Shtabi i Rognerit, bandë e gjuetisë së markave me të cilat kreu vrasjet politike

Politika

Shtabi i Rognerit, bandë e gjuetisë së markave me të cilat kreu vrasjet politike

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 21 prill 2018 Në ora: 09:45
Xhavit Haliti, Kadri Veseli, Hashim Thaçi dhe Azem SYla

“Si u pasuruan pjesa më e madhe e komandantëve të UÇK-së? Me të hollat e bashkatdhetarëve që i kemi mbledhur për luftën u vranë edhe shumë figura politike, ushtarake, gazetarë që nga komandanti dhe Ministri i Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi, Ali Ukaj, Xhemail Mustafa, Bardhyl Ajeti, Komandant Drini...Po edhe lista e vrasjeve për eliminimin e figurave politike, po ashtu ishte nga përfaqësues të ish- Shtabit të vet emëruar të UÇK! Këta kriminelë duhet të përgjigjen para drejtësisë për të gjitha të zezat që i sollën vendit dhe popullit!”, ka thënë Osman Ferizi ish- bashkëluftëtar i Komandant Sali Çekajt.

Sa herë që shënohen përvjetorë të betejave të ndryshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në opinion publik shfaqen tema të cilat përmbajnë në vete enigma të ndryshme.

Beteja e Koshares, edhe pse një betejë luanësh, e pastër dhe me plot trimëri, vazhdon të mbartë në vete plot pikëpyetje, sa i përket disa temave që shumë figura politike i serojnë në opinion duke i zbuluar, tash e pas 18 viteve.

Ishte deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherit, ish- ushtar në luftë, Anton Quni i cili në një emision televiziv, duke biseduar rreth Betejës së Koshares dhe Luftës se UÇK-së, deklaroi se në verën e viti 1998, ministri i mbrojtjes i asaj kohe, kolonel Ahmet Krasniqi i ka ndarë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mjete financiare me vlerë 7 deri ne 8 milionë marka.

E këto para sipas Qunit, i kishte marrë nënkryetari  i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, i cili asnjëherë që nga pas lufta nuk e ka bërë të ditur se nga qeveria Bukoshi, ka marrë shuma të konsiderueshme parash, që ishin paraparë për nevoja emergjente të UÇK-së, mirëpo asnjëherë që nga vera e vitit 1998 nuk u bënë të ditura se nga u tretën.

Deklaratat e deputetit Anton Quni, bëri që në seancën e Kuvendit të Kosovës që ishte përcaktuar te mbahej një ditë pas debatit televiziv, Xhavit Haliti të startonte seancën me  mllef dhe akuza të ashpra kundrejt deputeti Anton Quni.

Ai e quajti deklaratën e deputetit të LDK-së si “rrenë e kulluar”

“Një deputet i Kuvendit të Kosovës ka gënjy dje publikisht, më mirë të them mbrëmë në një emision televiziv përmes të cilit ka thënë se mu mi ka dhënë dikush 8 milionë marka, kinse mi ka dhënë Ahmet Krasniqi. Është gënjeshtër e kulluar”, ka thënë Haliti.

Tutje, nënkryetari i Kuvendit i kërkoi Qunit të dëshmonte nëse vërtet kishte marrë 8 milionë marka e, nëse kjo do të ishte e vërtetë, Haliti tha se do të jepte dorëheqje.

“Është gënjeshtër prej atyre kuzhinave të tyre dhe nuk është mirë me përdor emrin e Ahmet Krasniqit të ndjerë, në qoftë se ki argumente zotëri i nderuar që po i jep vetit zor që din diçka për UÇK-në edhe ke qenë diku në UÇK, unë po të them se nëse i kam marrë 8 milionë marka, unë prej sot nuk jam në këtë Kuvend, në qoftë se ti ke gënjyer a je i gatshëm me dhanë dorëheqje, nëse ki argumente që unë i kam marrë 8 milionë”.

Kur i tha të gjitha çfarë kishte, Haliti i dha dy minuta deputetit të LDK-së për t’u sqaruar.

Quni tha, se për këto para kishte folur edhe më herët, mirëpo e pranoi që nuk ishte i sigurtë nëse ishin 6,7, apo 8 milionë marka. Tutje, Quni deklaroi se do të prezantojë fakte të tjera.

Ai u zotua se do të siguronte prova që do të dëshmojnë atë që kishte deklaruar.

“Unë nuk e di çka ka të keqe nëse ky fond është ndarë për ndihmë të UÇK-së. Nuk është asgjë sekrete nuk jam i vetmi që e kam thënë, kanë folë për këtë çështje edhe shumë të tjerë, të idealit, të partisë, të organizimit. Por nëse ju dëshironi fakte edhe më shumë unë do të siguroj. Tani nuk jam i sigurt a janë në pyetje 6,7,8, por mundem me i siguru të gjitha faktet edhe protagonistët që të saktësojmë me ditë, me datë, me ngjarje me vend etj. etj., që ju këtë shumë e keni pranuar personalisht me autorizimin e kolonel Ahmet Krasniqit”, tha deputeti i LDK-së.

Për më shumë se 3 ditë gazeta “Bota sot”, ka provuar të kontaktojë me deputetin Xhavit Haliti lidhur me këtë çështje, mirëpo ai nuk është përgjigjur.

Ndërsa, deputeti tjetër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni duke folur për “Bota sot”, ka treguar se do te jetë kuvendi institucion, ku përsëri do të debatohet për këtë temë.

Image
Mero Baze

Ahmetin e vranë kundërshtarët e tij

Gazetari dhe kolumnisti, i njohur Mero Baze në një interviste për “Bota sot” pati thënë se arsyet e vrasjes se kolonel Ahmet Krasniqit ishin rivaliteti politik dhe çështje financiare.

“Kolonel Ahmet Krasniqin e vranë kundërshtarët e tij, në bashkëpunim të hapur me disa struktura të shërbimit sekret shqiptar. Në një farë mënyre shteti shqiptar i la ata ta vrisnin duke i garantuar që nuk do t’i gjente gjë. Arsyet në dukje janë rivaliteti politik, por druaj se është dhe çështje financiare” ka thënë Baze.

Image
Sefedin Krasnqi

Beteja e Koshares e pastër si loti

Publicisti Sefedin Krasnqi, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se nuk ka asgjë politike, por ka një hapje të shtegut, sepse nuk mund të varrosets një "tradhtar" me ceremoni ushtarake.

"“Beteja e Koshares" është beteja më e madhe dhe më e njohur e UÇK-së. Antoni nuk ka nevojë fare t'i bëjë publicitet për nevoja politike. Ai e ka thënë një të vërtetë të fortë sa i përket Xhavitit. Kosharja nuk është aspak e mjegulluar, por e pastër si loti dhe si gjaku i 113 dëshmorëve të saj. Kjo propagandë që po bëhet e ka qëllimin e caktuar. Komandantët e Kosharës, sipas të gjitha gjasave do ta rivarrosin, Ahmet Krasniqin, sivjet në Koshare, në ballë të 113 dëshmorëve. Varrimi i tij pa përcjellëse të ceremonisë së FSK-së, nuk është i mundur aq më tepër që ministër i mbrojtjes është Rrustem Berisha. Prandaj, tash, janë të detyruar ata që deri dje i kanë thënë tradhtar, t'i thonë BAC e hero. Duhet hapur rruga disi. Asgjë politike nuk ka, por ka një hapje të shtegut, sepse nuk mund të varroste një "tradhtar" me ceremoni ushtarake” ka thënë Krasniqi.

Nga Fondi i “Vendlindja Thërret”, si u pasuruan pjesa më e madhe e Komandanteve të UÇK?

Ish- bashkëluftëtari i Sali Çekajt, Osman Ferizi për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Azem Syla, Xhavit Halitit, Adem Grabovcit, e Rafet Rama duhet të përgjigjen para drejtësisë për të gjitha të zezat që i sollën vendit dhe popullit.

Image
Osman Ferizi

Tutje, Ferizi theksoi se fondi i 3% ishte i centralizuar dhe i kontrolluar mirë dhe përgjegjësit për defekte apo shpërdorim janë lehtë të dihen ( B.Bukoshi dhe I.Mustafa).

“Unë isha pjesë dhe anëtar i Komisionit Qendror të 3% për Gjermani, isha pjesë e grupeve të para Guerile të udhëhequra nga komandant Sali Çekaj, isha po ashtu pjesë e grupit që kaluam kufirin në dhjetor të 1991 nën drejtimin e kom. Sali Çekaj, kisha mbledhur mjete financiare për grupin Gueril të Adem dhe Hamëz Jashari në vitin 1996/97, kështu që isha shume mirë i informuar, isha hyrë në Kosovë në maj të vitit 1998 me 90-veta si përfaqësues i fshatit të Strellcit. Sa i përket fondeve që kanë vepruar mund të them se Fondi i 3% ishte i centralizuar dhe i kontrolluar mirë dhe përgjegjësit për defekte apo shpërdorim janë lehtë të dihen( B.Bukoshi dhe I.Mustafa), ndërsa për Fondin “Vendlindja Thërret” ishte një Fond i themeluar nga LPK dhe mënyra e mbledhjes me çeçe dhe blloka (fletëpagesa) ishte shume abuzive, cili do mund të posedonte ato çeçe që të mblidhte mjete, ato mjete që u mblodhën në dy Fonde të veçanta në Zvicër nga Jashar Salihu dhe në Gjermani nga Ibrahim Kelmendi, që të dy kanë qenë të bindur dhe te nënshtruar të Azem Syles, Xhavit Halitit, Adem Grabovcit, që mjetet i dërgonin sipas preferencave dhe lidhjeve të tyre të interesit. Vetë fakti që u vra Ilir Konushevci në një pritë të përgatitur nga SHIK-u, konflikti në mes të Rafet Rames dhe Xhavit Halitit të jap të kuptojmë për abuzimet dhe keqpërdorimet e tyre. Ku shkuan 4-milion DM që vëllai i Hashimit-Gani Thaçi i merr në Vjenë nga Ibrahim Iberdemaj nga Fondi i “Vendlindja Thërret”? Si u pasuruan pjesa më e madhe e Komandantëve të UÇK-së? Me të hollat e bashkatdhetarëve që i kemi mbledhë për luftën u vranë edhe shume figura politike, ushtarake, gazetarë që nga komandanti dhe Ministri i Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi, Ali Ukaj, Xhemail Mustafa, Bardhyl Ajeti, Komandant Drini...Po edhe lista e vrasjeve për eliminimin e figurave politike, po ashtu ishte nga përfaqësues të ish Shtabit të vetë emëruar të UÇK! Këta kriminelë duhet të përgjigjen para drejtësisë për të gjitha të zezat që i sollën vendit dhe popullit!”,  ka thënë Osman Ferizi ish bashkëluftëtar i Komandant Sali Çekajt.

“U financuan krimet politike”

Analisti politik Skender Zogaj, për “Bota sot” ka thënë se me fondin e 3% janë financuar krimet e shumta, e ndër to vrasjet politike, ku përgjegjës për të është Bujar Bukoshi.

Image
Skender Zogaj

 

“Milionat e parave janë e vetmja e vërtetë dhe ideali kryesor i Shtabit të UÇK-së së krahut anti institucional, të komanduar nga hotel Rogneri i Tiranës, që ka qenë çerdhja e të gjitha të këqijave që i kanë ndodhur përpjekjes institucionale dhe gjithë popullore për çlirimin e Kosovës. Shtabi i Rognerit, në bashkëpunim me rrjetin e SHISH-it enverian, kanë qenë banda e gjuetisë së markave dhe këtij qëllimi ia kanë arritur me shumë sukses sepse, kanë futur në veprim gangsterët e shumtë me prirje të forta kriminale të cilët me aplikim dhune të jashtëzakonshme kanë bërë çmos për ta penguar funksionimin e Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës në krye me Kolonel Ahmet Krasniqin! Ky qëllim thellësisht antikombëtar është argumenti që sqaron të gjitha dilemat e destruktivitetit të shtabit të Rognerit, nga të cilët, siç e dinë të gjithë, u dëmtua edhe Liria dhe Pavarësia e Kosovës, që u sakatos me krime dhe vrasje politike, të cilat e kanë vetëm një shpjegim: grabitjen e parave! Sa i për ketë zënkës ndërmjet Anton Qunit dhe Xhavit Halitit, do të duhej të tregonte Bujar Bukoshi, sepse Fondi i 3% është menaxhuar prej tij dhe, ai saktësisht e dinë sa para i ka dhënë Qeveria Bukoshi shtabit të Rognerit! Dihet se marrësit e parave nuk u konvenon që të pranojnë se i kanë marrë, por, ata që i kanë dhënë paratë nëse heshtin bëjnë krim të ri, sepse e pengojnë zbardhjen e krimeve, duke qenë se me ato para janë financuar krimet e shumta, e ndër to vrasjet politike”,  ka thënë Zogaj.

Parat janë përvetësuar nga ata që ishin pranë "qypit të arit"

Beteja e Koshares është një ndër betejat më të mëdha të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Ushtrisë së RF të Jugosllavisë. Palët në këtë betejë kanë qenë të pabarabarta, por UÇK, ka pasur përparësi strategjike, pasi që beteja është zhvilluar në kufirin me Shqipërinë administrative. Furnizimi ka qenë në nivel, e gjithashtu edhe morali i luftëtarëve ka qenë i lartë. Ushtria jugosllave ka qenë e ndihmuar edhe nga mercenarët e vullnetarët rus e sllavë të tjerë. Në këtë betejë, disa kritikë të operacioneve luftarake thonë se edhe është vendosur se cila armatë është në gjendje të bëjë më shumë për atë territor. Pas një beteje të ashpër për çdo metër katror UÇK, arriti që me guxim e vendosmëri, të krijojë avantazhe dhe të dëbojë e zmbraps ushtrinë jugosllave.

Ajo u zhvilluar më 9 prill të vitit 1999 në kuadër të operacionit “Shigjeta”, është njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës .

Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë më 9 prill të ‘99-së, shënoi jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat