Haradinaj nën hijen e Thaçit dhe Veselit

Politika

Haradinaj nën hijen e Thaçit dhe Veselit

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 5 maj 2018 Në ora: 10:46
Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi

“Nuk e di”, mund të konsiderohet si thënia më e përdorur e kryeministrit Haradinaj gjatë mandatit të deri tanishëm.

Që nga ardhja e tij në pushtet, Kryeministri Ramush Haradinaj, nuk i ka ditur shumë zhvillime që kanë ndodhur në qeverinë e tij.  E këtë mosdijen e ka konfirmuar edhe vetë.

Njëra ndër ato çështje që Haradinaj nuk i dinte, ishte arrestimi dhe deportimi i gjashtë qytetarëve turq nga ana e policisë së Kosovës, AKI-së dhe inteligjencës turke.

Pas deportimit të tyre, Kryeministri Haradinaj deklaroi publikisht se ai nuk ka qenë i informuar lidhur me këtë aksion, edhe pse arrestimi i tyre ishte bërë temë e ditës në mediat elektronike dhe ato të shkruara.

Tjetër rast, kur Haradinaj u tregua i painformuar ishte momenti kur u pyet se a ka informacion ai për bisedimet e fshehta ndërmjet presidentit të vendit, Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksandër Vuçiq për ndarje të Kosovës.

Në fakt, ai nuk ishte i gatshëm që ta udhëheqë dialogun me Serbinë, duke ia lënë zyrtarisht në dorë Thaçit, e arsyetimi i tij ishte se nuk ka kohë për dialog, duke e konsideruar si çështje të vogël.

Rolin e tij si kryeministër e anashkaloi edhe në momentin e emërimit të shefit të ri të AKI-së, Shpend Maxhunit, duke ia lënë “vendimin e vështirë” prapë Thaçit.

Pasojat e koalicionit me PDK-në

Image
Drita Millaku

Drita Millaku, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës ka folur për “Bota sot”, lidhur me këtë, duke thënë se Haradinaj po anashkalohet në masë të madhe për dy arsye. Ndërsa shton, se të gjithë ata që kanë hyrë në koalicion me PDK-në, janë injoruar dhe anashkaluar plotësisht.

“Po roli i Haradinajt po anashkalohet dhe atë në masë të madhe për dy arsye. Të gjithë ata që janë hy në koalicion me PDK-në janë injoruar dhe anashkaluar, pasi që kjo parti ka struktura të cilat janë paralele dhe me funksione të dyfishta shtetërore të cilat përdoren si mekanizëm jo vetëm për të injoruar partneret e koalicionit, por edhe për të qenë pushtet faktik në Kosovë si në rastin e gylenisteve, ku këto struktura bashkë me presidentin e vendit kryen punën e vet”, tha ajo.

Millaku, thekson se Haradinaj duke e ditur pafuqinë e tij politike, është i varur nga PDK-ja dhe është i detyruar që të heshtë ndaj anashkalimeve që i bëhen.

“Por, edhe Haradinaj duke ditur fuqinë politike dhe duke qene i varur nga pushteti formal heshtë ndaj anashkalimeve që i bëhen”, tha Millaku.

Islami: Haradinaj i pafuqishëm karshi Thaçit

Image
Gazmend Islami

Ndërsa, kryetari i Balli Kombëtar Demokrat dhe analisti i njohur, Gazmend Islami, tha për “Bota sot” se Thaçi e ka kapur shtetin dhe strukturat e saj që nga koha e qeverisë së përkohshme, e Haradinajn e quan si një lodër të Thaçit që nuk ka fuqi politike të jetë vendimmarrës në temat e mëdha.

 “Unë e kam thënë edhe më herët dhe po e potencoj prapë që Hashim Thaçi që nga qeveria e përkohshme e zgjedhur në vitin 1999, duke shfrytëzuar mekanizmat e shtetit shqiptar, pra duke sjellë nga Shqipëria njerëz që kanë punuar në SHISH, ka ditur mirë ta menaxhojë dhe të kapë strukturat kyçe të shtetit. Mendoj që Haradinaj është një lodër e tij, sepse mendoj që Thaçi i ka të gjitha mekanizmat aty dhe Haradinaj është vetëm si një figurë aty. Jo që Haradinaj nuk dëshiron të jetë vendimmarrës në temat e mëdha të shtetit, mirëpo nuk e ka fuqinë politike ta bëj atë dhe nuk do ta ketë asnjëherë”, tha Islami.

Ai shton tutje se Thaçi dhe Veseli, po e varrosin njëherë e përgjithmonë nga skena politike fytyrën e Ramush Haradinajt.

“Pra, thjesht Thaçi e ka bërë Haradinajn kryeministër së bashku me Veselin, vetëm për t’i kaluar disa çështje të cilat i kanë pasur edhe më herët, por kryesorja është që ata po e varrosin njëherë e përgjithmonë nga skena politike fytyrën e Ramush Haradinajt”, shtoi Islami.

“Shteti privat i Thaçit”

Image
Rexhep Shahu

E publicisti Rexhep Shahu, thotë se Haradinaj me të vërtetë nuk i di zhvillimet politike që ndodhin në qeverinë e tij, për arsye se Thaçi ka monopolin dhe njerëzit e tij që i ndan vetëm me ata sekretet, e këto mosdije të Haradinajt, Shahu thotë se kjo tregon që shtetin e ka privatizuar Hashim Thaçi.

“Unë besoj se Haradinaj nuk ka dijeni, nuk ka informacionin e duhur për shume gjëra në Kosovë pasi Thaçi i gjithëpushtetshëm ka mbajtur monopolin në gjithë drejtimin e vendit me sekretet e tij dhe njerëzve te tij. Deklaratat e kryeministrit Haradinaj për mos pasje dijeni tregon shtetin privat të Thaçit, Tregon në fund të fundit se pse kanë ndodhur ngërçe të shpeshta në Kosovë”, theksoi Shahu.

Tutje, ai shton se Thaçi e sheh Haradinajn si një shtesë të tij dhe ai anashkalohet për shkak të arrogancës së Thaçit, pasi sipas Shahut, ai e sheh Kosovën si pronë të tij.

“Edhe sot që Haradinaj është kryeministër, Thaçi e sheh si shtesë të tij, e sheh si zgjatim të tij Haradinajn dhe nuk e mendon dot që kryeministri të ketë pavarësi, të ketë autoritet e dijeni në gjithë gjërat që ndodhin në jetën e Kosovës. Haradinaj anashkalohet nga Thaçi për shkak të arrogancës së Thaçit dhe për shkak se Thaçi e konsideron Kosovën pronë të tij personale dhe nuk e koncepton që ndonjë autoritet të dalë jashtë kontrollit te tij”, përfundoi Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat