Serbia tregoi fytyrën e saj të vërtet para Vjosa Osmanit

Politika

Serbia tregoi fytyrën e saj të vërtet para Vjosa Osmanit

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 10 maj 2018 Në ora: 07:08
Vjosa Osmani

Para pak ditësh, kryetari i Komitetit për Integrim Evropian të Kuvendit të Serbisë, Nenad Çanak,  ftoi në tubimin që do të organizonte edhe kryetaren e Komisionit për Punë të Jashtme të Kosovës, Vjosa Osmanin.

Mirëpo, presioni i Sheshelit, partia e të cilit është opozita më e madhe në kuvendin e Serbisë, ka bërë që Kryetarja e Kuvendit Gojloviç, të anuloi ftesën për zonjën Osmani me arsyetimin “se nuk mund të ftohen përfaqësuesit e të ashtuquajturave shtete që nuk i njeh Serbia”. Ne fakt ishte presioni i Sheshelit, dhe medieve të  lidhura me radikalët, që ndikuan për anulimin e ftesës për zonjën Osmani.

Siç dihet Vjosa është ndër zërat më të respektuar në kuvendin e Kosovës, dhe e cila shihet nga shumë qytetarë si brezi i shpresës për Kosovën. Mbase, kjo edhe ka frikësuar serbët, pasi me gjasë Vjosa edhe në kuvend të Serbisë s`do kishte frikë që t’iu hidhte në fytyrë realitetin për Kosovën, si shtet i pavarur. Ndalimi i Vjosës për të marrë pjesë në tubim si dhe ndalesën që ua bëri Serbia karateistëve të Kosovës për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të Karatesë në Novi Sad, tregojnë më së miri anën e errët të Serbisë karshi realiteti.

Fatkeqësisht, Serbia ende është e mbërthyer nga nacionalistë, të cilët janë fajtorë për luftërat dhe masakrat më të tmerrshme që kanë ndodhur ne ish Jogusllavi, të frymëzuar pikërisht nga këta nacionalistë. Në ditën e Evropës, Serbia tregoi fytyrën e saj të vërtet, atë të shtetit jo të civilizuar dhe që nuk pranon mendimin kundër. Serbia me veprimin e saj ndaj Vjosës  dhe sportistëve, është zhveshur nga maska që e mbante karshi BE dhe SHBA, si një shtet që respekton të tjerët dhe, që dëshiron vetëm paqe. Serbia nuk po arrin dot të shkëputet nga fryma e urrejtjes ndaj të tjerëve qe iu nguliti Milloshevici, sidomos ndaj Kosovës ka mbetur e njëjta.

Megjithëse opinioni në Serbia ka lëvizur pakëz, klasa politike ka mbetur e njëjta. Janë po njerëzit e Millosheviçit ende në pushtet, disa nga të cilët kanë vënë maska përpara botës, por mjafton një erë që t’i zhvesh nga kostumi i rremë.

Serbia, duhet të reflektoj, jo për hir të Kosovës, por për hir të vetës, të atyre njerëzve që vërtet nuk duan më luftë por paqe, dhe që dëshirojnë të ballafaqohen me realitetin, jo të jetojnë me mite se “ Kosova është vend i Shenjtë i Serbisë’ dhe përralla të ngjashme.

Vjosa Osmani, arriti që në Ditën e Evropës të tregoj fytyrën e vërtetë të Serbisë, edhe përpara atyre që thoshin se Serbia ka ndryshuar, Jo, është e njëjta Serbi, fanatike dhe agresive ndaj të tjerëve. Sot Serbia përpara botës ka shfaqur anën e saj të vërtetë, ndërsa Vjosa dëshmoi se është brezi i shpresës, për të cilën Kosova ka shumë nevojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat