Tri mundësitë për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj

Politika

Tri mundësitë për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 20 maj 2018 Në ora: 19:23
Ramush Haradinaj

Lidhja Demokratike e Kosovës shumë shpejt mund t’i përdor mekanizmat institucional për rrëzimin e Qeverisë, nëse në tryezën e ardhshme partitë politike nuk caktojnë datën kur vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Por, rrëzimi i Qeverisë vetëm me votat e opozitës është i pamundur. Kështu që LDK duhet të analizojë se cilat janë alternativat tjera për rrëzimin e Qeverisë.

Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, mundësia e vetme për tejkalimin e krizës politike mbetet mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme.

Madje, shefi i grupit parlamentar të këtij subjekti politik, Avdullah Hoti ka paralajmëruar se do t’i përdorin mekanizmat institucional kushtetuese për rrëzimin e Qeverisë, nëse në tryezën e ardhshme ndërmjet partive politike nuk caktohet një datë për zgjedhjet.

Aktualisht, Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj nuk e ka shumicën minimale prej 61 deputetëve për të miratuar ligje dhe për të qeverisur me vendin.

Kjo erdhi pas vendimit të Listës Serbe për të dal nga Qeveria si shenjë pakënaqësie për arrestimin e zyrtarit serb, Marko Gjuriqi për hyrje ilegale në territorin e Kosovës.

Kështu që zyrtarisht, ekzekutivi pa Listën Serbe ka 56 deputetë në Kuvend.

Nga ana tjetër, tri partitë opozitare së bashku kanë gjithsej 58 deputetë. Kurse, për rrëzimin e Qeverisë nevojiten 61 sosh.

Opozitës i nevojitet tri vota të PAN-it për rrëzimin e Qeverisë

Në një shtet të mirëfilltë me sistem parlamentar, është shefi i ekzekutivit ai që fillon procedurat për ngritjen e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, nëse e humb shumicën në Kuvend.

Madje, me kushtetutën e Kosovës Qeveria mund të rrëzohet nëse kryeministri vendos të jap dorëheqje pa pasur nevojë që kryeministri të ndërmarrë asgjë për ngritjen e mocionit.

Por, kryeministri Haradinaj është shprehur se ai nuk e ka ndërmend të jap dorëheqje. Ai ka thënë se tashmë ka më shumë deputet në Kuvend që do t’i përkrahin politikat dhe ligjet e tij se sa kur ishte në koalicionin me Listën Serbe.

Duke parë mos gatishmërinë e Haradinajt për zgjedhje, LDK fillimisht duhet të marrë mbështetjen nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Social Demokrate e udhëhequr nga Shpend Ahmeti.

Pas mbështetjes së dy subjekteve opozitare, LDK-ja duhet të bind së paku tre deputetët të koalicionit PANA për të siguruar 61 vota.

Sigurimi i 3 votave nga deputetët e koalicionit qeverisës është i pamundur për shkak se LDK-ja duke qenë në opozitë e ka vështirë të josh deputetët e partive në pushtet.

Gjykata Kushtetuese

Institucioni i Gjykatës Kushtetuese mbetet një opsion tjetër për të provuar gjetjen e një zgjidhje për daljen nga kriza politike, edhe pse nuk mund të pritet shumë nga ky institucion.

Partitë opozitare mund t’ia dërgojnë një kërkesë me shkrim Kushtetueses për të pyetur se a përbën shkelje ligjore vazhdimi i funksionimit të Qeverisë aktual, e cila zyrtarisht ka vetëm 56 vota.

Në të kaluarën janë bërë pyetje të tilla. Kujtojmë kërkesën që e patë bërë ish-presidentja, Atifete Jahjaga gjatë kohës së VLAN-it.

Sipas kushtetutës në fuqi, Kuvendi i Kosovës ka 120 deputetët, kurse një apo më shumë parti për të qeverisur me vendin, i nevojiten së paku 61 vota.

Por, edhe këtu ka mundësi që kushtetuesja të dal më një përgjigje duke thënë se kjo është një çështje ekskluzive e Kuvendit. Kështu që u mbetet deputetëve vet të gjejnë një zgjidhje.

Opsioni tjetër është që kushtetuesja të dal me një aktgjykim që konstatuan se ekzekutivi aktual përbën shkelje kushtetuese duke qëndruar në pushtet pa e pasur shumicën minimale.

Ky konstatim, i hap rrugë tejkalimit të krizës sepse Qeveria obligohet zyrtarisht të marrë ndonjë parti tjetër ose tre deputet në koalicion ose të jap dorëheqje.

Deputetët e LDK-së dhe ata të Lëvizjes Vetëvendosje nuk pranojnë kurrsesi për të hyrë në koalicion me Haradinajn.

Të dyja partitë synojnë të dalim fituese në zgjedhjet e ardhshme dhe pritet që tërë fushatën elektorale ta bëjnë duke kritikuar të bërat e Qeverisë.

Kështu që shkuarja e koalicionit me ekzekutivin, i dëmton ato shumë tek elektorati sepse para qytetarëve shihen edhe ato si bashkë fajtore me partitë e PANA-së.

Sa i përket Partisë Sociale Demokrate, deputetët e saj gjenden në një pozitë të pa lakmueshme.

Ata sa po kanë formuar, nëse mund të thuhet subjektin e tyre politik,  sepse PSD është një subjekt që ka ekzistuar edhe më herët.

PSD-së i duhet të konsolidohet në nivel vendi dhe të bëj të gjitha përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme.

Deputetët e këtij subjekti politik u duhet kohë për të përmirësuar imazhin e tyre pasi që ata konsiderohen përgjegjësit për ndarjen e Lëvizjes Vetëvendosje.

Poashtu edhe për shkak të deklaratave të ulëta të disa nga deputetët e tyre pas daljes nga VV-ja.

PSD-së aktualisht i konvenon të përkrah Qeverinë Haradinaj, duke ndenjur në opozitë deri sa të konsolidohet. Kurse, me hyrjen e saj zyrtare në koalicionin qeverisës, ky subjekt politik nuk pritet as ta kalojë pragun zgjedhor.

Bashkëpunimi me Listën Serbe për rrëzimin e Qeverisë

Një mundësi tjetër për rrëzimin e Qeverisë mbetet bashkëpunimi me Listën Serbe. Mbështetja e Listës Serbe i siguron votat e mjaftueshme për këtë çështje. Por, këtu janë dy probleme që LDK duhet t’i analizojë.

E para është se Lista Serbe edhe pse është deklaruar zyrtarisht për dalje nga koalicioni qeverisës, ajo nuk është e gatshme për të përkrahur opozitën në rrëzimin e Qeverisë Haradinaj pasi që kjo së bashku me presidentin kanë ndërmarrë procedurat për themelimin e Asociacionit të komunave serbe.

Nga ana tjetër, shkuarja në zgjedhje të parakohshme zvarrit krijimin e Asociacionit.

Po ashtu, krerët e shtetit janë dakorduar që eventualisht gjatë kësaj legjislature të arrihet një marrëveshje përfundimtare me Serbinë. Për këtë, ekzekutivi ka proceduar në Kuvend platformën për bisedimet finale me Serbinë.

Në bisedimet përfundimtare, Kosovës do t’i kërkohen kompromise që do të jenë fatale për vendin.

Vetë presidenti Hashim Thaçi ka deklaruar se gjatë bisedimeve mund të dalin të panjohura. Për vështirësi gjatë këtyre bisedimeve kanë paralajmëruar edhe përfaqësues të tjerë të shtetit, të shoqërisë civile dhe analistë politike.

Nga ana tjetër, krerëve aktual të shtetit mendohet se janë përkrahur për të ardhë në pushtet për t’i bërë këto kompromise, pak përmes shantazhimit për të kaluarën e tyre nga ana e Gjykatës Speciale, e pak pse konsiderohet se vijnë nga krahu i luftës dhe janë të vetmit që guxojnë t’i bëjnë ato.

Lista Serbe e din këtë mirë këtë gjë dhe për këtë nuk i ofron ndihmë opozitës.

LDK duhet të marrë parasysh edhe një gjë. Ta zëmë se Qeveria bie me votat e Listës Serbe, atëherë partitë e koalicionit PANA do ta shfrytëzojnë këtë gjatë fushatës zgjedhore për ta paraqitur opozitën si bashkëpunëtore të Listës Serbe dhe të Beogradit që punon kundër interesave të Kosovës.

Kështu që opsionit për ndihmë nga Lista Serbe nuk duhet të mendohet fare.

Opsioni më i mirë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme do të ishte dorëheqja e Haradinajt, duke parë se ai nuk e ka shumicën në Kuvend ose që opozita t’i bindë tre deputetët e koalicionit për ngritjen e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat