: Pushteti i cili nuk arrin rezultate të prekshme për ta ngritur mirëqenien e qytetarëve, nuk ka pse ta mbajë peng vendin

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 19 prill 2018 Në ora: 15:40
Muharrem Sfarqa

Komisioni Evropian ka publikuar të martën, me17 prill në Strasburg, Raportin e Progresit për vendet që synojnë integrimin në Bashkimin Evropian.

Në publikimin e Raportit të Progresit, thuhet se Kosova do të vazhdojë bashkëpunimin në marrëveshjen e MSA-së si dhe pritet respektimi i marrëveshjeve të arritura në dialogun me Serbinë.

Raporti ka bërë të ditur se duhet nevojë më e madhe për luftim të krimit të organizuar dhe të korrupsionit, duke mos dhënë kështu shpresa për liberalizim të shpejtë të vizave për kosovarët. Në raport po ashtu thuhet se administrata dhe gjyqësori janë të ndikuar nga politika.

Lidhur me këtë çështje ish kryetari i komunës së Ferizajt, njëherit anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muharrem Sfarqa, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se pushteti aktual duhet të kërkojë ndjesë dhe të shkojë, për t’ua lënë radhën atyre forcave që mund t’i bëjnë me sukses këto detyra.

“Gjetjet e Raportit për Kosovën, iu adresohen të gjithë kosovarëve, por në radhë të parë elitave të këtij vendi (elitës politike, intelektuale, ekonomike, kulturore etj). E gjithë shoqëria është përgjegjëse për zhvillimet në vend, prandaj edhe për ngecjet e proceseve, por përgjegjësinë kryesore e bart pushteti politik, legjislativ dhe ai ekzekutiv, i cili është lokomotiva e shoqërisë. Pushteti i cili nuk bën hapa të dallueshëm për ndërtimin e shtetit ligjor, për shtytjen përpara të proceseve të rëndësishme për forcimin e shtetësisë, për respektimin e të drejtave të njeriut, për funksionimin e mirë të të gjitha niveleve pushtetore, si dhe nuk arrin rezultate të prekshme për ta ngritur mirëqenien e qytetarëve, nuk ka pse ta mbajë peng vendin. Ai pushtet duhet të kërkojë ndjesë dhe të shkojë, për t’ua lënë radhën atyre forcave që mund t’i bëjnë me sukses këto detyra”, ka thënë Sfarqa

Ky dokument është pjesë e paketës vjetore të zgjerimit të Bashkimit Evropian ku pritet të tregohet përparimi që kanë bërë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia, në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE.

Raporti i Progresit i vitit 2016 pati ngritur shumë vërejtje për punën e institucioneve të Kosovës. Aty u patën ngritur shqetësime në lidhje me përplasjet e vazhdueshme në Kosovë mes të partive politike në pushtet dhe opozitë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat