Pas vendimit të kushtetueses, Vetëvendosje pret zgjidhje politike për Demarkacionin

Politika

Pas vendimit të kushtetueses, Vetëvendosje pret zgjidhje politike për Demarkacionin

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 4 maj 2018 Në ora: 07:38
Foto ilustrim, Rugovë

“Gjykata Kushtetuese e ka kryer punën e vet në mënyrë kushtetuese, përndryshe kjo gjykatë nuk ka mandat të përzierjes në politikë. Lëvizja Vetëvendosje krejt çka bënë zakonisht emërtohet politike, e që kjo gjykatë nuk merret me interpretime të fjalorit shpeshherë të dobët e edhe politik dhe pa përmbajtje ligjore dhe kushtetuese”, tha ndër tjerash Blerim Burjani.

Gjykata Kushtetuese, të hënën përfundimisht ka vendosur sa i përket kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosjes në lidhje me shqyrtimin e miratimit të Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi nga Kuvendi i Kosovës.

Në atë vendim thuhet se, kjo marrëveshje nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

 “Gjykata konstatoi njëzëri se Ligji nr. 06/L-060 për Ratifikimin e Marrëveshjes dhe procedura për miratimin e tij nuk ishin në kundërshtim me Kushtetutën. Gjykata gjithashtu njëzëri refuzoi kërkesën e parashtruesve për të vlerësuar Marrëveshjen Ndërkombëtare për Demarkacionin e Kufirit Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi pasi që nuk është në pajtim me Kushtetutën dhe kështu jashtë fushëveprimit të juridiksionit të Gjykatës”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Por, i menjëhershëm ishte edhe reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo e fundit ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Demarkacionit.

Lëvizja Vetëvendosje, ka vlerësuar se Gjykata Kushtetuese nuk ka pasur prapë guximin që ta trajtojë shkeljen e Kushtetutës së Kosovës.

“Gjykata Kushtetuese sërish nuk guxoi ta trajtojë shkeljen e Kushtetutës. Gjykata Kushtetuese e Kosovës ashtu siç kishte bërë në 2013 me Marrëveshjen Thaçi-Daçiq ku 6 pikat e para parashihnin Zajednicën, marrëveshjen vijuese të së cilës në 2015 e paraqiti me 23 shkelje kushtetuese, veproi edhe me rastin e dërguar lidhur me brendinë e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Derisa nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se tash mbetën vetëm zgjidhjet politike, nëse vërtetë ato do të jenë ashtu siç ka thënë qeveria aktuale, njohësit e çështjeve juridike konsiderojnë se çështjet e tilla si Demarkacioni duhet trajtuar me shkoqitëse dhe do të duhej të specifikoheshin në detaje. Sipas këtyre të fundit, është e mundur që të ketë ndikime edhe interferime politike në vendimmarrjen e kësaj gjykate në këtë rast.

Image
Ismail Kurteshi

Ismail Kurteshi: Vendimet  e Gjykatës Kushtetuese nuk komentohen

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se krejt kjo çka ka ndodhur me demarkacionin është e padrejtë dhe e dëmshme për vendin.

Kurteshi thotë se lidhur me hapat e mëtejshëm Vetëvendosjes ende nuk ka vendosur.

“Zakonisht këto vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk komentohen. Ne kemi menduar si Grup Parlamentar se krejt kjo çka ka ndodhur me demarkacionin është e padrejtë dhe e dëmshme për vendin. Ajo se çka do të ndërmarrim ne nuk kemi biseduar dhe për ketë kemi për të biseduar se cilat do të jenë hapat e ardhshëm e Lëvizjes Vetëvendosje dhe këtë do ta bëjmë në një të ardhme të afërt edhe nëse nuk kanë qenë mashtrim ato fjalët e mëdha të qeverisë se do të fillojnë për tu marruar vesh me Malin e zi lidhur me korrigjimet. Kjo duhet të ndodh tash së shpejti, por kemi frikë se nuk do të ketë asgjë nga kjo punë”, u shpreh deputeti Kurteshi.

Kurteshi thotë se tash mbetën vetëm zgjidhjet politike, nëse vërtetë ato do të jenë ashtu siç ka thënë Qeveria Haradinaj.

“Sa i përket gjyqësorit këtu në Kosovë nuk di se ka ndonjë instancë përtej Gjykatës Kushtetuese, tash mbetën zgjidhjet politike, nëse vërtetë ato do të jenë ashtu siç ka thënë qeveria”, përfundoi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismail Kurteshi, për gazetën “Bota sot”.

Image
Mazllum Baraliu

“E mundur që të ketë ndikime politike”

Eksperti i çështjeve juridike - kushtetuese, Mazllum Baraliu, që është edhe profesor në Universitetin e Prishtinës, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se çështjet e tilla si demarkacioni do të duhet trajtuar me shkoqitëse dhe do të duhej të specifikoheshin në detale.

“Bazuar në vazhdën e vendimeve që ka marrë kjo gjykatë gjatë gjithë këtyre viteve të cilat hera-herës në segmente të caktuara të trajtimeve të cilat i ka pasur në procedurë, pra trajtimeve kushtetuese-juridike, e që ka pasur edhe vendime të tilla që opinioni publik nuk i ka pranuar me mirëkuptim dhe me miratim, nuk është çudi që edhe ky vendim i tanishëm është në vazhdën e vendimeve politike edhe pse kjo gjykatë përveç segmentit juridik kushtetues ka në kompetencë që të trajtojë çështje edhe nga këndvështrimi gjegjësisht segmenti politik, megjithatë çështjet e tilla si Demarkacioni do të duhet trajtuar me shkoqitëse dhe do të duhej të specifikoheshin në detale”, u shpreh Baraliu.

Tutje, ai thotë se është një vendim që meriton analizë të thellë. Sipas tij, jemi të detyruar ta respektojmë për arsye se kështu është e konstruktuar edhe kushtetuta dhe Gjykata Kushtetuese.

“Me siguri që është një vendim që meriton analizë të thellë dhe është vendim i cili është marrë si është marrë, na pëlqeu ose nuk na pëlqeu, neve domosdoshmërit si persona fizik, si qytetarë dhe si persona juridik jemi të detyruar ta respektojmë për arsye se kështu është e konstruktuar edhe kushtetuta edhe Gjykata Kushtetuese në bazë të ligjit për Gjykatën Kushtetuese vendimet e saja janë të pa ankimueshme dhe janë të pa revokueshme nuk mund që të mos i zbatojmë”, tha ai.

Krejt në fund, Baraliu konsideron se është e mundur që të ketë ndikime dhe interferime politike në vendimmarrjen e kësaj gjykate.

“Duhet domosdoshmërish të zbatohen dhe të respektohen prandaj mbetet që të shihet këto ditë të ardhshme se çka ka në esencë ne atë vendim të gjykatës për të gjykuar, pastaj se deri ku ka shkuar dhe në çfarë mënyre ka vendosur, por paraprakisht ajo çka mund të thuhet parimisht është e mundur që të ketë ndikime siç thashë me parë edhe interferime politike në vendimmarrjen e kësaj gjykate edhe në këtë rast”, përfundoi profesori universitar, Mazllum Baraliu, për  gazetën “Bota sot”.

Image
Blerim Burjani

“Marrëveshja me Malin e Zi mbetet për rishikim”

E njohësi tjetër i çështjeve juridike, Blerim Burjani, në një prononcim për gazetën “Bota sot” mendon se vendimi i fundit nga Gjykata Kushtetuese ka të bëjë vetëm me interpretimin e shtojcës së marrëveshjes së dikurshme për demarkacion.

Sipas tij, marrëveshja me Malin e Zi mbetet në fuqi për rishikim.

“Jo, marrëveshja me Malin e Zi mbetet në fuqi për rishikim. Gjykata Kushtetuese ka interpretuar vetëm marrëveshjen e dikurshme në kohën e koalicionit PDK dhe LDK dhe ka interpretuar shtojcën e marrëveshjes së dikurshme për demarkacion”, u shpreh Burjani.

Për Burjanin, Gjykata Kushtetuese e ka kryer punën e vet në mënyrë kushtetuese dhe se kjo gjykatë nuk ka mandat të përzierjes në politik.

“Gjykata Kushtetuese e ka kryer punën e vet në mënyrë kushtetuese, përndryshe kjo gjykatë nuk ka mandat të përzierjes në politikë. Lëvizja Vetëvendosje krejt çka bënë zakonisht emërtohet politike, e që kjo gjykatë nuk merret me interpretime të fjalorit shpeshherë të dobët e edhe politik dhe papërmbajtje ligjore dhe kushtetuese”, tha ndër tjerash Burjani.

Njohësi i çështjeve juridike thotë se dhe vizioni politik duhet të përputhet me kushtetutën dhe ligjet tjera në fuqi, në të kundërtën mbeten jashtë loje.

“Politika ka edhe kornizat që bëhet , idetë dhe vizioni politik duhet të përputhet me kushtetutën dhe ligjet tjera në fuqi, në të kundërtën mbeten jashtë loje dhe anë veprim antikushtetues. Pra në Kosovë kjo ngjan shpesh që të ketë veprime kundër kushtetuese të partive dhe për këtë nuk i përgjigjen askujt përderisa në shtetet demokratike parti të tilla që veprojnë në mënyrë antikushtetuese çregjistrohen nga regjistri i partive”, përfundoi Burjani për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat