Fundi i Qeverisë Haradinaj është afër

Politika

Fundi i Qeverisë Haradinaj është afër

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 25 prill 2018 Në ora: 07:25
Ramush Haradinaj

Pozitë dhe opozitë do të mblidhen të mërkurën në një tryezë të përbashkët, të thirrur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ku pritet të diskutohet për situatën politike në vend dhe mundësinë e pajtimit për të shkuar në zgjedhje.

Pjesëmarrjen në këtë tryezë e kanë konfirmuar të gjitha partitë politike, përpos PDK-së dhe GDP-së.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, deputeti i LDK-së, Ramiz Kelmendi, ka thënë se tryezat politike janë të dobishme dhe se LDK synon që partnerët e koalicionit ta kuptojnë se nuk e kanë fuqinë të menaxhimit të situatave dhe se duhet të shkohet në zgjedhje.

“Tryezat politike janë gjithmonë të dobishme, i afrojnë komunikimin mes vete të liderëve, të cilët më herët nuk kanë pasur komunikim më herët të mirëfilltë dhe është mundësi e mirë e shprehjes së të gjitha kërkesave dhe shqetësimeve mbi gjendjen politike në vend. Nga aty sigurisht që do të jetë dhe është synim i LDK-së që partnerët politikë ta kuptojnë se nuk e kanë fuqinë të menaxhimit të situatave dhe të çështjeve të mëdha dhe do të duhej të shkohet në zgjedhje, në mënyrë që të fitohet legjitimiteti për çështje të mëdha”, është shprehur Kelmendi.

VV e gatshme për të shkuar në zgjedhje

Pjesëmarrjen në tryezën e LDK-së e ka konfirmuar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca, ku në këtë tryezë sipas Konjufcës do të paraqesin qëndrimin e tyre politik dhe gatishmërinë për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, meqë sipas tij, kjo Qeveri është e papërgjegjshme.

“Vetëvendosje mendon që tash, qëndrimi politik është se kemi të bëjmë me një qeveri të papërgjegjshme e cila më mirë është të shkoj në shtëpi sa më shpejt që të kemi përfundim të mandatit të kësaj Qeverie. Natyrisht, kur shtrohet pyetja se çka i bie kjo, kjo i bie që të fillojmë me LDK-në mbledhjen e 52 nënshkrimeve shqiptare për rrëzimin e kësaj Qeverie dhe pastaj kushdo që t’i bashkohet rrëzimi të kësaj Qeverie jemi të hapur. Unë mendoj se fundi i kësaj qeverie është shumë afër dhe e vetmja zgjidhje është që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme. LVV është plotësisht e gatshme për këtë opsion. Më duket që edhe LDK ka qëndrim në këtë pozicion. Prandaj, nesër do të shohim se si do t’i koordinojmë veprimet tona. Pra VV konfirmon pjesëmarrjen në këtë tryezë”, tha Konjufca për kp.

AAK pjesëmarrëse në tryezë

Edhe AAK e ka konfirmuar pjesëmarrjen.

Image
Blerim Kuqi

“Po kemi marrë ftesë. Kemi vendosur do të shkojmë”, ka thënë deputeti Blerim Kuqi për “Bota sot”.

PDK nuk e konfirmon pjesëmarrjen

Ndërsa, deputeti nga PDK, Hajdar Beqa, ka thënë se ende nuk e di nëse do të marrin pjesë, derisa shton se është çështje e lidershipit.

Image
Hajdar Beqa

“Kjo është çështje e liderëve dhe duhet t’u drejtoheni atyre. Nuk kam informata më shumë, vetëm çfarë kam parë në media. Ata kanë bërë ftesë publike, unë mendoj se konsensuset politike për çështje nacionale janë në interes, konsideroj se pikat që janë caktuar nuk janë serioze sepse ata nuk janë serioz në pikat që i kanë ngrit. Nuk e di, nuk e di a do të shkojmë, është çështje e lidershipit”, ka deklaruar Beqa për “Bota sot”.

AKR pjesëmarrëse për diskutimin e LDK-së

E në këtë tryezë do të marrë pjesë edhe AKR, e cila do të përfaqësohet nga sekretar i kësaj partie, Vesel Makolli.

Image
Vesel Makolli

“Po kemi marrë ftesë dhe në marrëveshje me shefin i cili është jashtë vendit, unë do të marrë pjesë në tryezë. Do të marrim pjesë në tryezë, të shohim se çka po diskutohet se pa marrë parasysh kur janë të ftuara të gjitha partitë duhet dëgjuar dhe është i mirëseardhur”, është shprehur Makolli për “Bota sot”.

Sherifi: Qëndrimet tona i themi në tryezë

Pjesë e tryezës do të jenë edhe përfaqësues të Nismës Socialdemokrate të Kosovës. Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Bilall Sherifi, tha se duhet të heqin logjikën e mos takimeve, prandaj do të jenë pjesë e tryezës së thirrur nga LDK-ja.

“Aty do ta themi çdo gjë që mendojmë dhe besojmë që duhet të bëhet në Kosovë. Nuk mendoj që sot duhet ta them atë që do ta them nesër. Varësisht nga diskutimet, i dëgjojmë njëherë organizatorët që e kanë ftuar takimin dhe aty do t’i shfaqim qëndrimet tona. Por duhet njëherë e mirë t’i heqim logjiken e mos takimeve. Sepse shumë më mirë është ta takohemi dhe të mos pajtohemi, se sa mos të takohemi”, theksoi Sherifi për kp.

GDP ende pa vendim për pjesëmarrje

E Grupi i Deputetëve të Pavarur, ende nuk kanë vendosur nëse do të marrin pjesë.

Image
Shqipe Pantina

“Ftesën e kemi marrë, por ende nuk jemi ulur si grup që ta shqyrtojmë. Shumica e deputetëve janë jashtë vendit me komisione dhe kur të kthehen do të ulemi dhe të diskutojmë. Besoj që vendosim sot”, ka thënë të martën deputetja Shqipe Pantina për “Bota sot”.

Se çka mund të pritet nga kjo tryezë, Pantina deklaroi se nuk do të kishte kuptim që partitë që janë në qeveri të pajtohen për të shkuar në zgjedhje.

“Është vështirë se çka mund të pritet kur nuk dihet qëndrimi i subjekteve politike, kur po ashtu dihet se ka të tillë që nuk do të marrin pjesë, partitë që janë në qeveri aktualisht të pajtohen të shkojnë në zgjedhje, nuk do të kishte kuptim”, ka vlerësuar ajo.

Lepaja: Vështirë se koalicioni të pajtohet për zgjedhje

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike në vend, Fadil Lepaja, duke folur në lidhje me tryezën, vlerëson se vështirë se mund të ketë konsensus për zgjedhje të reja, përveç nëse ka kombinime të fshehta në mes të LDK-së dhe PDK-së.

Image
Fadil Lepaja

“Vështirë se mund të ketë konsensus të partive për zgjedhje të reja tani, sepse një numër partish nuk kanë interes, sidomos partitë e koalicionit qeverisës. Nëse PDK ka kombinime të fshehta, me LDK-në mund edhe të ndodhë, të vijë sërish deri te "vet" rrëzimi i qeverisë, por tani për tani kjo nuk duket në horizont, edhe pse nuk ngjanë krejt si rastësi dalja e tyre, pak a shumë njëkohësisht me platforma”, vlerëson ai.

Lepaja jep dhe dallimet në mes të platformës së LDK-së dhe asaj të PDK-së, derisa shton se AAK dhe Nisma nuk do të rrezikonin për zgjedhje të reja, pasi nuk do të mund të kenë pushtet sa kanë tani.

“Dallimi i platformave është në orientimin që e ka PDK, se duhet ofruar të gjitha partitë rreth temave kryesore, të sotme. Ndërkohë, platforma e LDK niset prej dështimit të kësaj qeverisjeje dhe në legjitimitetin e LDK-së si partia me më shumë deputetë në parlament, që të jetë bartëse e qeverisjes. Por, si e thashë edhe më herët, AAK, dhe NISMA vështirë se do të rrezikonin, me zgjedhje të reja, të cilat në asnjë variant nuk u japin kaq pushtet sa kanë tani”, ka deklaruar Fadil Lepaja për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat