Lufta Veseli – Thaçi brenda PDK-së dhe kërcënimi me zgjedhje

Politika

Lufta Veseli – Thaçi brenda PDK-së dhe kërcënimi me zgjedhje

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 10 maj 2018 Në ora: 08:33
Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi

“Padyshim riorganizmi i partisë, takimet dhe sondazhet janë disa prej elementeve të cilat Kadri Veseli e shikon popullaritetin e tij dhe PDK dhe mundësinë që në koalicion parazgjedhor të hyjë si kandidat për kryeministër sepse lëshimi pe edhe kësaj radhe vetëm e dobëson PDK dhe figurën e Veselit brenda simpatizantëve të PDK kur e krahasojmë me kohën e Hashim Thaçit andaj tereni po përgatitet për zgjedhje për kohë edhe elemente tjera sigurisht duhet parë terreni edhe proceset në partitë tjera politike”, thekson Lirim Zorra.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, tash e disa javë ka filluar  të bëjë “fushatë”  nëpër komuna të Kosovës,  një gjë  të ngjashme sikurse atëherë kur kishte qenë në koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Të shtunën e kaluar, Veseli kishte zgjedhur Pejën për të folur për rininë. Aty, ka thënë se ai kushdo që ka marrë përgjegjësi duhet të bëjë punë, e jo të dështojë. Ka thënë se PDK është partia e vetme që u ka dhënë më së shumti hapësirë të rinjve.

Në Dukagjin, Kryetari i PDK-së e ka vazhduar fushatën e nisur me sloganin “Dekada e re”.

“Ne duhet të punojnë që ta ruajmë rininë të jetojë në Kosovë”, ka thënë Veseli, nga Peja.

“Kur ju voton dikush dijeni se ju beson. Mos e zhgënjeni kurrë. Dështimi në fund i mbetet atij që ka qenë i zgjedhur”, ka thënë Veseli, në Pejë.

Image
Rexhep Shahu

Presioni ndaj Haradinajt

Analistët politikë thonë, se kryetari i PDK-së, është duke i bërë presion Haradinajt si dhe është e kuptueshme që PDK-ja mund ta rrëzojë Qeverinë.

Analisti politik, Rexhep Shahu, thotë se Veseli shtëtitë nëpër zona të ndryshme, që ta mbajë elektoratin, mirëpo kjo shëtitje është kërcënim ndaj Qeverisë Haradinaj.

Veseli është duke i bërë presion Haradinajt dhe ta mbajë nën presion atë, sipas Shahut, ndërkaq për zgjedhje të parakohshme nuk është klima politike.

“Nuk besoj se është stina e klima politike për zgjedhje të parakohshme, por lëvizjet e këtij shahu politik janë për presione ndaj njëri- tjetrit. Veseli shëtit nëpër zona të ndryshme me mbajte të karikuar elektoratin, e ndërkohë shëtitja lexohet si kërcenim ndaj qeverisë Haradinaj, e cila është në fakt qeveria e Veselit, e PDK dhe vetëm shef qeverie është Haradinaj. Duke ia quajte Veselit si qeveri e tij, Haradinaj ia ka dhënë përgjigjen. Pra, nuk mendoj në zgjedhje të reja, por e shoh si presion i Veselit ndaj Haradinajt dhe nuk e di arsyen as e mendoj dot arsyen konkrete se pse, por mendoj se Veseli dëshiron të bëjë presion, ta ketë Haradinajn  nën presion. Ose ndoshta Veseli po i thotë, edhe Thaçit se jam unë tani partia, e po ia thotë përmes presionit ndaj Haradinajt”, pohon Shahu.

Mocion mosbesimi kundrejt qeverisë vazhdimisht paralajmëron Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërkaq krerët e dy partive të cilët bashkë qeverisin, kanë thënë se qeveria mund të rrëzohet vetëm nëse ka përkrahje nga ndonjëri prej subjekteve që janë në qeveri.

Kryeministri Haradinaj, kohë më parë në një intervistë për medie, kishte thënë se vetëm një njeri mund ta çojë vendin në zgjedhje.

Shefi i ekzekutivit kishte thënë se këtë mund ta bëjë vetëm Kadri Veseli.

“Mocionin e LDK-së duhet ta përkrahë ndonjëra prej partive në koalicion. Veç Veselit, vendin në zgjedhje mund ta çojë edhe ndonjë parti opozitare, por që i duhen votat e partive në pushtet”, kishte thënë kryeministri.

E deklaratë pak a shumë të njëjtë ka dhënë edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Ai tha se vendi mund të shkojë në zgjedhje vetëm nëse dëshiron kryeministri.

“Vetëm Haradinaj mund ta çojë vendin në zgjedhje, kur ai mendon se nuk po mund të kryejmë punë”, tha Veseli.

Image
Ramush Tahiri

PDK provokon me dalje nga koalicioni

Ramush Tahiri, analist politik shprehet se Haradinaj ka plotësisht të drejtë kur thotë se vetëm Veseli mund ta rrëzojë Qeverinë.

Mjafton një deklaratë tërheqje koalicioni, sipas Tahirit, qeveria mund të rrëzohet.

“Kryeministri Haradinaj ka plotësisht të drejtë kur thotë se Kadri Veseli mund ta rrëzojë Qeverinë e Republikës së Kosovës: mjafton të deklarojë tërheqjen nga koalicioni qeverisës ose mjafton po ashtu si është shprehur figurativisht Kryeministri Haradinaj të ju thotë disa deputetëve nga Drenica të mos e përkrahin Qeverinë. Deklaratë të ngjashme ka dhënë edhe zyrtari i lartë i PDK- së pas tryezës së partive politike, që tha se vetëm PDK mund ta çojë vendin në zgjedhje. Qeverinë Mustafa e rrëzoi partneri kryesor, i PDK pa asnjë paralajmërim por me arsyetim se PDK i takon Kryeministri si partisë më të votuar nga populli. Pikërisht Kadri Veseli që hoqi dorë nga të qenurit kryeministër ishte dhe është përkrahësi kryesor i Ramush Haradinajt dhe i koalicionit thënë kushtimisht të të fortëve apo të krahut të luftës. Edhe zëvendës kryetari i partisë Enver Hoxhaj kishte deklaruar se është koalicion i natyrshëm dhe se kështu bashkë do të shkojnë edhe në zgjedhjet lokale dhe të tjera dhe do të marrin mbi gjashtëdhjetë përqind të votave”, deklaron Tahiri.

Sipas tij, zgjedhjet PDK-ja i provokon në momentin që e vlerëson se partitë kundërshtare janë në krizë.

“Mundet që këto parti po e ndërtojnë platformën e përbashkët për qeverisje afatgjate dhe për marrjen e përgjegjësive të rëndësisë së veçantë si janë bisedimet me Serbinë që e veshën me pushtet dhe kompetenca Hashim Thaçin t’i udhëheqë dhe që e parapanë në Platformën e propozuar nga Qeveria. Fushatën e vizitave në teren të Kadri Veselit e shohë në këtë vazhdë. Ndërsa, zgjedhjet PDK i provokon në momentin që e vlerëson se partitë kundërshtare LDK e Vetëvendosje janë në krizë dhe e kanë të zvogëluar përkrahjen e qytetarëve. Kaq”, pohon Tahiri.

Më 10 maj 2017, Kuvendi i Kosovës kishte votuar mocionin e mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë Mustafa, pas afërsisht tre ore diskutimesh dhe akuzave të ndërsjella, me 78 vota, 34 deputetë kishin votuar kundër dhe 3 kishin abestenuar.

 Tahiri thotë se diskutimi i Enver Hoxhajt në Kuvend, ka bërë që ata të votonin mocionin e mosbesimit.

“Nga mësimet e së kaluarës e dimë se edhe pse ishin bashkë në Nju Jork në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, me tu kthyer Hashim Thaçi që në Aeroportin e Prishtinës në konferencën e shtypit deklaroi se nuk ka bashkëpunim me shkelësit e kushtetutës duke e nxitur kështu Fatmir Sejdiun të japi dorëheqje nga pozita e Presidentit të Kosovës, e jo nga pozita e Kryetarit të LDK, gjë që provokoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare me tërheqjen e LDK nga Qeveria. Gjithashtu edhe diskutimi i Enver Hoxhajt në Kuvend ju tha se si PDK janë të pakënaqur me performancën e Qeverisë Mustafa , që bëri që mocioni i votëbesimit të Qeverisë i nisur nga një parti minore të ketë dukeshës të plotë”, shprehet Tahiri.

Image
Lirim Zorra

Zorra: Lëshimi e dobëson PDK dhe figurën e Veselit brenda simpatizantëve të PDK

Ndërkaq, analisti politik Lirim Zorra, shprehet se rreziku i Qeverisë Haradinaj, ka ardhur nga PDK-ja, që nga dita e parë.

Sipas Zorrës, është mandati i dytë që PDK-ja nuk e ka pozitën kryesore në qeveri, atë të kryeministrit dhe sigurisht që kjo nuk është e mirë për ata.

“Që nga dita e parë e qeverisë Haradinaj rreziku i rrëzimit të kësaj qeveria ka ardhur nga PDK dhe Kadri Veseli sepse është partia e cila japi një pjesë të madhe të pushtetit AAK dhe NISMËS për të mundur të qëndrojë në pushtet. Andaj, çdo politikan serioz e dinë që opozita nuk ka numrat për rrëzim, Lista Serbe nuk e rrëzon qeverinë pa u miratu asociacioni dhe bllokimi i shndërrimit FSK në FAK për shkak pozitës së mirë me numra në koalicion.  Është mandati i dytë që PDK nuk e ka pozitën kryesore në qeveri atë të kryeministrit dhe kjo sigurisht që nuk është  ndonjë  që e mirë për PDK dhe kryetarin e saj. Padyshim riorganizmi i partisë, takimet dhe sondazhet janë disa prej elementeve të cilat Kadri Veseli e shikon popullaritetin e tij dhe PDK dhe mundësinë që në koalicion parazgjedhor të hyjë si kandidat për kryeministër sepse lëshimi pe edhe kësaj radhe vetëm e dobëson PDK dhe figurën e Veselit brenda simpatizantëve të PDK kur e krahasojmë me kohën e Hashim Thaçit andaj tereni po përgatitet për zgjedhje për kohë edhe elemente tjera sigurisht duhet parë terreni edhe proceset në partitë tjera politike”, thekson Zorra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat