Misteret e pazgjidhura, të mëdhenjtë e Kosovës të përzier në rastin Kumanova

Politika

Misteret e pazgjidhura, të mëdhenjtë e Kosovës të përzier në rastin Kumanova

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 16 maj 2018 Në ora: 15:54
Kumanovë

Njohësit e zhvillimeve politike në Maqedoni, konsiderojnë se organizatorët e rastit Kumanova, ende nuk janë prapa grilave dhe se një ngjarje e tillë, pa ndihmën e pushtetit, këto nuk do të kishte ndodhur. Sipas këtyre të fundit, një epilog përfundimtarë rreth kësaj ngjarje është pritur që të ndodh vitin e kaluar.

Ndërsa, për njohësin e sigurisë, dikush prej të mëdhenjve të shtetit të Kosovës, është i përzier në këtë konflikt të armatosur.

Më 9 maj të vitit 2015 nisi përplasja e armatosur mes Policisë së Maqedonisë dhe një grupi shqiptarësh. Mjegullia e majit, trishtues ishte jo vetëm për banorët e Lagjes së Trimave dhe Maqedoninë, por edhe gjithë Kosovën, pasi nuk dihej saktë se kush po luftonte.

E, tani, u bënë tre vjet nga rasti i Kumanovës dhe ende ka shumë dyshime, shumë paqartësi dhe spekulime se kush në fakt e inskenoi këtë ngjarje. Mjegullia e atij maji të dhimbshëm e fatal për shqiptarët, po vazhdon edhe në këtë maj të 2018-tës.

Për këtë ngjarje, Gjykata Themelore e Shkupit ka dënuar me gjithsej 746 vjet burg pjesëtarët e grupit të Kumanovës, të akuzuar për terrorizëm për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015.

Njohësit e zhvillimeve politike në Maqedoni, konsiderojnë se organizatorët ende nuk janë prapa grilave dhe se për një ngjarje e tillë, pa ndihmën e pushtetit, këto nuk do të kishte ndodhur. Sipas këtyre të fundit, një epilog përfundimtarë rreth kësaj ngjarje është pritur që të ndodh vitin e kaluar.

Ndërsa, për njohësin e sigurisë, dikush prej të mëdhenjve të shtetit të Kosovës, është i përzier në këtë konflikt të armatosur.

“Organizatorët nuk janë prapa grilave”

Analisti politik, Xhenis Sulimani, duke folur për gazetën “Bota sot”, tha se rasti Kumanova mbetet i mjegulluar, pasi që, sipas tij, ky rast i komplikuar kishte pasur organizatorë dhe të njëjtit nuk janë prapa grilave.

Image
Xhenis Sulimani

Ai thotë se ngjarjet e tillë, pa ndihmën e pushtetit, nuk do të kishin mundur të ndodhnin.

“Rasti i Kumanovës ka marrë epilog gjyqësor, por, sipas meje, mbetet i mjegulluar. Diçka tashmë e njohur për sistemin e drejtësisë në Maqedoni. Them i mjegulluar dhe misterioz, për faktin se ky rast i komplikuar patjetër të kishte pasur organizatorë dhe të njëjtit nuk janë prapa grilave. Një ngjarje e tillë pa ndihmën e pushtetit nuk do të kishte mundur të ndodhte. Si është e mundur 40 persona të armatosur të vendosen në mes të një qyteti? Gjatë seancave nga ana e të akuzuarve u përmendën politikanë, u përmendën persona të shërbimit… asnjëri prej tyre nuk u thirr nga gjykata as si dëshmitar. Kjo edhe më tepër forcon bindjen se ishte skenar i ish regjimit dhe se organizatorët e vërtetë nuk e kanë thënë fjalën e tyre”, është shprehur Sulimani.

Tutje, Sulimani thotë se spekulimet do të jehojnë përsëri, ai po ashtu potencon se për këtë ngjarje, dikush mori para dhe se dikush dikë edhe e ka tradhtuar.

“Mendoj që ky rast ka mbaruar me shpalljen e aktgjykimit. Në këtë rast nuk vlen me kohë del e vërteta. Spekulimet do të jehojnë prap, dikush mori para, dikush e bëri për ideal, dikush dikë e ka tradhtuar, e gjëra të ngjashme. Mirëpo, institucionalisht “loja ka mbaruar””, përfundoi Xhenis Sulimani për gazetën “Bota sot”.

“Politika e involvuar në rastin Kumanova”

E analisti tjetër, Zudi Xhelili, duke komentuar rastin Kumanova, shprehet se është pritur që vitin e kaluar kjo ngjarje të marrë një epilog.

Image
Zudi Xhelili

“Këtyre ditëve për shkak të tre vjetorit, përsëri nëpër media aktualizohet rasti Kumanova. Pas ndryshimeve që ndodhen në skenën politike, vitin e kaluar është pritur që edhe rasti Kumanova të ndriçohet deri në fund. Meqenëse kryeministri aktual disa herë është deklaruar për zbardhjen e të gjitha rasteve dhe sidomos për rastin e Kumanovës, atëherë të shpresojmë se nuk do të fshihet e vërteta e këtij rasti”, tha Xhelili .

Sipas tij, politika është e involvuar në këtë rast, por, është me shpresën se LSDM-ja dhe kryeministri Zoran Zaev, nuk do e mbulojnë të vërtetën për rastin Kumanova.

“Opinioni për këtë rast është se kush mund të jenë porositësit apo iniciatorët (nxitësit), sepse dominon mendimi se rasti është i inskenuar. Me siguri që politika është e involvuar në këtë rast, dyshohet se regjisor janë struktura të larta qeveritare. Të shpresojmë se LSDM-ja dhe kryeministri Zaev, nuk do e mbulojnë të vërtetën për rastin Kumanova. Do të ishte mëkat i madh që edhe kjo qeveri të kalkuloj politikisht me raste të montuara dhe të vuajnë njerëz të pafajshëm”, ka përfunduar Zudi Xhelili, për gazetën “Bota sot”.

“Dikush prej të mëdhenjve të shtetit tonë, është i përzier në këtë konflikt”

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Hajrullah Tërnava, ka folur për rastin Kumanova, për të cilin thotë se është rast i rënd dhe i dhimbshëm për të gjithë shqiptarët, e sidomos për familjaret e atyre që morën pjesë në ato përleshje.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Tërnava, thotë se i dhimbshëm është fakti se shumica nga ta ishin edhe pjesëmarrës edhe në luftërat që ndodhen në territoret shqiptare.

“Rasti Kumanova është rast i rënd dhe i dhimbshëm për të gjithë shqiptarët, e sidomos për familjaret e atyre që morën pjesë në ato përleshje, e sidomos të atyre që u vranë. I dhimbshëm është me vet faktin se shumica nga ta ishin edhe pjesëmarrës në luftërat që ndodhen në territoret shqiptare pa marr parasysh se ku”, tha Tërnava.

“Tani që tri vite të ndodhjes të këtij rasti dhe askush nuk po merret me këtë rast, së paku të del e vërteta në shesh, dhe së paku të zbulohet e vërteta se si ndodhi kjo luftë dhe kush ishin protagonistët e vërtetë, kur dihet se ata djem trima, ishin pjesëmarrës edhe në lufta tjera të trevave shqiptare, e sidomos kur dihet që të gjithë pjesëmarrësit nuk janë të vrarë, dhe hetimet mund të zhvillohen me një vrull të dëshiruar dhe sa me shpejte të kërkohet nga qeveria e jonë që së bashku me qeverinë Maqedonase ta zbardhin këtë raste. Në bazë të kësaj heshtje nga ata që gjenden në krye të shtetit të Kosovës, e sidomos kur e konfirmojnë se ishin edhe bashkëluftëtar me ta, na lënë për të nënkuptuar se diçka këtu është për t’u dyshuar, dhe dikush prej të mëdhenjve të shtetit tonë, është i përzier në këtë konflikt”, është shprehur ai.

Image
Hajrullah Tërnava

Ai thotë se nuk mjafton vetëm t’iu ndihmohet me një shumë të konsiderueshme familjarëve. Sipas tij, këto ndihmë financiare po e rritë dyshimin më shumë, se nga të mëdhenjtë e këtij shteti dikush është përzier në këto ndodhi.

“Nuk mjafton vetëm të iu ndihmohet me një shumë të konsiderueshme familjarëve, sikur veprojë kryeministri i Kosovës para disa javëve, përkundrazi kjo ndihmë financiare po e rritë dyshimin edhe ma të madh, se nga të mëdhenjtë e këtij shteti dikush është përzier në këto ndodhi, që vetëm ata e dinë arsyen e këtij konflikti, kurse nuk po kërkojnë hetime qofshin ndërkombëtarë, sepse edhe me zbardhjen e këtij rasti së paku do të dilte e vërteta në sipërfaqe dhe nuk do të ketë rezerva-dyshime të këtij konflikti të armatosur, mes dy shteteve në këtë rast mes Maqedonisë dhe Kosovës. Me këto ndihma financiare edhe vet shteti i Kosovës po del i dyshimtë, sikur ta kishte organizua këtë konflikt. Të gjitha dyshimet e këtij konflikti të armatosur po bien mbi të mëdhenjtë e dy shteteve, sepse pa u zbardhur ky rast në detaje, asnjëherë nuk do te funksionojnë marrëdhëniet e mira ndërshtetërore mes Maqedonisë dhe Kosovës”, tha ai.

Krejt në fund, Tërnava thekson se dyshimet për këtë rast bien mbi politikanët e ish qeverisë së Maqedonisë në krye me Gruevskin dhe disa shqiptar në poste të larta politike.

“Qeveria e re e Maqedonisë në krye me Zaevin si kryeministër, është zotuar se do të bënë çmos për zbardhjen e këtij rasti dhe ka premtuar se do t’iu preferon ndërkombëtarëve të merren me ketë çështje. Të gjitha dyshimet për këtë rast bien mbi politikanët e ish qeverisë së Maqedonisë në krye me Gruevskin dhe disa shqiptar në poste të larta politike të atij shteti apo edhe kryetar partish të Maqedonisë, por edhe të disa politikanëve që tani gjinden në pushtet të Kosovës, që për qëllime të tyre personale të njohura për ta, e ndoshta që kishin për qëllim që në Gjykatën Speciale në Hagë, të ketë sa ma pak dëshmitarët për atë gjyqësor për të akuzuarit, për të këqijat që kanë ndodhur gjatë luftës për të cilin është krijuar”, përfundoi eksperti i çështjeve të sigurisë, Hajrullah Tërnava, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat