Kush ka fuqinë ta dërgojë vendin në zgjedhje të reja?

Politika

Kush ka fuqinë ta dërgojë vendin në zgjedhje të reja?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 30 prill 2018 Në ora: 12:24
Foto ilustrim

Tryeza e mbajtur të mërkurën nga partitë politike për të diskutuar për situatë aktuale në të cilën gjendet Kosova ka përfunduar pa ndonjë gjë konkrete, përveç pajtimit që tryeza të atilla të mbahen më shpesh.

Përkundër, që ishte paralajmëruar të diskutohej për zgjedhjet e parakohshme, nënkryetari i LDK-së, parti kjo e cila ka qenë organizatore e tryezës, kishte mohuar këtë.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, kishte deklaruar se subjektet kanë shprehur gatitshmërinë që të organizohen tryeza të tilla, duke shtuar se takimi ka qenë për të gjetur zgjidhje, e jo për të diskutuar për zgjedhje.

“Secili subjekt e ka gatishmërinë që të organizojë tryeza të tilla. Tryeza e radhës mund te jetë javën e ardhshme. Në këtë takim se kemi ftuar për të diskutuar për zgjedhjet, por për të gjetur zgjidhje për çështjet. Vendi është në një krizë institucionale kjo qeveri nuk ka legjitimitet, por jemi të interesuar që çështjet madhore t’i diskutojmë dhe për të gjetur zgjidhje. Janë përmendur temat që janë të rëndësishme për Kosovën do të punojmë të gjejmë zgjidhje”, ka pohuar Veliu pas përfundimit të tryezës.

Tryeza e ftuar nga LDK-ja dhe kjo deklaratë e Veliut, vjen disa ditë pas deklaratës së shefit të grupit parlamentar po nga kjo parti, Avdullah Hoti.

Hoti kishte deklaruar, se nëse dëshirojnë ata do ta çojnë vendin për 30 ditë në zgjedhje.

“Qëndrimi i LDK-së është i qartë. Ne mund ta çojmë vendin për 30 ditë në zgjedhje. Por dëshirojmë që këtë ta bëjmë në mënyrë të dakorduar. Ne dëshirojmë që të krijojmë konsensues në këtë shoqëri”, ka thënë ai.

LDK e gatshme të marr timonin

Image
Valentina Bunjaku- Rexhepi

Edhe deputetja e LDK-së Valentina Bunjaku- Rexhepi, e thotë të njëjtën gjë.

Sipas saj, LDK-ja është e gatshme për zgjedhje siç është e gatshme edhe për ta marrë timonin e drejtimit të vendit.

Lidhja Demokratike e Kosovës, sipas Rexhepit, nuk ka frikë nga zgjedhjet, por përkundrazi.

“Tryeza e përbashkët e partive politike e thirrur nga LDK-ja ka qëllim gjetjen e një koncensusi për tejkalimin e situatës së rënd në vend para disa temave të mëdha që pritet të ndodhin. Vendi mund të shkojë edhe në zgjedhje nëse partitë dakordohen për një datë të përshtatshme për vendin. LDK është e gatshme jo vetëm për zgjedhje, por edhe për ta marrë timonin e drejtimit të vendit si forca kryesore dhe lidere në vend sot dhe nesër. LDK nuk ka frikë nga zgjedhjet përkundrazi ka moral dhe guxim për të udhëhequr vendin sipas rezultatit dhe besimit qytetar ku ne presim fitore të konsideruar”, ka nënvizuar Bunjaku- Rexhepi.

AAK kundër zgjedhjeve

Ndërsa, nënkryetari i AAK-së dhe njëherësh ministër në Qeverinë Haradinaj, thotë se vendi nuk ka pse të organizojë zgjedhje në këtë fazë, kjo për shkak se qeveria është duke funksionuar.

Image
Pal Lekaj

Në një prononcim për “Bota sot”, nënkryetari i AAK-së Pal Lekaj, ka thënë se tryeza e partive politike tregon se ata dijnë të diskutojnë për tema nacionale, gjersa ka shtuar se kushtetuta është ajo që i përcakton afatet dhe mandatet për organizimin e zgjedhjeve.

“Tryeza e partive politike ka treguar që ne nuk jemi qeveri "kryeneqe", por dijmë të ulemi në tryeza të gjëra të spektrit politik për tema nacionale. Vendi nuk ka pse të organizojë zgjedhje në këtë fazë, sepse qeveria po funksionon dhe po i kryen detyrat e saj sipas ingirencave që ia jep kushtetuta dhe ligjet që derivojnë nga kjo kushtetutë. Prandaj dy gjëra janë këtu, njëra që spektri politikë i vendit duhet vazhdimisht të bisedojë për të qenë unik në dhënien e zgjidhjeve për temat më vendet tjera dhe së kërkesa për zgjedhje nuk duhet të merret alibi e opozitës së sotme dhe përmes kësaj alibie të tentohet që të pengohet qeveria në përmbushjen e detyrave të saj. Kushtetuta i përcakton afatet dhe mandatet për organizimin e zgjedhjeve. Tani na duhet zhvillim dhe integrim i vendit”, ka pohuar Lekaj.

Frikë nga zgjedhjet

Që në fillim të legjislaturës së gjashtë, Lidhja Demokratike e Kosovës, kishte paralajmëruar mocion mosbesimi ndaj qeverisë, duke deklaruar për zgjedhje të parakohshme.

Mirëpo, nënkryetari i PDK-së Memli Krasniqi, ka cilësuar se vetëm PDK-ja mund ta çojë vendin në zgjedhje.

Sipas Krasniqit, LDK-ja nuk mund ta çojë vendin në zgjedhje.

 “LDK nuk mund ta çojë vendin në zgjedhje, PDK mund ta bëjë atë. Nëse partitë tjera janë të gatshme për zgjedhje, edhe PDK do të jetë, mirëpo qëndrimi i PDK dhe dëshira është që vendi të mos shkojë në zgjedhje”, kishte deklaruar Krasniqi.

Edhe bashkëpartiaku i Krasniqit, deputeti Nait Hasani, thotë se ata që bëjnë thirrje për zgjedhje janë kundër zgjedhjeve.

Image
Nait Hasani

Hasani në një prononcim për “Bota sot”, ka pohuar se një pjesë e partive që kërkojnë zgjedhje kanë frikë të jenë pjesë e kuvendit dhe qeverisë.

“Tryeza e mbajtur është shumë bukur të mbahet një debat që sqaron politikat e partive dhe frikën e tyre për zgjedhje, sepse shumë parti frikësohen nga zgjedhjet. Prandaj, me këto debate për zgjedhje janë duke e mbytur mundësinë për zgjedhje. Këta që flasin për zgjedhje, janë vetë kundër zgjedhjeve, sepse kanë frikë a do të jenë pjesë e kuvendit dhe qeverisë”, ka theksuar Hasani.

Vendi drejt zgjedhjeve

Ndërkaq, analistët politikë thonë se vendi padyshim se do të shkojë në zgjedhje të reja, qofshin ato të zakonshme apo të jashtëzakonshme.

Mirëpo, sipas tyre Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mund ta çojë vendin në zgjedhje nëse nuk ka pajtim me partitë tjera.

Analisti politik, Ilir Dugolli, duke komentuar tryezën e organizuar nga LDK-ja, thotë se është vërejtur në ankesat e partive politike një tendencë për ta dërguar vendin në zgjedhje të parakohshme.

Image
Ilir Dugolli

“Në tryezën të përbashkët, të organizuar nga LDK. Siç vërehej, të gjitha ankesat e tyre ishte në kuadër të tendencës për të dërguar vendin në zgjedhje të parakohshme. Në Kosovë tani më gati është instaluar një logjikë jo e mirë, e cila mund të them se është e imponuar nga partitë apo koalicionet qeveritare, që si pasojë është menaxhimi i dobët i shtetit dhe proceseve politike, ekonomike e sociale. Edhe pse kjo logjikë jo e mirë, sa i përket parashikimeve normale zgjedhore, këtu te ne, mund të ketëarsyeshmerinë e vet, nga se vërehet tendenca për një përmirësim të situatës së përgjithshme. Për deri sa ka tendenca të tilla, edhe pse me një kosto bukur të ndjeshme, në raport me varfërinë dhe krizat sociale, ka shpresa se do të gjendet një formulë e pranueshme për shumicën, dhe nuk duhet merret si logjikë blanko e instaluar. Kjo para se gjithash e instalon logjikën e kërkimit të kualiteteve. Kjo tendencë e përmirësimit, duhet të jetë shumë serioze dhe jo eksperimentale e sa për sy e faqe, apo sa për te marrë pushtet. Kjo duhet të ndodh, nga se për çdo ditë e më shumë, po vijnë situate më të pa favorshme”, ka theksuar Dugolli.

Sipas tij, asnjë subjekt politik nuk i ka votat, prandaj duhet të bëhen bashkarisht për ta rrëzuar qeverinë dhe për t’i shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Sipas tij, asnjë subjekt politik nuk i ka votat, prandaj duhet të bëhen bashkarisht për ta rrëzuar qeverinë dhe për t’i shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“Vendi pa dyshim se do të shkon në zgjedhje. Nëse ato do të jenë të zakonshme apo të jashtëzakonshme, këtë do ta përcakton serioziteti i shumicës së partive politike në Kosovë. Nëse veç vendoset për zgjedhje të jashtëzakonshme, atëherë këtë gjë, nuk mund ta bënë e vetme një parti politike. Këtë e bënë, pesha e fuqisë elektorale të tyre, që kalkulohet në numrin e deputetëve, pra , sa deputet ka ajo parti. Për të rrëzuar qeverinë duhet të jenë 61 vota. Asnjë subjekt politik i vetëm, nuk i ka ato vota. Ato duhet bëhen bashkërisht për të rrëzuar qeverinë dhe për t’i shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme më pastaj. Matematikisht; LDK, LVV dhe GDP i afrohen shumë afër numrit 61. Llogaritet edhe në Listën Serbe për shkak pakënaqësisë në lidhje me ndërhyrjen e qeverisë se Kosovës në veri dhe kështu tejkalohet numri i nevojshëm 61, kështu që mund të konkludohet se këto tri grupime politike, mjaftojnë për të rrëzuar qeverinë dhe si pasojë të shpallën zgjedhjet e jashtëzakonshme”, ka pohuar Dugolli.

Duke komentuar, deklaratën e Hotit se ata mund ta dërgojnë vendin në zgjedhje, Dugolliështë shprehur se një gjë e tillë nuk ka mundësi, pasi që sipas tij as LDK-ja, as ndonjë subjekt tjetër nuk mund ta zhbëjë qeverinë nëse nuk kanëdakordim mes veti.

“Deklarimin e z.Hoti, në lidhje me atë se siç thoshte ai: “ Po të duam ne, për një muaj e dërgojmë vendin në zgjedhje”, e shoh si të nxituar . Programet zgjedhore në nivel nacional, kanë ndryshim nga ato komunale, dhe si të tilla që janë, reflektojnë edhe në vota. Mendoj se z.Hoti, është bazuar në rezultate e zgjedhjeve komunale duke bërë kështu një hap të pa llogaritur mire, si dhe në atë se vetë qeveria nuk i ka 61 vota, të duhura, duke e marrë parasysh deklarimin e Listës Serbe. As LDK, e asnjë parti tjetër e vetme, nuk e ka mundësinë ta çojë vendin në zgjedhje, nëse nuk ekziston paraprakisht një akordim mes subjekteve tjera politike. Ashtu sikur se asnjë subjekt nuk e ka mundësinë e vetme ta formojë qeverinë, pa koalicione, para apo pas zgjedhore. Pra, nuk ka mundësi, të vetme, ta zhbëjnë atë, cila do qoftë ajo. Dhe befasitë të këndshme apo të hidhura vlejnë për të gjitha subjektet, në një epilog zgjedhjesh. Asnjëra nga to, të paktën deri me tani, nuk është treguar e pa “mëkate””, ka përfunduar Dugolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat