Lëvizja Vetëvendosje tregon arsyet pse duhet rrëzuar qeveria

Politika

Lëvizja Vetëvendosje tregon arsyet pse duhet rrëzuar qeveria

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 22 prill 2018 Në ora: 19:47
Lëvizja Vetëvendosje

Lidhja Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar organizimin e një tryeze të përbashkët, me partitë politike, me ç’rast aty do të diskutojnë për temat e rëndësishme para se Kosova të shkojë  zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

LDK-ja ftesë zyrtare, nuk i ka dërguar ende Lëvizjes Vetëvendosje dhe Grupit të Pavarur të Deputetëve, mirëpo këta të fundit kanë shprehur gatitshmëri për pjesëmarrje.

Sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës, akterët politikë duhet të bashkëpunojnë për të dalë nga situata “delikate” në të cilën ndodhet vendi, pasi që në të kundërtën do të prishet qetësia, ndërkaq Lëvizja Vetëvendosje thotë se Kosova duhet të ketë zgjedhje të parakohshme.

Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Arbër Rexhaj, pohon se kjo qeveri duhet të bie sa më parë, pasi që ka pësuar regres në shumë fusha.

Image
Arbër Rexhaj

“Lëvizja Vetëvendosje dëshiron që Kosova të ketë zgjedhje të parakohshme, sepse kjo qeveri duhet të bie sa më parë. E kaluan demarkacionin me Malin e Zi duke i dhënë 8200 ha tokë në emër të liberalizimit të vizave, ndërkaq raporti i progresit qartë thekson se Kosova ka pësuar regres ne fushën e drejtësisë, të luftimit të korrupsionit, asnjë përparim në fushën e arsimit dhe zhvillimit ekonomik”, thekson Rexhaj.

Tentimi për kalimin e Asociacionit të Komunave Serbe, mos hapja e vendeve të reja të punës, ekonomia dhe numri i lartë i zëvendësministrave, sipas Rexhajt, janë arsyet përse duhet të rrëzohet qeveria.

“Kjo qeveri po tenton ta kalojë edhe Zajednicën, e cila do ta bosnjëzonte Kosovën. Përmes kësaj qeverie ne nuk kemi vende të reja të punës, varfëria është thellur siç e thotë edhe raporti i progresit, nuk ka zhvillim ekonomik, ndërtimi i Termocentralit të Ri do ta varfërojë më tej Kosovën. Për këto dhe për këtë qeveri klientele të 100 zëvendësministrave kjo qeveri duhet të rrëzohet dhe të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare”, përfundon Rexhaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat