Clark tregon prioritetet për Kosovën, nuk është ushtria

Politika

Clark tregon prioritetet për Kosovën, nuk është ushtria

Më: 15 maj 2018 Në ora: 17:19
Wesley Clark

Gjenerali amerikan në pension, Wesley Clark, ka deklaruar se nëse do të ishte në Kosovë dhe do të llogariste në mbrojtjen e KFOR-it dhe të NATO-së do ta shihte më të arsyeshme që burimet e Qeverisë të shkojnë për zhvillim paqësor dhe ekonomik sesa të shkojnë për forcat ushtarake.

Clark gjatë një konference për shtyp në përvjetorin e 15-të të RIT Kosovo, ka deklaruar se dëshiron që Kosova të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, por që ai tha se do të ishte mirë që studentët të qëndrojnë dhe të punojnë këtu

Ish-komandanti i NATO-s për Evropë në kohën e bombardimeve kundër forcave kriminale serbe, tha se beson që shteti duhet të ketë aq ushtri sa duhet për të pasur siguri.

Clark: Ne ende kemi KFOR-in këtu për të siguruar sigurinë e Kosovës

“Ne ende kemi KFOR-in këtu për të siguruar sigurinë e Kosovës. Pra, unë mendoj se njerëzit që kanë shërbyer në UÇK 20 vite më parë, të cilët kanë formuar policinë kanë një lidhje të mrekullueshme, është një gjë e mrekullueshme. Por nëse do të isha në Kosovë, dhe do mund të llogarisja në mbrojtjen e KFOR-it dhe të NATO-s, do ta shihja si më të arsyeshme që burimet e qeverisë të shkonin për zhvillim paqësor dhe ekonomik në vend sesa për këto shpenzime për forcat ushtarake. Pra, unë besoj se rregulli themelor dhe ushtarak është se ju duhet të keni sa më shumë ushtarë që ju nevojiten për të siguruar vendin, por jo më shumë se kjo, sepse në fund të fundit të gjitha këto shpenzime ushtarake dallojnë nga zhvillimi dhe siguria ekonomike. Mënyra më e mirë për të siguruar të ardhmen e Kosovës së pavarur dhe demokratike është përmes zhvillimit ekonomik. Pra, unë do të inkurajoja njerëzit e Kosovës që të me ndojnë për sigurinë dhe kushtet ekonomike, të mbajnë disa nga këta të rinj këtu, t'u japin mundësi punësimi, të investojnë në të rinjtë, të investojnë në infrastrukturë dhe për aq kohë sa ta mbajnë NATO-n këtu për mbrojtje, lejojeni atë që të merret me këtë gjë që ta bëjnë punën e tyre”, tha ai.

Gjenerali Clark ka deklaruar se do të vijë koha kur KFOR-i të largohet, por që sipas tij tash nuk është koha.

Clark: Kjo nuk është koha për KFOR-in të largohet

“Unë mendoj se koha që KFOR të largohet do të vijë. Por, pikëpamja ime personale është se kjo nuk është koha për KFOR-in të largohet. Ajo që dua të shoh është një marrëveshje e arritur mes Serbisë dhe Kosovës, që ata normalizojnë marrëdhëniet, le ta ketë Kosovën ulësen e saj në Kombet e Bashkuara dhe përfundimisht, së bashku me Serbinë, të dyja të bëhen anëtare të BE-së. Nuk ka asnjë arsye pse dy vendet nuk mund të jenë fqinjë të mirë”, tha ai.

Clark ka folur edhe për bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë, ku ai u shpreh se dialogu duhet të çojë në normalizimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve.

Clark: Ky dialog duhet të çojë në normalizimin e marrëdhënieve

“Është një lidhje shumë e vështirë. Kur ishim në bisedime për paqe dhe po mundoheshim që ta zgjidhnim problemin e Bosnjës në vitin 1995, ne ishim të vetëdijshëm se ka pasur probleme në Kosovë. Administrata e presidentit Xhorxh H. Bush në vitin 1992 kishte lëshuar të ashtuquajturin "paralajmërim për Krishtlindje", i cili nënkuptonte se nëse Millosheviq do të shkaktonte dhunë në Kosovë, atëherë do të merreshin veprime të forta. Dhe kjo për mua do të thoshte se do të kishte bombardime nga SHBA ose NATO në vitin 1992. Pra, ishim të vetëdijshëm se kishte një problem. Gjatë bisedimeve, Millosheviq këmbënguli se ai nuk do të diskutonte për Kosovën, pasi që sipas tij, kjo ishte një çështje e brendshme, dhe si e tillë nuk duhej të diskutohej. Pra, ne e pamë këtë dhe tragjedinë këtu. Pra, me këtë histori natyrisht do të duhet shumë vite për të kapërcyer këtë…Duhet që disi t’i kapërcejmë këto kujtime dhe të ndërtojmë marrëdhëniet midis fqinjëve. Pra, ekziston një dialog që duhet të ndodhë midis Kosovës dhe Serbisë. Ky dialog duhet të çojë në normalizimin e marrëdhënieve. Unë inkurajoj që Kosova dhe Serbia të marrin pjesë në mënyrë aktive dhe efektive në bërjen e kësaj”, tha ai.

Ndërsa, ka thënë se një nga sfidat me të cilat përballet Qeveria dhe udhëheqësit e Kosovës është krijimi i mjedisit të biznesit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat