Zhvillimet e fundit në Kuvendin i Kosovës, si duket kanë marrë kahje degraduese, ku nuk po kursehet fjalori fyes e ofendues, e madje po “kërcasin” edhe grushtet.
Këtë e kemi parë pikërisht nga i pari i Kuvendit, Kadri Veseli, më herët, por edhe nga nënkryetari i tij, Xhavit Haliti aktualisht.
Mes të ofenduarve nga ta, kanë qenë edhe gratë në Kuvendin e Kosovës, të cilat janë fyer me fjalor rrugësh.
Drita Millaku, deputete nga radhët e Vetëvendosjes që ka qenë e ofenduara e Kadri Veselit, ka thënë për “Bota sot” se gjuha në Kuvend është degraduar dhe fajtor është Kadri Veseli.
Të njëjtën rrugë sipas Millakut, është duke e ndjekur edhe Xhavit Haliti.
“Jemi dëshmitar se gjuha në parlamentin e Kosovës veç është degraduar dhe fajtor kryesor është Kadri Veseli. Në vazhdimësi gjatë dy mandateve si kryetar i Kuvendit, Veseli ofendon dhe shan deputetët, dhe në të njëjtën mënyrë ka filluar edhe Xhavit Haliti”-thotë Millaku.
Ajo shton, se ky shfrenim i gjuhës së tyre, vjen atëherë kur në pamundësi që t’i përgjigjen akuzave këta fillojnë e ofendojnë deputetët.
Tutje Millaku thekson, se Kadri Veseli duke u munduar që ta luaj rolin e Lulit të vocërr të Migjenit, në momente të caktuara po e tregon se është Luli i madh i SHIK-ut.
“Në momentin që këta akuzohen për krimet dhe keqpërdorimet që i kanë bërë në pamundësi që t’i përgjigjen akuzave këta fillojnë e ofendojnë deputetët. Edhe pse Kadri Veseli po mundohet që ta luaj rolin e Lulit të vocërr të Migjenit në momente te caktuara po e tregon se është Luli i madh i SHIK-ut. Si duket janë të vetëdijshëm se i ka ardhur fundi dhe se është mandati i tyre i fundit në qeveri, andaj bëjnë edhe reagime të tilla ofenduese dhe pa kontroll”- theksoi Millaku për “Bota sot”.