Avokati i njohur flet për shkarkimin e ministrave me aktakuza, ja pse Haradinaj nuk po “guxon” t’i shkarkojë

Politika

Avokati i njohur flet për shkarkimin e ministrave me aktakuza, ja pse Haradinaj nuk po “guxon” t’i shkarkojë

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 25 prill 2018 Në ora: 18:40
Tom Gashi

Në Kosovë janë edhe një numër i personave të tjerë që mbajnë pozita zyrtare e të cilat janë të akuzuar për vepra të ndryshme penale.Qeverisja aktuale në përbërje të saj, përmban deputetë e ministra që janë nën akuza, por deri më tani asnjëri nuk ka dhënë dorëheqje apo nuk është shkarkuar.

Deri më tani, tre ministra (Pal Lekaj, Besim Beqaj dhe Valdrin Lluka) dhe deputeti Zenun Pajaziti, janë pjesë përbërëse  e Qeverisë së Kosovës, që akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe korrupsion.

Duke folur rreth kësaj çështje avokati Tomë Gashi, ka thënë për "Bota sot" se nuk është obligim ligjor i kryeministrit që t’i shkarkojë këta ministra deri sa të përfundojë rasti me aktgjykim të plotfuqishëm.

Sipas tij, nëse të tillët eventualisht dënohen me 6 muaj apo me tepër burgim efektiv, atëherë në bazë të ligjit të punës ata automatikisht shkarkohen.

“ Mendoj se tani për tani është çështje morale dhe etike e kryeministrit Haradinaj i cili do vendos nëse dëshiron të mbajë në qeverinë e tij ministra me aktakuza, duke e marrë parasysh se ka të bëj me ruajtën e reputacionit të mirë të qeverisë. Por duket se kjo qeveri me 5 zv/ kryeministrave 21 ministra, mbi 80 zv ministra, rreth 400 këshilltarë, truproje , vozitës etj, të vetmin qëllim e kanë mbetjen në pushtet me çfarëdo kushti”, ka thënë avokati Gashi.

Ai ka thënë se akuzimi dhe mos largimi i ministrave, më së miri e vërteton këtë.

“Janë grupe të interesit që janë bashkuar rreth 17 parti në koalicion sa që e bën të paqëndrueshme qeverinë aktuale nëse vepron siç do të ishte e drejtë morale që ata të japin dorëheqje, apo të shkarkohen nga kryeministri. Ruajtja e balansit për të qeverisur në çdo kusht e detyron kryeministrin që të jetë ‘i kujdesshëm’ në mos prishjen eventuale të këtij raporti politik, vetëm sa për të mbetur vet në pushtet. Dhe përveç kryeministrit për ti shkarkuar ata, të drejtë ti shkarkojë ministrat me akuza kanë edhe kryetaret e partive të tyre, por as ata nuk e bëjnë do të këtë, meqë kanë interesa të ndërlidhura me këta ministra me aktakuza”, ka thënë avokati, Tomë Gashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat