Ethet e Xhavit Halitit

Politika

Ethet e Xhavit Halitit

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 21 maj 2018 Në ora: 10:32
Xhavit Haliti

Kosova ka trashëguar shumë probleme nga koha e luftës. Hija e së kaluarës, po i ndjekë nga pas edhe disa nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët së fundi kanë ashpërsuar si gjuhën e tyre ashtu edhe sjelljet ndaj njëri- tjetrit.

Sikur të mos mjaftonte fakti i instalimit të fuqishëm të korrupsionit dhe krimit të organizuar që e kanë kapluar shoqërinë, Kosovës i i rri si një “vath në vesh” e kaluara e luftës. Më shumë se sa për lavdinë e heroizmin, sot tema e luftës po i frikëson disa nga ish- pjesëtarët e saj.

Gjuha politike në Kosovë, dita ditës po degradon. Këtë e pamë edhe të premten që lamë pas, ku gjuha e urrejtjes politike eskaloi në një konflikt fizik, ndërmjet nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti dhe deputetit të LDK-së Arben Gashi.

Një ditë më herët, kishte ndodhur një përplasje verbale ndërmjet Halitit e Gashit.

Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, sikur ka humbur atë gjakftohtësinë që e karakterizonte më herët, kur përballej me akuza nga kundërshtarët dhe opinioni. Tani i ka reagimet më të ashpra, sidomos kur bëhet fjalë për deputetët e LDK-së.

Gati në të gjitha legjislaturat e Kuvendit të Kosovës ka pasur konfrontime fizike, ndërmjet deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Kjo e fundit ishte ndër më të ashprat.

Por, ku në të vërtetë po i dhembë Xhavit Halitit?

Mbi 8 milionë marka gjermane pretendohet t`i jenë dhënë atij nga ish- Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës, për t`i ndihmuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Këtë e ka thënë deputeti, Anton Quni dhe pjesëtarë të tjerë të ish- Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.

Haliti e Quni, ditë më parë debatuan ashpër me njëri tjetrin, pikërisht për këto 8 milionët , e të cilat Haliti mohon t`i ketë marrë nga Koloneli Ahmet Krasniqi.  

Përmendja e fondeve të luftës dhe keqpërdorimit të tyre ka nxitur gjithherë reagime. Një gjë e tillë nuk bëri përjashtim as kësaj radhe, ku në qendër të diskutimeve ishin Xhavit Haliti e Anton Quni.

Prokuroria e shtetit, duhet të merret me hetimin e këtyre pretendimeve për keqpërdorime. Në të kundërtën, një gjë e tillë do të duhej t`i lihej në duar edhe Gjykatës Speciale. Vetëm kështu, do të zbardhej e kaluara e errët e kohës së luftës dhe mbase do të shihnim më pak konfrontime brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Gjithsesi, gjuha denigruese, fyerjet ofendimet pasqyrojnë personalitetin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, por edhe mentalitetin e përgjithshëm të shoqërisë tonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat