Drejtësia vazhdon të mbetet në duar të EULEX-it?

Politika

Drejtësia vazhdon të mbetet në duar të EULEX-it?

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 28 prill 2018 Në ora: 20:10
Ilustrim

Qeveria gjermane tha sot se misioni evropian i sundimit të ligjit në Kosovë, EULEX, duhet të zgjatet edhe për dy vjet, ndërkohë që liderët e Kosovës dëshirojnë që misioni të përmbyll mandatin e vet në fund të qershorit.

Nga zyra e Ministrisë së Jashtme në Gjermani, bëjnë të ditur se EULEX-i ka luajtur dhe vazhdon të luajë rol të rëndësishëm në fuqizimin e sundimit të ligjit dhe institucionet e Kosovës, dhe se Berlini dëshiron që misioni të vazhdojë punën.

“Për këtë arsye, Gjermania mbështet fuqishëm vazhdimin e mandatit të EULEX-it edhe për dy vjet, megjithëse thjeshtëson detyrat e saj”, kanë thënë nga zyra e Ministrisë së Jashtme në Gjermani.

Lidhur me këtë, drejtori ekzekutiv i institutit për studime të Sigurisë-ISS, Armend Halimi, thotë për “Bota sot” se kërkesa e Gjermanisë për vazhdimin e mandatit të EULEX-it është për angazhimin dhe kontributin në sferën e drejtësisë, sidomos gjyqësisë.

Image
Armend Halimi

“Misioni i EULEX-it sikurse e dimë me tepër ka mision sistemin e drejtësisë, se sa mision operativ te sigurisë, përkatësisht kur është fjala për ballafaqim direkt me kriminalitet, kjo tani më veç është dëshmuar, ngase për sigurinë e brendshme ekskluzivisht është përgjegjëse dhe kompetente Policia e Republikës së Kosovës, ndërsa për atë të integritetit territorial dhe sigurisë së përgjithshme është KFOR-i. Sigurisht që EULEX asiston edhe në aksione kundër krimit te organizuar, mirëpo nevoja për misionin e tij tani, sipas edhe kërkesës së qeverisë gjermane, është për angazhimin dhe kontributin në sferën e drejtësisë, sidomos gjyqësisë, ku veç e dimë që kapaciteti njerëzor i gjykatave tona për të qenë efikas ne përgjithësi, e ne veçanti me lëndë të krimit të organizuar dhe korrupsionit është shumë i dobët, e që fatkeqësisht kësaj dobësie i kontribuon para se të gjithash mos pasja guxim e gjykatëseve vendor për të trajtuar krimet e tilla”- është shprehur Halimi.

Sipas Halimit, nëse një shtet si Gjermania thotë se EULEX-i duhet të vazhdojë mandatin në Kosovë, kjo duhet të ndodh pasi dihet që Gjermania ia donë të mirën Kosovës.

Për më tepër, Gjermania është vend mik i Kosovës i dëshmuar prej kohesh, me një kontribut të madh në çdo aspekt, e që sigurisht pritet shumë edhe kontributi i saj në sistemin e drejtësisë në një të ardhme jo të largët, pra nëpërmes po këtij misioni, pra EULEX-it. Është fakt se edhe ky organ, nuk ka realizuar gati as minimumin e misionit të tij për çfarë është thirr dhe deklaruar, por që kur një shtet me ndikim të madh në Evropë insiston që ky mision të vazhdoj punën në Kosovë, le të shpresohet për një seriozitet në realizimin e misionit, ngase logjikisht nuk do investohej pafundësisht në një mision të dështuar”- përfundoi Halimi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat