Përfundimi i mandatit të EULEX-i varet nga vlerësimi i SHBA-së dhe BE-së

Politika

Përfundimi i mandatit të EULEX-i varet nga vlerësimi i SHBA-së dhe BE-së

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 9 maj 2018 Në ora: 07:41
EULEX

“Unë mendoj se edhe zyrtarët e SHBA-së dhe të BE-së do të japin një mendim se a duhet EULEX-i të qëndrojë ende në Kosovë”, thotë për “Bota sot”, profesori universitar Muhamet Kelmendi.

Përfaqësues të shoqërisë civile dhe njohës të zhvillimeve politike në vend, e vlerësojnë negativisht, Misionin Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), por ata nuk pajtohen me deklaratën e ministrit të drejtësisë Abelard Tahiri, i cili ka thënë se Kosova ka kapacitete për të bërë punën në përputhje me ligjet, pa pasur nevojë për një mision ekzekutiv të EULEX-it.

Ata thonë se nëse jo nga EULEX-i, institucionet vendore ende kanë nevojë për këshilla dhe ndihmë juridike nga ekspertë të BE-së dhe SHBA-së.

Zyrtarisht, EULEX-it i skadon mandati në muajin qershor të këtij viti. Kësisoj, deputetët e Kuvendit të Kosovës deri në këtë muaj duhet të votojnë një projektligj të ri për vazhdim ose përfundim të mandatit të këtij institucioni.

Nga ana tjetër, deputetët e të gjitha partive politike shqiptare thonë se tanimë Kosova mund të funksionojë edhe pa ndihmën e zyrtarëve të këtij emisioni. Për këtë ata presin, që në qershor të votohet projektligji për përfundim e mandatit misionit të BE-së më Kosovë.

Por, që projektligji të dërgohet për votim në Kuvend, ai duhet paraprakisht të hartohet nga ana e Qeverisë.

Gazeta ka dërguar pyetje me shkrim në adresë të ekzekutivit për të marrë ndonjë informacion se a po punohet në hartimin e projektligjit lidhur me të ardhmen e Misionit të BE-së, por askush nuk është përgjigjur.

Kelmendi: Për EULEX-n nevojitet një vlerësim i BE-së dhe SHBA-së

Profesori universitar i së drejtës juridike, Muhamet Kelmendi, thotë se nuk është Qeveria ajo që përfundimisht mund të vendos për përfundimin e mandatit të këtij misioni.

Image
Muhamet Kelmendi

“Natyrisht që Abelard Tahiri është një person që në kuadër të qeverisë, një ministër i cili ka shprehur mendimin e tij. Por, ai nuk është personi adekuat, sepse nuk është qeveria ajo që duhet të vendos përfundimisht me të ardhmen e EULEX-it. Mandatin e këtij misioni e ka caktuar Kuvendi i Kosovës dhe kuvendi është ai institucioni, i cili në muajin qershor duhet të vendos të vazhdojë ose jo mandatin e EULEX-it”, thotë Kelmendi për “Bota sot”.

Megjithatë, ai thotë se përfundimi i mandatit të këtij misioni ndihmon në përforcimin e shtetësisë së Kosovës.

“Mendoj se aktualisht Kosova ka dy çështje që duhet të theksohen në kuptimin e sovranitetit, sepse pushteti i Kosovës po të ishte në nivelin e duhur bartja e kompetencave të EULEX-it tek institucionet vendore do të thotë një sovranitet i plotë”, deklaron ai.

Por, sipas Kelmendit, për këtë çështje nevojitet edhe një vlerësim nga ana e BE-së dhe SHBA-së.

“Unë mendoj se edhe zyrtarët e SHBA-së dhe të BE-së do të japin një mendim se a duhet EULEX-i të qëndroj ende në Kosovë”, thotë Kelmendi për “Bota sot”.

Ai shtoi se Kosovës ende i duhen gjyqtarë të EULEX-it dhe të SHBA-ve në kuptim të rritjes së kapaciteteve në sistemin gjyqësore dhe në drejtim të dhënies së këshillave tek institucionet vendore.

EULEX-i vlerësohet negativisht

Analisti Haki Abazi, thotë se Kosovës nuk i duhet më EULEX-i, pasi që sipas tij, ky mision identifikohet me disa skandale.

Image
Haki Abazi

“Kosovës nuk i duhet një EULEX-i që është në funksion të kapjes se shtetit. EULEX ka qenë vetë sabotues dhe me skandalet e njëpasnjëshme dhe me dështimin historik në rastin “Toka” ka treguar që mekanizmi i drejtësisë Evropiane përveç që ka dështuar të krijoj standarde të drejtësisë nëpërmjet njerëzve të infiltruar, e fakt është bërë sabotues i drejtësisë”, thotë Abazi për “Bota sot”.

Sipas tij, ky mision është vetëm një barrë për taksa paguesit evropian.

“EULEX është turpi i bashkësisë evropiane njëjtë sikurse edhe UNMIK në shtyllën e drejtësisë. Rrjedhimisht EULEX nuk i duhet Kosovës, sepse se paku e dimë që nuk ka arsyetues dhe shkresa të rrejshme shpenzim koti të parave të taksapaguesve Evropian”, shtoi Abazi”.

Ngjashëm me Abazin, mendon edhe Arton Demhasaj, drejtori i organizatës “Çohu”, që merret me monitorimin e luftimit të korrupsionit.

“Duke marrë parasysh punën që e ka bërë EULEX-i, nuk është se ka bërë diçka shumë të madhe që mund të vërehet mungesa e tij”, thotë Demhasaj.

“Si kuadër të vlerësimit të punës së EULEX-it, nuk mund të themi se ky institucion ka bërë shumë punë që u ka ndihmuar institucioneve tona në luftimin e krimit dhe korrupsionit gjë që në kuadër të asaj nuk besoj se ka me lënë ndonjë hapësirë shumë të madhe”.

Megjithatë, Demhasaj thotë se pavarësisht mos suksesin e EULEX-it, ky institucion ka ndikuar sa do pak tek zyrtarët e lartë që ata mos të shkelin ligjin.

“Në anën tjetër, prania e një misioni të tillë në Kosovë ndoshta ka ndikuar që të paktën zyrtarë të lartë publik të korruptuar të mos sillen bash lirisht”, shtoi Demhasaj.

Institucionet e drejtësisë ende kanë ngecje

Nga ana tjetër, analistët thonë se institucionet vendore ende kanë ngecje në sundim të ligjit.

“Shkuarja e EULEX-it nuk do të thotë që drejtësia Kosovare është maturuar përkundrazi me rritjen e krimit politik dhe kontrollit të shtetit kemi parë dobësim të drejtësisë dhe fuqisë se institucioneve të gjyqësorit për të sjellë para drejtësisë njerëzit me fuqi politike”, thotë Abazi për “Bota sot”.

Ai shtoi se kjo gjë do të vazhdojë përderisa në Kosovë do të mbretërojë mungesa e vullnetit politik për shtet të së drejtës dhe ligjor.

Se institucionet vendore nuk kanë treguar sukses në sundim të ligjit, e thotë drejtori i “Çohu”, Arton Demhasaj.

Image
Arton Demhasaj

“Sa i përket luftimit të korrupsionit nga ana e institucioneve tona, kjo len për të dëshiruar sepse nuk është që kemi pasur shumë raste për të cilat prokuroria i ka hetuar dhe i kryer suksesshëm edhe gjykatat që kanë nxjerr vendime meritore për këto lënde”, thotë ai.

Ai thotë se është shqetësues numri i madh i aktakuzave që hedhen poshtë si të pa baza.

“Ne e dimë që diku rreth 50 për qind të aktakuzave të prokurorive që ngritin hidhen poshtë dhe kjo është shumë shqetësuese. Plus shumë vendime të gjykatave që lidhen me korrupsionin janë dënime me kushte ose me gjobë që në njëfarë mënyrë, jo që nuk e luajnë rolin e vet kundrejt lëndës për të cilën bëhet fjalë, por në përgjithësi nuk është se e parandalon korrupsionin”, shtoi Demhasaj.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës, me 17 qershor të vitit 2016, me 84 vota pro dhe 6 kundër projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, mbi misionin e Bashkimit Evropian për sundim të ligjit në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat