Mungesat e shumta dhe të shpeshta të deputeteve nëpër seancat plenare të Kuvendit, siç duket po ia humbin legjitimitetin Kuvendit dhe Qeverisë. Ky të paktën është vlerësimi i partive opozitare në vend.
Duke folur rreth kësaj çështjeje, analisti Fadil Lepaja, ka thënë për “ Bota sot” se Kuvendi nuk e humbë legjitimitetin për të njëjtat arsye sikurse qeveria. Ai ka thënë se Qeveria, formalisht, bazuar në ligj, ka mundësi që e papenguar të funksionojë sepse opozita nuk ka mundësi, numrat ti "rrëzojë".
“Qeveria ka përkrahjen e koalicionit dhe kryeministri nuk e sheh të nevojshme të jap dorëheqje por mendon se ka legjitimitetin e plotë për të vazhduar kështu. Në anën tjetër, kemi nga kjo qeveri dhe parlament votimin e marrëveshjeve dhe ligjeve që kanë pritur me shumë vite për të u votuar, pra një aktivitet të shtuar me ligjet, dhe së fundmi kemi edhe ligjin për kryeqytetin. Pra, shikuar nga ana ligjore, gjanat janë në rregull, e opozita nëse donë të kontestoj legjitimitetin e kuvendit dhe qeverisë, si dhe të sjellë deri te zgjedhjet e reja, duhet të organizohet më mirë, të krijoj një platformë dhe të mbledhë numrin e nevojshëm të votave për të shkuar në zgjedhje të reja, pasi që mendojnë se parlamenti dhe qeveria nuk kanë më legjitimitet”, ka thënë analisti politik Lepaja.