Liberalizimi i vizave, a do ta kalojë Kosova testin?!

Politika

Liberalizimi i vizave, a do ta kalojë Kosova testin?!

Suzana Rugova Nga Suzana Rugova Më 4 maj 2018 Në ora: 22:57
Ilustrim

‘’Ratifikimi i Demarkacionit, nuk ishte kushti i vetëm për liberalizimin e vizave. Madje edhe vetë procesi i ratifikimit të demarkacionit ka qenë korruptiv. Pikërisht me korrupsion janë arritur disa vota të deputetëve për demarkacionin. Kështu që nëse do të jetë kusht luftimi i korrupsionit, atëherë i bie që ne jemi akoma më larg arritjes së liberalizimit të vizave. Me qeverinë aktuale korrupsioni veç sa po rritet, e po trashet’’, ka thënë për gazetën ‘’Bota sot’’, deputeti Rexhep Selimi.

Ratifikimi i marrëveshjes për shënjimin e kufirit shtetëror mes Kosovës dhe Malit të Zi, i ka hapur rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Por, jo vetëm demarkacioni ishte kushti i parë dhe i fundit për t’u plotësuar.

Pas tij, edhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, janë kusht që Kosova duhet të plotësojë. E, për këto kritere, në Kosovë ka ardhur një delegacion i Bashkimit Evropian, i cili do të mbledhë të dhëna nga institucionet e Kosovës lidhur me atë se sa është punuar në përmbushjen e kriterit të fundit për heqjen e vizave.

Ramush Haradinaj, në fillim të mandatit të tij, deklaronte se liberalizimi i vizave do të ndodhë në tre muajt e parë të qeverisjes së tij.

Ndërsa, zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxha kishte thënë se këtë vit do të bëhet liberalizimi i vizave. Edhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, poashtu kishte deklaruar se këtë vit qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza.

Selimi zbulon mashtrimin me vizat

Por, deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Rexhep Selimi, në një prononcim dhënë gazetës ‘’Bota sot’’, i ka cilësuar si deklarata mashtruese e manipuluese që po ju bëhen qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Image
Rexhep Selimi

‘’Është bërë praktikë e vazhdueshme e qeverive të Kosovës që t'i manipulojnë qytetarët dhe të mos japin llogari asnjëherë. Madje këtë praktikë të manipulimit ata e cilësojnë si shkathtësi të tyre. Këto deklarime që ju po ju referoheni janë veç një episod i radhës i mashtrimeve dhe manipulimeve, që po ju bënë pushteti qytetarëve të Kosovës. Ka disa vite që ata kanë premtuar liberalizim të vizave, kanë premtuar Forcat e Armatosura të Kosovës, kanë premtuar qindra mijëra vende të reja të punës kanë premtuar zhvillim ekonomik e integrim. Por, në krejt ketë kohë ka ndodhur e kundërta. Madje, asnjëra nga qeveritë nuk dallojnë nga njëra-tjetra sa i përket premtimeve të rrejshme, duke e përfshirë edhe qeverinë aktuale’’, ka thënë Selimi.

Qeveria mashtron qytetarët e Kosovës

Tutje, deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se ratifikimi i Demarkacionit nuk ka qenë kushti i vetëm për liberalizimin e vizave.

‘’Ratifikimi i Demarkacionit, nuk ishte kushti i vetëm për liberalizimin e vizave. Madje edhe vetë procesi i ratifikimit të demarkacionit ka qenë korruptiv. Pikërisht me korrupsion janë arritur disa vota të deputetëve për demarkacionin. Kështu që nëse do të jetë kusht luftimi i korrupsionit, atëherë i bie që ne jemi akoma më larg arritjes së liberalizimit të vizave. Me qeverinë aktuale korrupsioni veç sa po rritet, e po trashet’’, përfundon Rexhep Selimi për gazetën ‘’Bota sot’’.

Qeveria dhe EULEX të ngathët

Ndërsa, deputeti Salih Salihu, cilëson se nga Qeveria e Kosovës nuk ka ndonjë lëvizje në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Image
Salih Salihu

Sipas Salihut, madje as EULEX nuk është treguar i shkathët në këtë drejtim, pasi që shumë lëndë janë vjetërsuar disa prova janë zhdukur.

‘’Qeveria e Kosovës fare pak ka lëvizur në këtë drejtim. Janë ngritur aktakuza kundër disa figurave publike, por si duket janë të kordinuara dhe vetëm për të krijuar një pasqyrim të rrejshëm se gjëja fort jemi të përkushtuar në luftimin e krimit. E në fakt, nuk e kanë me seriozitet këtë punë sepse konsideroj, që është shumë vështirë të bëhet një gjë të tillë duke marrë për bazë konotacionin e kësaj Qeverie dhe lidhjet e tyre me strukturat e larta partiake në koalicionin qeveritar.  Që nga lufta e këndej kanë mbetur shumë lëndë pa u shqyrtuar duke u vjetruar, janë zhdukur prova e dokumente, dhe deri më tani as Qeveritë që kanë kaluar e as EULEX-i nuk kanë mundur të përfundojnë ndonjë rast si duhet. Edhe tash jam pak optimist se do të ketë përparim, ndonëse është kushti i fundit për ta përmbushur për liberalizimin e vizave dhe Qeveria do të duhej të reflektojë shpejt dhe konkretisht!’’, thotë Salihu.

Qeveritë pa asnjë veprim

Edhe deputeti Faton Topalli nga GDP, e cilëson si të vështirë këtë proces pasi sipas tij, krimi i organizuar dhe korrupsioni janë të pranishme në Kosovë tash e 18 vite.

Image
Faton Topalli

‘’Vizita e Delegacionit të Bashkimit Evropian, është e rëndësishme për liberalizimin e vizave. Do të doja shumë që të jenë bërë përparime në këtë drejtim dhe qytetarët e Kosovës të lëvizin të lirë. Luftimi i këtyre dy dukurive është edhe kërkesë e qytetarëve të Kosovës. Korrupsioni dhe krimi i organizuar kanë lëshuar rrënjë në Kosovë gjatë 18 viteve të fundit, prandaj dhe luftimi i tyre do të jetë i vështirë, sidomos për faktin që të dy fenomenet kanë pasur për kohë të gjatë lidhje me politikën në nivele të ndryshme të qeverisjes. Duka pasur parasysh situatën e tërësishme më duhet të them, që asnjë prej qeverive të deritashme nuk ka bërë veprimet e duhura që këto dy dukuri të luftohen suksesshëm. Megjithatë, ne nuk jemi larg vendeve të rajonit sa i përket luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit prandaj dhe do të ishte e padrejtë që vetëm qytetarëve të Kosovës në Evropë t’u cenohet e drejta e lëvizjes së lirë’’, thekson Topalli për gazetën ‘’Bota sot’’.

Trysni ndaj Kosovës

Në anën tjetër, analisti Mustafë Kadrijaj, vlerëson se Bashkimi Evropian ushtron trysni më të lartë ndaj Kosovës, sesa ndaj shteteve tjera të Ballkanit.

Image
Mustafë Kadrijaj

‘’Duke u bazuar në praktikat e deritanishme se si i trajton Bashkimi Evropian vendet e Ballkanit e veçanërisht Kosovën, pra me një dozë relativisht të lart të mos besimit duke qenë shumë strikte në hapjen e perspektives ndaj këtyre shteteve, sepse Evropa nuk është e kënaqur edhe me ato shtete që janë anëtare të BE-së si Rumania, Bullgaria, Hungaria sa që Bashkimit Evropian po i kushton edhe Greqia si anëtare e vjetër dhe bashkëthemeluese e BE-së. Në rastin e Kosovës si duket Bashkimi Evropian si parakusht të fundit do ta ketë luftimin e korrupsionit nga institucionet tona”, ka thënë ai.

“Kjo është diçka normale e pritshme dhe i bënë mirë Kosovës në perspektiven e ardhshme, por duke u bazuar në nivelin qeverisës dhe legjislativin e tanishëm ka pak shpresa që do të marrin hapa në këtë drejtim kështu që në fund po pëson qytetari që më së paku është fajtor. Pra qytetari i Kosovës është lodhur dhe nëse vazhdon ky izolim i Bashkimit Evropian, është rrezik që do të marrin rrugët ilegale për largim nga Kosova, sepse këtu perspektivë nuk ka me këtë nivel të qeverisjes. Poashtu, me këtë mbyllje nga Bashkimi Evropian mund të përsëritet janari i vitit 2015 me një shpërngulje masive duke marrë rrugën e mërgimit, pa ditur se ku në fakt do të shkojnë, por lodhja që nga pas lufte, pa persepktivë ekonomike nuk kanë më shpresë për ditë më të mira, po flas duke u bazuar në qeveritë e deritanishme dhe me këtë nivel të legjslativit’’, është shprehur Kadrijaj për gazetën ‘’Bota sot’’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat