Zyrtare: SHBA e përfshirë në përmbylljen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë - Bota Sot
Zyrtare: SHBA e përfshirë në përmbylljen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Politika

E mërkurë, 19 shtator 2018

Zyrtare: SHBA e përfshirë në përmbylljen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 23 maj 2018 Në ora: 09:51
Hashim Thaçi, Federica Mogherini dhe Aleksandar Vuçiq

Që nga fillimi i procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, janë arritur gjithsej 19 marrëveshje ndërmjet këtyre dy vendeve.

Por, dialogu i nisur më 8 mars 2011, pritet që të përfundojë shumë shpejt. Një gjë e tillë po paralajmërohet si nga ndërkombëtarët ashtu edhe nga vendorët.

Faza për të cilën pritet të bisedohet shumë shpejt, po konsiderohet si përfundimtare. Për këtë arsye, opozita po e shpreh shqetësimin e saj, lidhur me kompromiset në dëm të Kosovës, që mund të arrihen në këtë fazë

Kurse nga qeveria e Kosovës, thonë se Kosova në këtë fazë të dialogut do të ketë edhe mbështetjen e SHBA-së.

Matoshi: SHBA e përfshirë në përmbylljen e dialogut

Image
Halil Matoshi

Halil Matoshi, zëdhënës në Qeverinë e Kosovës, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se ShBA, është e përfshirë në përmbylljen e dialogut ndërmjet dyja shteteve, që do të rezultojë me njohje reciproke.

“Kërkesa e Kryeministrit Haradinaj në Bruksel që në fazën finale të dialogut me Serbinë të përfshihet SHBA-ja ka pasë impakt të fuqishëm në vetë selinë e BE-së, por edhe më gjerë. Po ShBA, është e përfshirë në përmbylljen e dialogut ndërmjet dyja shteteve, që do të rezultojë me njohje reciproke, ndonëse kjo po cilësohet si Marrëveshje juridikisht obligative”, ka theksuar Matoshi për “Bota sot”. 

Në anën tjetër, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendi e Kosovës, Drita Millaku, mendon se nuk do të ketë dialog final në mes të Kosovës dhe Serbisë duke e parë ecurinë e deritanishme të këtij procesi, ku marrëveshjet e arritura nuk kanë pasur rezultat.

“E para mendoj se nuk do të ketë dialog final Kosovë Serbi dhe atë duke ditur ecurinë e dialogut të deritanishëm, i cili dialog nuk ka sjellë diçka konkrete, nga 33 marrëveshjet e deritanishme nuk ka pasur rezultate të zbatimit në praktik të këtyre marrëveshjeve përveç atyre që kanë qenë në dëm të Kosovës”, ka thënë deputetja e VV-së.

“Rreziku nga Thaçi”

Image
Drita Millaku

Sipas, Millakut, udhëheqja e dialogut nga presidenti Thaçi është i rrezikshme për shkak të shantazhimeve ndaj tij dhe është e bindur se si përfundim të dialogu final do të sjellë Ahtisarin 2.

"Dhe tjetra është se  udhëheqja e dialogut  nga Hashim Thaçi është i rrezikshëm për shkak të shantazhimeve ndaj tij dhe jam shumë e bindur se me këtë dialog final që po quhet do të sjellë Ahtisarin 2. Qëllimi tjetër që dialogu të udhëhiqet nga Thaçi është që ai personalisht të qëndrojë edhe për një kohë në skenën politike. Udhëheqja e këtij dialog nga  Thaçi do të jetë katastrofal”, ka shtuar Millaku për “Bota sot”.

Më tej, ajo është e bindur se nuk do të ketë dialog final, pasi që klasa politike qeverisëse nuk ka përgatitje t`i kundërvihet politikës serbe.

“Duke e ditur politikat e vazhdueshme të Serbisë ndaj Kosovës jam e bindur se me Serbinë nuk do të ketë dialog final asnjëherë. Kjo klasë politike qeverisëse nuk ka kapacitet,  nuk ka guxim dhe janë të papërgatitur t'i kundërvihet politike serbe”, ka deklaruar Millaku për “Bota sot”.

Gecaj: Fillimisht duhet shkuar në zgjedhje

Image
Bajram Gecaj

Ndërkaq, zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, ka thënë se SHBA-ja ka qenë pjesë e dialogut, ai beson që përfshija e saj do të jetë në vazhdimësi dhe se të gjitha indikacionet  të fazës finale të dialogut se të gjithë miqtë ndërkombëtarë janë të gatshëm të marrin seriozisht këtë çështje.

“SHBA-të kanë qenë pjesë e dialogut në vazhdimësi, vetëm se nuk ishin të ulur në tavolinë. Unë besoj se ata do të vazhdojnë të jenë të involvuar, madje shpresoj që ky angazhim i tyre edhe të rritet. Faza finale e dialogut është aktiviteti më i rëndësishëm që nga shpallja e pavarësisë. Te gjitha indikacionet janë se bashkësia ndërkombëtare, posaçërisht miqtë e Kosovës, janë të gatshëm të merren seriozisht me këtë çështje shume të ndjeshme. Duket se edhe Serbia është e gatshme, pasi që rruga e saj drejt Bashkimit Evropian po kushtëzohet me zgjidhjen e këtij problemi, derisa Vuçiq ka kontroll të plotë dhe fuqi të mjaftueshme politike të eci para, edhe pse besoj se kjo bëhet me hezitime dhe sigurisht që do të ballafaqohemi edhe me pengesa, të cilat Serbia do t'i fusë në kuadër të procesit dialogues”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Për më tepër, Gecaj ka shtuar se qeveria është e varur nga Lista serbe dhe se ka frikë që vendi mund të dalë i dëmtuar nga ky proces, për këtë ka kërkuar që vendi të shkoj në zgjedhje.

“Problemi më i madhe në gjithë këtë skenari është vetë Kosova, pasi që tani kemi qeveri të pakicës, të varur nga Lista Serbe, dhe institucionet më të brishta të cilat i kemi pasur që nga koha e pasluftës. Në një situate të tillë, kam frikën se ne do të dalim të dëmtuar nga i gjithë ky proces shumë i rëndësishëm dhe tej masë të ndjeshëm. Prandaj, vendit fillimisht i duhen zgjedhje të cilat do të forconin bazën përfaqësuese në institucionet e vendit, e në mënyrë që t'i hyjmë këtij procesi të gatshëm e të vullnetshëm të ecim si vend dhe si shtet i organizuar”, ka theksuar Gecaj për “Bota sot”.

Daku: Kompromiset nuk përjashtohen

Image
Selim Daku

Ndërsa, drejtor i Qendrës Kosovare për Diplomaci, Selim Daku ka thënë se  SHBA do të jetë faktorë vendimtarë në këtë proces e bisedimeve.

Më tutje, ai ka shtuar se në dialog mund të ketë edhe kompromise, por  duhet të përfundojë me një marrëveshje që do të garantonte stabilitet për rajonin.

“Rinisja e dialogut nuk do të jetë sikur herët e kaluara, në dialogun që pritet të rifillojë do të ketë një qasje më serioze të palëve dhe pritshmëri të larta nga fuqitë e mëdha. Në dialog padyshim që mund të ndodhë që të ketë edhe kompromise, por, për Kosovën dhe Serbinë është shumë me rëndësi që ky proces të mos zgjasë në pafundësi. Dialogu duhet të përfundoj me një marrëveshje ndërmjet shteteve që do të garantonte stabilitet për rajonin”, ka deklaruar kreu i  Qendrës Kosovare për Diplomaci për “Bota sot”.

Ai ka shpjeguar se mund të mos jetë e përshtatshme figura e presidentit Thaçi, por kushtetuta i lejon presidentit udhëheqjen e politikës së jashtme.

Tahiri: Pika kryesore ulësja e OKB-së

Image
Mentor Tahiri

Kurse, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Mentor Tahiri, ka thënë për “Bota sot” se diplomatët amerikanë kanë SHBA do të jetë edhe faktori kryesor i cili do t’i jep formë marrëveshjes si dhe do të jetë garant i zbatimit të saj.

“Diplomatët amerikanë jo vetëm që kanë paralajmëruar lidhur me një fazë finale të bisedimeve me Serbinë, por gati qysh para gjysmë viti, e kanë precizuar vitin 2019, si vit kur Kosova dhe Serbia duhet të zgjidhin të gjitha mosmarrëveshjet që kanë. Natyrisht, SHBA-të jo vetëm që do të jenë pjesë e këtij procesi, por do të jenë edhe faktori kryesor i cili do t’i jep formë marrëveshjes si dhe do të jetë garant i zbatimit të saj. Pika kryesorë e kësaj marrëveshjeje do të jetë ulësja e Kosovës në OKB me çka vendi do të plotësojë deri në fund subjektivitetin ndërkombëtarë”, ka potencuar Tahiri për “Bota sot”.

Sipas tij, koncesionet që mund të jenë si Kosova t`i lejohen kompetenca ekzekutive për Bashkësinë e Komunave Serbe, si dhe t`i garantohet sovraniteti territorial, që marrëveshjen finale të mos e konsiderojnë humbje para opinionit.

“Së çfarë koncesione priten nga Kosova, kjo tani mund vetëm të spekulohet, por është e besueshme se nga Kosova do të kërkohet që të lejojë kompetenca ekzekutive për Bashkësinë e Komunave Serbe si dhe aranzhime speciale politike dhe ekomomike ndërmjet këtij entiteti me Serbinë. Kosovës do t’i garantohet sovraniteti territorial. Këto aranzhime megjithatë do të shërbejnë si një “alibi” për negociatorët serbë, që marrëveshjen finale të mos e konsiderojnë humbje para opinionit të tyre”, ka përfunduar Tahiri për “Bota sot”.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test