Anton Quni flet pas fillimit të hetimeve ndaj policëve që arrestuan Gjuriqin

Politika

Anton Quni flet pas fillimit të hetimeve ndaj policëve që arrestuan Gjuriqin

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 24 prill 2018 Në ora: 13:48
Anton Quni

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Millan Radojeviq, ka kërkuar të hetohen gjithë policët, që kanë marrë pjesë në aksionin e arrestimit të drejtorit të Zyrës Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq.

Hetimi i policëve do të bëhet nga Inspektorati i Policisë së Kosovës, ndërkaq Radojeviq ka deklaruar se zyrtarisht kanë filluar hetimet për të dëshmuar përgjegjësinë penale të policëve që kanë marrë pjesë në arrestimin e drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, e ku është lënduar ministri Nenad Rikallo dhe disa të tjerë.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, kërkesën e Radojeviqit e konsideron subjektive dhe tendencioze.

Quni pohon se misioni për arrestimin dhe dëbimin e Gjuriqit, duhet të vlerësohet lart, pasi që është kryer pa gjakderdhje.

Por, sipas tij, çdo tejkalim i autorizimeve edhe pa ndonjë kërkesë të veçantë, duhet të vlerësohet dhe sanksionohet nga IPK-ja dhe autoritetet relevante brenda PK-së.

“Kërkesa e zotit Radojeviq është subjektive dhe tendencioze. Sidoqoftë është në autoritetin e IPK që të vlerësojë performancën individuale të çdo pjesëtari të policisë të përfshirë në operacionin e arrestimit dhe dëbimit të z. Gjuriq. Në një mjedis me koeficient të lartë të rrezikut mund të  veprojnë vetëm njësitë e specializuara. Z.Radojeviq duhet të dijë se këto njësi nuk trokasin në derë me buqetë të luleve, por veprojnë shpejt dhe me taktika të veçanta për të përmbushur detyrën. Një mision i kryer pa gjakderdhje duhet të vlerësohet lart. Natyrisht se çdo tejkalim i autorizimeve, edhe pa ndonjë kërkesë të veçantë, duhet të vlerësohet dhe sanksionohet nga IPK-ja dhe autoritetet relevante brenda PK-së”, thekson Quni.

Drejtori i Zyrës Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, ishte arrestuar më 26 mars 2018, pasi kishte hyrë pa leje në Kosovë, mirëpo pas disa minutash qëndrimi në stacionin policor në Kosovë, është dëbuar menjëherë për në Serbi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat