“Kosova në udhëkryqin historik më delikat për fatin e popullit dhe të vendit”

Politika

“Kosova në udhëkryqin historik më delikat për fatin e popullit dhe të vendit”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 25 prill 2018 Në ora: 21:52
Ilustrim

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbledhur sot përfaqësues të të gjitha partive politike, në tryezën e organizuar për të diskutuar për situatën aktuale në vend dhe për një pajtim në mes partive për të shkuar në zgjedhje.

Pas takimit nënkryetari Agim Veliu tha se kanë diskutuar për  problemet aktuale që i  preokupojnë dhe është fat i mirë që tryezës i janë përgjigjur të gjitha subjektet politike që kanë dhënë këndvështrimin e vet për çështjet aktuale.

Ai tha se janë marrë vesh që tryezat të fillojnë me një rrotacion.

“Secili subjekt e ka gatishmërinë që të organizojë tryeza të tilla. Tryeza e radhës mund te jetë javën e ardhshme. Në këtë takim se keni ftuar për të diskutuar për zgjedhjet por për të gjetur zgjidhje për çështjet. Vendi është në një krizë institucionale kjo qeveri nuk ka legjitimitet por jemi të interesuar që çështjet madhore t’i diskutojmë dhe për të gjetur zgjidhje. Janë përmend temat që janë të rëndësishme për Kosovën do të punojmë të gjejmë zgjidhje”, tha Veliu.

Ndërsa, nënkryetari i PDK-së  Memli Krasniqi tha se  përveç qëndrimeve dhe bindjeve të përfaqësuesve që janë dakorduar që takimet e tilla të vazhdojnë  edhe  në të ardhmen.

Krasniqi tha se PDK mendon se s’është rendi në këtë moment për zgjedhje të reja.

“Por nëse partitë që kanë interes për zgjedhje nëse e arrijnë shumicën ne jemi të gatshëm”, tha Krasniqi.

Image
Skënder Zogaj

Lidhur me tryezat e tilla që do të vazhdojnë sipas pajtimit të partive, për gazetën “Bota sot”, njohësi i çështjeve politike në vend, Skënder Zogaj, ka thënë se tryezat e tilla politike janë të vlefshme për trajtimin e çështjeve të rëndësishme dhe kjo e LDK-së tregoi vlerën e saj, që është pozitive që partitë të kuptojnë se nuk është e arsyeshme gjithmonë luftë për të mbrojtur pushtetin me çdo kusht.

“Tryezat janë mënyra më e mirë dhe më e vlefshme e trajtimit të çështjeve të rëndësishme dhe paraqitjen e pikëpamjeve të ndryshme, që janë të domosdoshme për vlerësim serioz të problemeve të rëndësishme! Tryeza e LDK-s e tregoi vlerën e veprimtarisë së këtillë, prandaj, partitë politike janë pajtuar që javën e ardhshme të mbajnë tryeza të këtilla me rotacion. Kjo është gjë e mirë sepse do të ndikojë në njohjen më të thellë të gjendjes dhe, ndërgjegjësimin e partive politike që ta kuptojnë se, është gjithmonë e arsyeshme lufta për pushtet, mirëpo kurrë nuk justifikohet lufta për mbrojtjen e pushtetit me çdo kusht”, është shprehur ai,

Sipas Zogajt, Kosova është në udhëkryq historik dhe zgjedhjet nuk janë gjithmonë zgjidhja më e mirë.

“Kjo aktualisht është çështja që tryezat mund t’i japin përgjigje, nëse partitë politike janë të vetëdijshme se Kosova është në udhëkryqin historik më delikat për fatin e popullit dhe të vendit! Zgjedhjet nuk janë gjithmonë zgjidhja më e mirë, sidomos nëse nuk e garantojnë ndryshimin pozitiv të gjendjes”, ka vlerësuar Skënder Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat