Kushti për Kosovën dhe mesazhi i qartë nga Angela Merkel

Politika

Kushti për Kosovën dhe mesazhi i qartë nga Angela Merkel

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 15 maj 2018 Në ora: 10:24
Hashim Thaçi dhe Angela Merkel

Gjatë javës së kaluar Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u prit në takim nga Kancelarja Gjermane Angela Merkel, e cila ka ritheksuar edhe njëherë se Gjermania është aleate e Kosovës dhe se e mbështet rrugën e saj integruese drejtë Bashkimit Evropian.

Për më tepër, në konferencën për media, të mbajtur nga Merkel dhe Thaçi, kancelarja gjermane ka kërkuar që institucionet e Qeverisë së Kosovës të përqendrohen në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Gjermania mbetet aleat i fuqishëm i Kosovës duke mbështetur rrugën e saj integruese për në Bashkimin Evropian. Por para kësaj duhet që Kosova ta luftoj korrupsionin dhe krimin e organizuar”, ka potencuar Merkel.

Kërkesat e BE-së ndaj Kosovës

Image
Naser Rugova

Lidhur me këtë, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, ka thënë për “Bota sot”, se luftimi i krimit dhe korrupsionit kërkohet të luftohet në çdo takim me liderët institucional të vendeve të fuqishme të BE-së me zyrtarët vendor.

“Në çdo takim zyrtar të krerëve institucional të Kosovës, nga liderët institucional të vendeve të fuqishme të BE ju kërkohet luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, që është kriteri kryesor për etapat integruese në BE për vendet pretendonte. Këtë kërkese e bëri edhe kancelarja Merkel  në takimin me presidentin e Kosovës”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Ai ka shtuar se për shkak të një klase politike të papërgjegjshme dhe një qeverisjeje të dobët nuk mund të izolohet një popull.

“Ky kriter do të jetë krucial bashkë me reformat e thella në sistemin gjyqësor të vendit. Për liberalizimin e vizave për qytetaret e vendit tonë presim vendime konkrete nga institucionet relevante të BE - së, sepse për shkak një klasë politike të papërgjegjshme dhe një qeverisjeje të dobët dhe kaotike nuk mund të izolohet një popull”, ka deklaruar Rugova për “Bota sot”.

Image
Faik Krasniqi

“Korrupsioni nuk mund të luftohet nga ata që e instaluan”

Kurse, analisti politik, Faik Krasniqi, ka thënë se kriteri i vendosur nga BE-ja për luftimin  e krimit të organizuar dhe korrupsionit, është i pakuptim dhe kusht joserioz , pasi që nuk mundë të luftohet nga ata që e kanë instaluar.

“Kushti i BE-së për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, më duket kusht shumë i pakuptimtë. Pse po e them këtë? Sepse krimi i organizuar dhe korrupsioni nuk mund të luftohet nga ata që e kanë instaluar, nga të korruptuarit e të kriminalizuarit e politikës. Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit luftohet kur këta politikanë nuk do të jenë më pjesë e politikës. Sidoqoftë, ky nuk është kusht serioz i BE-së. Komisioni Evropian përgatitë një propozim ligjor në të cilin konstaton që Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret dhe procedohet në të njëjtën kohë në Parlamentin Evropian dhe Këshillin e BE-së. Propozimi shqyrtohet fillimisht në Parlament nga Komisionet parlamentare dhe më pastaj diskutohet në seancë plenare. Propozimi mund të ketë deri në dy lexime dhe pastaj votohet. Pastaj Parlamenti Evropian e dërgon në Këshill të BE-së, ku do të diskutohet në formatin e Ministrave të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme të të gjitha shteteve. Edhe në Këshill do të ketë votim, për të cilin kërkohet shumicë e kualifikuar”.

“Në të dyja institucionet shumica e kualifikuar do të arrihej edhe nëse deputetët, gjegjësisht ministrat e shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën të votonin kundër. Në qoftë se vendimi përfundimtar për liberalizim merret më 4 qershor, atëherë liberalizimi do të mund të ndodh deri në fund të vitit, duke llogaritur kohën që kërkon për implementim të liberalizimit (6 muaj), dhe duke ia shtuar një kohë minimale të marrjes së këtij vendimi 3 muaj pas ratifikimit të Demarkacionit. Në të kundërtën deri në janar ose shkurt të 2019, qytetarët e Kosovës nuk do të mund të lëvizin lirshëm në shtetet e BE-së!”, ka potencuar Krasniqi për “Bota sot”

Image
Lirim Zorra

Korrupsioni dhe krimi i organizuar, problematike për shtetndërtimin

Kurse, njohësi i çështjeve juridike, Lirim Zorra, ka deklaruar se në çdo raport të progresit të  Komisionit Evropian, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit shihen si problematike në shtetndërtimin e Kosovës dhe  forcimin ekonomik dhe juridik të Kosovës.

“Luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuare nuk është një çështje e re e cila përmendet  në vizitat ose takimet me përfaqësuese të lartë të vendeve kryesore të botës, sepse në çdo raport të progresit të  Komisionit Evropian këto çështje shihen si  problematike në shtetndërtimin e Kosovës dhe  forcimin ekonomik dhe juridik të Kosovës”, ka thënë ai.

Për më tepër, Zorra ka shtuar se Merkeli  gjithmonë ka synuar të cek se Kosova është eksportues i krimit dhe një vend me probleme të mëdha të korrupsionit.

“Kosova është eksportues i krimit dhe  një vend  me  probleme të mëdha të korrupsionit andaj  edhe  Merkeli  gjithmonë ka synuare të cek këto elementet me politikanët  e Kosovës që rruga drejtë BE është e bllokuar për Kosovën pa reforma,  sa i përket  çështjes se liberalizimit të vizave nuk është Merkeli  që vendos  fillimisht pritet opinioni i Komisionit Evropian pastaj është Këshilli i Ministrave i përberë nga 28 ministra të punëve të brendshme të cilët  duhet të vendosin me shumicën e kualifikuar  një  metodë ku  55% e shteteve të BE duhet të votojnë pro  e që përfaqësojnë 65%  të popullsisë së BE andaj  Merkeli  nuk hynë në premtime ose punët  e organeve të tjera të  BE ose qeverise gjermane”,  ka deklaruar Zorra për “Bota sot”.

Image
Hidajet Ahmeti

Mesazh i qartë nga Merkel

Ndërkaq, analisti politik Hidajet Ahmeti ka theksuar se mesazhi i qartë nga Merkel nuk është për t’u injoruar nga institucionet e Kosovës.

“Mesazhi i kancelares  gjermane, Angela Merkel është një mesazh dashamirës, i drejtë, e real, por njëkohësisht brenda  kornizës së sinqeritetit e seriozitetit të shtetit gjerman karshi Kosovës. Ky mesazh i qartë  nga zonja Merkel  nuk është për t’u  injoruar nga institucionet e Kosovës, por është një  sinjal i drejtpërdrejtë  se ende ka punë serioze nga institucionet e Republikës së Kosovës deri në liberalizimin e vizave”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Ahmeti ka shtuar se edhe pse kancelarja gjermane, Angela Merkel nuk ka përmendur  në mënyrë të drejtpërdrejtë çështjen e vizave, është e vetëkuptueshme se në Raportin e Komisionit Evropian përveç kushtit për demarkacionin, ka qenë edhe kushti për  luftimi i krimit dhe korrupsionit.

“Gjykoj se mesazhi i zonjës Merkel ka qenë i qartë, e i vetëkuptueshëm, i cili brenda vetës ngërthen pasqyrën reale të plotësimit të kushtit për luftimin  e krimit dhe korrupsionit, e që është sinjal për të reflektuar institucionet e Republikës së Kosovës karshi një realiteti të hidhur  që mbizotëron në sistemin e drejtësisë. Brenda këtij mesazhi të zonjës Merkel  kuptohet se qytetarët e Kosovës, akoma duhet të presin për të lëvizur lirshëm në zonën Shengen, shkaku qeverive të pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, të cilat nuk kanë pasur as vullnetin, guximin, dijen për t’i lëvizur proceset e rëndësishme përpara”, ka përfunduar Ahmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat