Avullohen rezolutat, humbet fuqia e Kuvendit

Politika

Avullohen rezolutat, humbet fuqia e Kuvendit

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 12 maj 2018 Në ora: 19:38
Kuvendi i Kosovës

Rezolutat e ndryshme që miratojnë deputetët e Kuvendit të Kosovës janë të gjata, mirëpo në shumicën e rasteve nuk kanë asnjë efekt.

Një shikim i shpejtë në arkivën online të Kuvendit të Kosovës, mund të gjeni shumë rezoluta gati për gjithçka, por të cilat në praktikë janë zbatuar fare pak.

Madje disa prej këtyre rezolutave, tash nga distanca kohore, mund të duken edhe paksa të vjetruara sikurse ajo për marrjen e kodit telefonik të Shqipërisë dhe funksionalizimi i tij në Kosovë.

Nëse hulumtojmë arkivën online të Kuvendit të Kosovës, periudha e gjashtë legjislative që filloi me Qeverinë Haradinaj, nuk figuron fare në listë.

Ndërsa, të pranishëm janë vetëm 5 periudhat e para legjislative.

Duke diskutuar rreth asaj se sa ka zbatueshmëri të këtyre rezolutave që miratohen nga deputetët e Kuvendit dhe a mund të konsiderohen të "kota" këto rezoluta meqenëse nuk gjejnë zbatimin e duhur, deputetët dhe analistët kanë folur për gazetën "Bota sot".

Po humbet fuqia e Republikës parlamentare

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se roli i Kuvendit të Kosovës po dobësohet jashtëzakonisht shumë.

Tutje, Haxhiu ka theksuar se qeveria po shpërfillë rezolutat për arsye se nuk janë duke iu përshtatur.

Image
Albulena Haxhiu

“Ajo çfarë po ndodhë si nga qeveria aktuale ashtu edhe nga qeveritë e kaluara, është që e kanë dobësuar jashtëzakonisht shumë rolin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Pra, Kuvendi e ka shumë të vështirë ta kryejë detyrën e tij dhe në këtë kuptim konsiderojë se rezolutat e Kuvendit janë vetëm obligim për qeverinë në atë formë në vazhdimësi janë duke  shpërfillur nga qeveria për shkak se nuk  janë duke ju përshtatur rekomandimet apo pikat që janë  votuar nga deputetët e Kuvendit. Konsideroj  se po humbet fuqia e Republikës Parlamentare por po ashtu po shkelet kushtetuta, kjo sepse qeveria nuk po i zbaton rekomandimet dhe pikat që po miratohen, pra është një tendencë për ta zbehur rolin e kuvendit dhe që qeveria të shkel me dy këmbë mbi kuvendin e Kosovës. Mendoj që duhet të kemi qeveri të subjektshme dhe të respektohet vota e deputeteve  sepse është vota e qytetareve brenda kuvendit. Pra, kjo është edhe një arsye pse duhet të angazhohemi që vendi të shkojë në zgjedhje”, ka thënë Haxhiu.

Rezoluta “të kota”

Avokati i njohur, Tomë Gashi, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se duhet të ndodhin “sanksione” për ata të cilët nuk i përfillin rezolutat.

Image
Tomë Gashi

Gashi ka shtuar se do të ishte mirë që zyrtarët e Kuvendit të kujdesen më shumë që të gjitha rezolutat të zbatohen ose të hiqen fare si formë e punës së Kuvendit, nëse nuk kanë fuqinë e barabartë me ligjin, sepse humbet shumë kohë dhe energji për t'i nxjerrë.

“Rezolutat e Kuvendit të Kosovës mund lirisht të konsiderohen të kota, pasi që ato zbatohen vetëm në raste të rralla dhe atë varësisht prej interesave të partive në pushtet. Deri më sot janë të rralla rezolutat që janë zbatuar nëse kanë qenë të propozuara nga partitë opozitare. Edhe pse me rregullore të kuvendit janë formalisht të obligueshme të zbatohen kjo thuajse se nuk ndodhë kurrë pasi që nuk ka kurrfarë “ sanksionesh” për ata që nuk i zbatojnë. Kështu që do të ishte mirë që zyrtarët e kuvendit të kujdesen më shumë që të gjitha rezolutat të zbatohen ose të hiqen fare si formë e punës së kuvendit nëse nuk kanë fuqinë e barabartë me ligjin, sepse humbet shumë kohë dhe energji për t'i nxjerrë – Aprovimi i rezolutave dhe pastaj shpesh mbetet letër e thatë, pa shpirt që askush nuk e zbaton”, ka thënë Tomë Gashi.

Miratimi i rezolutave, përpjekje fallco  për zgjedhje te problemeve

Duke folur rreth asaj se sa ka zbatueshmëri të rezolutave që miratohen nga deputetët e Kuvendit dhe a mund të konsiderohen të "kota" këto rezoluta meqenëse nuk gjejnë zbatimin e duhur, avokati Adrian Gjoshi ka thënë për “Bota sot”, se historikisht rezolutat në Kosovë kanë pasur zero efekt në adresimin e çështjeve me interes për vendin.

Image
Adrian Gjoshi

Sipas tij, miratimi rezolutave nga ana e kuvendit mbetet një përpjekje fallco për të adresuar dhe zgjidhur problemet shtetërore e qytetare.

“Historikisht rezolutat në Kosovë kanë pasur zero efekt në adresimin e çështjeve me interes për vendin. Sipas tij, miratimi rezolutave nga ana e kuvendit mbetet një përpjekje fallco për të adresuar dhe zgjidhur problemet shtetërore e qytetare. “Përmes rezolutave kuvendi cakton agjendën e ekzekutivit dhe kërkon përgjegjësi për zbatimin e tyre. Mirëpo, deri tani në mungesë vullneti nuk janë krijuar mekanizma që do të ndihmonin zbatimin e rezolutave”, ka thënë avokati Gjoshi.

Qeveria të respektojë aktet e nxjerra nga Kuvendi

Hulumtuesi i lartë i KDI-së, Artan Murati, ka thënë për “Bota sot” se këtë vit, rastet kur votimi i rezolutave ka dështuar, kanë qenë të shpeshta, si rezultat i mungesës së kuorumit.

Image
Artan Murati

Tutje Murati ka theksuar se deputetët e Kuvendit do të duhej që pa dallime politike të kërkojnë llogari nga zyrtarët e ekzekutivit për moszbatim të rezolutave.

“Një nga kompetencat kryesore të Kuvendit është edhe miratimi i rezolutave, që në thelb, paraqesin vullnetin politik të organit ligjvënës karshi një teme të caktuar. Mirëpo, marrë parasysh faktin se rezolutat nuk kanë efekt ligjor detyrues, dhe Kuvendi i Kosovës nuk ka mekanizma sanksionues për mos implementimin e rezolutave, është krijuar praktikë e moszbatimit të tyre nga organet përgjegjëse. Pra, zbatimi i rezolutave, mbetet nën vullnetin e institucioneve të cilat ato u drejtohen, që ato të merren parasysh dhe të adresohen. Këtë vit, rastet kur votimi i rezolutave ka dështuar, kanë qenë të shpeshta, si rezultat i mungesës së kuorumit. Por, edhe rastet kur rezolutat janë miratuar, ato nuk kanë gjetur zbatimin e duhur. Një praktikë e tillë do të duhej të eliminohej, dhe institucionet, përkatësisht Qeveria, do të duhej të respektonin aktet e nxjerra nga Kuvendi. Kurse, në anën tjetër, deputetet e Kuvendit do të duhej që pa dallime politike të kërkojnë llogari nga zyrtarët e ekzekutivit për moszbatim të rezolutave”, ka thene Artan Murati

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat