“Vizat para pushimit të verës”, Abazi zbulon se si po përdoren ato për objektiva ndaj Serbisë

Politika

“Vizat para pushimit të verës”, Abazi zbulon se si po përdoren ato për objektiva ndaj Serbisë

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 21 prill 2018 Në ora: 14:29
Haki Abazi

Heqja e vizave do të na konfirmohet para pushimit të verës. Këto ishin fjalët e kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj dje në Kuvend, ku u diskutua për të gjeturat e Raportit të Progresit.

“Për vizat është vendosë, por ajo temë nuk është përfshirë në raport se vetë karakteri ka dedikim të caktum është një arritur e madhe fakti se i është rekomandu hapja e negociata dy fqinjëve tonë. Jam i bindur se ajo që na intereson neve, pra heqja e vizave, ajo do të ndodhë. Mendoj se para pushimit të verës do të na konfirmohet”, deklaroi ai.

Por, se sa mund të ndodhë një gjë e tillë, në një afat kohor të cilin e ka thënë Haradinaj.

Për gazetën “Bota sot”, njohësi i çështjeve politike në vend, Haki Abazi, ka thënë se çështja e vizave është bërë vrimë e zezë e dështimit të të gjitha strukturave, të cilat po përdoren si presion mbi qytetarët e Kosovës, për të arritur objektivat e BE-së ndaj Serbisë dhe Kosova del si e paaftë për të arritur këtë gjë.

“Çështja e vizave dhe premtimeve është bërë vrimë e zezë dhe një ndër pikat e dështimit të gjithë strukturave. Vizat po përdoren si mjet presioni në qytetarët e Kosovës për të arritur qëllimet dhe kompromiset me qëllim të realizimit të objektivave të Bashkimit Evropian kundrejt Serbisë. Të gjitha favoret dhe kompromiset që ka bërë Kosova me kërkesë të Bashkimit Evropian dhe me naivitetin e lidershipit të Kosovës kanë kontribuar në procesin e integrimeve evropiane për Serbinë përderisa Kosova është kualifikuar si e paaftë për të përmbushur kriteret”, është shprehur ai.

Sipas Abazit, e gjithë kjo bashkë me mos koordinimin e brendshëm dhe korrupsionin e lartë dhe krimin e organizuar, kanë ndërtuar barrierat për të cilat faturën e paguajnë qytetarët e Kosovës.

“Ky proces nuk është kryer sepse përfshinë edhe aspektet tjera të mosarritjes së konsensusit ndërmjet anëtarëve të BE-së dhe komisionit evropian. Nuk do të ekspozojë paaftësinë e koordinimit të brendshëm dhe gjithashtu po e përdorë Kosovën si instrument presioni ndaj Serbisë për marrëdhëniet ruso-serbe. Kjo së bashku me nivelin e lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar kanë ndërtuar barriera për qytetarët të cilët po e paguajnë faturën e paaftësisë së lidershipit politik”, ka deklaruar Haki Abazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat