Profesori i sigurisë flet për skenarin tronditës serb për njohjen e Kosovës

Politika

Profesori i sigurisë flet për skenarin tronditës serb për njohjen e Kosovës

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 11 maj 2018 Në ora: 15:30
Ilustrim

Kryetari i Partisë Liberale Demokratike të Serbisë, Çedomir Jovanoviq ka deklaruar sot se Serbia duhet ta thotë se dëshiron veriun e Kosovës, në mënyrë që të pranohet pavarësia e shtetit tuaj.

 “Çka Beogradi dëshiron? Beogradi dëshiron diçka.. e ju sigurisht thoni se kjo është e pamundur...Duhet të ulemi këtu para jush dhe të themi, këtë duam...veriun e Kosovës, atje moti nuk po bëhet jetë normale.. duhet thënë na e jepni veriun e Kosovës ne pranojmë pavarësinë e shtetit tuaj”, tha Jovanoviq në tryezën “Finalja e dialogut Kosovë-Serbi”, të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, duke treguar edhe njëherë skenarin tronditës serb për Kosovën.

Lidhur me deklaratën e tij, se a ekziston rreziku i marrjes së Veriut nga Serbia, profesori i fushës së sigurisë, Avni Islami, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, thotë se jo vetëm Veriu, por Serbia po të mundet e anekson gjithë Kosovën, një objektiv i Serbisë prej kohësh.

Image
Avni Islami

“Skenari i qeverisë së Serbisë, jo vetëm i kësaj por edhe i Qeverisë së mëparshme dhe strategji e tyre e pandryshuar është, objektiv i tyre jo vetëm për veriun e Kosovës, ajo është më e pakta që synojnë të arrijnë, mirëpo qëllimi i tyre po të kishte mundësi do ta aneksonin prapë Kosovën”, është shprehur ai.

Por, sipas tij, një gjë e tillë do të mbetet ëndërr për Serbinë, derisa është shtet dhe i njohur nga shumë vende të fuqishme në botë.

“Mirëpo, duke iu falënderuar rrethanave gjeopolitike dhe gjeostrategjike nga prani ushtarake e  NATO-s nga vendet më të fuqishme të botës që e kanë njohur Kosovën, duket se ajo ëndërr nuk do të realizohet për Serbinë”, shprehet ai më tej.

Profesori vlerëson se sa i përket Veriut, Serbia nuk ka mundësi që ta marrë, por po mundohet që ajo pjesë ta fitojë autonominë substanciale përmes Asociacionit dhe më pas ta bashkojnë me Serbinë. Por që sipas tij një gjë e tillë nuk mund të ndodhë dhe i është bërë e qartë nga bashkësia ndërkombëtare.

“Mirëpo kur kemi të bëjmë me Veriun të cilin e duan serbët e Kosovës, unë mendoj se në kuptimin klasik nuk ekziston asnjë mundësi që Serbia të ndërhyjë në Veriun e Kosovës por në tavolinë, në politikën e saj të jashtme, përmes serbëve lokalë është e interesuar që ajo pjesë ta fitojë autonominë substanciale që po mundohen ta bëjnë përmes Asociacionit të Komunave Serbe që do të ketë indigerenca dhe vendimmarrje për atë pjesë të veriut, kështu që për një kohë ata do të organizojnë një referendum për bashkëngjitjen me Serbinë. Besoj se bashkësia ndërkombëtare mjaft qartë ua ka bërë me dije se ajo nuk mund të ndodhë dhe se Kosova është e njohur nga shtetet më të fuqishme të botës dhe se projekti i Serbisë nuk do të mund të realizohet”, ka përfunduar Avni Islami për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat