Kancelarja Merkel trondit Hashim Thaçin

Politika

Kancelarja Merkel trondit Hashim Thaçin

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 12 maj 2018 Në ora: 10:29
Angela Merkel dhe Hashim Thaçi

Me bujë të madhe e proklamoi takimin me kancelaren Merkel, aq sa Hashimi nuk po e mbante dot veten nga gëzimi. Mbase ky gëzim arsyetohet me mungesën e ftesave për presidentin Thaçi, i cili ndodhet në pikën më të ulët të vëmendjes që nga koha kur PDK erdhi në pushtet në vitin 2007. Realisht vizita e një kryeministri të Kosovës  në Gjermani, është gjithnjë një moment shumë i rëndësishëm dhe një ngjarje më shumë peshë, por mesazhet e dhëna nga kancelarja Merkel, nuk janë ato që priste presidenti Thaçi. Pas takimi në konferencën e përbashkët për shtyp, ndër të tjera kancelarja Merkel dha mesazhin se “ Kosova duhet të shtojë përpjekjet kundër korrupsionit dhe papunësisë ”.  Si për ta larguar vëmendjen nga korrupsioni, për të cilin është edhe vetë përgjegjës, Hashimi u fokusuar tek faza përfundimtare e dialogut me Serbinë, e cila sipas tij “nuk do të jetë e lehtë”, por vlerëson se nuk ka rrugë tjetër për të ecur përpara.

Kancelarja Merkel flet për ne krenare, për shkak të kontributeve të vendit të saj në dobi të shqiptarëve në Ballkan, por edhe për shkak të angazhimit personal për zhvillimet aktuale në Shqipëri, Kosovë, e në të gjithë rajonin. Gjermania sot shihet si aleati më i afërt i Kosovës, ndikimi i saj në botë ndërlidhet  midis aleancës euroatlantike të simbolizuar nga SHBA-ja dhe Bashkimit Evropian perceptuar me Gjermaninë, prandaj edhe mesazhet e kancelares Merkel duhet të merren më shumë seriozisht. Jo më kot zonja Merkel përmendi korrupsionin, pasi ajo ka informacionin e nevojshëm se politika në pushtet tek ne vazhdon në mënyrë të vrazhdë t’i imponohet drejtësisë së vendit dhe të mbrojë kriminelët e llojeve dhe formave të ndryshme. Sidomos me këtë qeveri të tanishme raportet flasin se korrupsioni dhe krimi janë përkeqësuar në drejtimin e paduhur, duke sjellë jo vetëm mungesën e lirisë në tërësi, por edhe frikën nga diskriminimi dhe arroganca e qeverisjes.

Zonja Merkel ka gjithë informacionet e duhura se ishte pikërisht Thaçi, ai  cili me qeverinë e parë pas pavarësisë së drejtuar nga ai, mbolli korrupsionin duke e shndërruar atë në kancer të shtetit. Prandaj, i kërkohet pikërisht Thaçit që të jetë njeriu që të bëjë lëvizjen e parë në këtë drejtim, së pari duke hequr dorë nga kontrolli mbi prokurorët dhe gjyqtarët. Afera “ Pronto” dhe të tjerat janë të njohura për intelegjencën gjermane, përmes së cilave del në pah korrupsioni dhe kontrolli ndaj drejtësisë e diktuar nga Thaçi me servilët e tij.  Nëse shohim në brendësi të mesazhit të Angele Merkel, Kosova nuk do të ketë përkrahjen e Gjermanisë për liberalizim të vizave dhe as të pretendojë të futet në BE, pa luftuar korrupsionin. Konkretisht pa sjellë dëshmi të forta të arrestimit të “peshqëve të mëdhenj”, përfshirë këtu ish- ministra, mbi të gjitha kokën e Hashimit. Ky i fundit nëse nuk arrestohet për krime lufte, patjetër se një ditë do të përgjigjet për korrupsionin, falë të cilës ka blerë vila dhe bënë jetë luksi.  Kancelarja Merkel përfaqëson zërin e qytetarit të rëndomtë të Kosovës, i cili kërkon drejtësi, punë dhe jetë të dinjitetshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat