Shqiptarët dhe emri “Republika Ilindenase e Maqedonisë”

Politika

Shqiptarët dhe emri “Republika Ilindenase e Maqedonisë”

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 23 maj 2018 Në ora: 14:18
Negociatat për emër në mes të Maqedonisë dhe Greqisë vazhdojnë përkundër që tashmë kanë bërë kohë të gjatë diskutimesh.

“Ilindeni nuk është emër që cenon etninë shqiptare në asnjë aspekt. Nga ana tjetër, zgjidhja e emrit është detyrë e obligueshme për të marrë Maqedonia rrugëtimin euroatlantik dhe çdo prolongim do të shkonte në dëm të qytetarëve të Maqedonisë. Duhet të kihet parasysh lobi rus në Maqedoni, që është tejet aktiv kohëve të fundit dhe punon që kjo çështje të mos zgjidhet”, thekson analisti Xhenis Sulimani për gazetën “Bota sot”.

Shqiptarët dhe etnia e tyre nuk preken nga cilido qoftë emri i ri i Maqedonisë, prandaj edhe interesimi për bisedimet në mes të palës maqedonase dhe asaj greke sa i përket kësaj çështjeje ka qenë i vogël, thonë analistët shqiptarë në Maqedoni.

Sipas tyre, për shqiptarët është parësore zgjidhja e emrit në mënyrë që të hapen rrugët për anëtarësimin në NATO dhe BE.

Negociatat për emër në mes të Maqedonisë dhe Greqisë vazhdojnë përkundër që tashmë kanë bërë kohë të gjatë diskutimesh.

Të shtunën, Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev kishte mbajtur takim me kreun shtetëror dhe liderët e partive politike, me ç’rast ka njoftuar se “Republika Ilindenase e Maqedonisë” është opsioni për të cilin janë marrë vesh me kryeministrin e Greqisë, Aleksis Tcipras, si zgjidhje e mundshme e kontestit 27 vjeçar për emrin.

Mirëpo, menjëherë të nesërmen Greqia refuzoi këtë propozim, duke lënë opsion për zgjidhjen e kontestit të emrit, më 24 dhe 25 maj në Njujork do të zhvillohen bisedime të reja mes ministrave të Punëve të Jashtme të dy vendeve, Nikos Kotzias dhe Nikolla Dimitrov, në prani të ndërmjetësit të OKB-së, Matthew Nimetz.

Opsioni nuk hiqet nga tryeza

Përkundër refuzimit të Greqisë, kryeministri Zaev vazhdon të pohon se propozimi Republika e Maqedonisë së Ilindenit mbetet akoma si opsion në tryeze të bisedimeve.

Ndërkaq, të pakënaqur me këtë propozim emri kanë qenë qytetarët shqiptarë dhe gjuhëtarët shqiptarë, duke thënë se ky emër nuk ka kuptim në gjuhën shqipe dhe se  ky përkthim tekstual dhe jo i menduar mirë bie ndesh me normat gramatikore të gjuhës shqipe. 

Image
Orhan Murtezani

Ndërsa, partia shqiptare në Maqedoni Lëvizja Besa, thotë se do ta shqyrtojnë në organet e partisë propozimin e Kryeministrit, pastaj do të prononcohen.

Zëdhënësi i Lëvizjes Besa, Orhan Murtezani, pohon se në parim ata janë të interesuar për zgjidhjen e kontekstit të emrit.

“Propozimin që e shpalosi kryeministri para opinionit, po e shqyrtojmë në organet e partisë dhe pastaj do të prononcohemi. Por, në parim jemi shumë të interesuar që kontesti të zgjidhet dhe Maqedonia ta merr ftesën për anëtarësim në NATO dhe të fillojë negociatat për aderim në BE”, thekson Murtezani për “Bota sot”.

Propozimin e emrit “Republika Ilindenase e Maqedonisë”, qytetarët e quajtën tallje me gjuhën shqipe dhe bastardim përkthimin nga “Ilinden” në “Ilinditase”. Ata madje thoshin se edhe propozimi “Ilindenska” nuk përfaqëson karakterin shumë etnik dhe shumë fetar.

Ndërkaq, analisti politik Xhelal Neziri, thotë se shqiptarët dhe identiteti i tyre etnik nuk preken me asnjë emër të ri të shtetit, prandaj edhe kanë qenë krejtësisht të pa interesuar se çfarë emri do ketë shteti.

Image
Xhelal Neziri

Shqiptarët dhe identiteti i tyre etnik nuk preken

Emri “Republika Ilindenase e Maqedonisë”, sipas Nezirit, është emër që bën distinaksion nga Maqedonia antike, por që do të ishte i pranueshëm edhe për qytetarët e Maqedonisë si emër i ri i shtetit

“Është një zgjidhje e dizajnuar që të kënaq kërkesën greke për një emër me përcaktim kohor, i cili do të ishte në përdorim të përgjithshëm. Pra, një emër që bën distinksion nga Maqedonia antike, por që do të ishte i pranueshëm edhe për qytetarët e Maqedonisë si emër i ri i shtetit. Emër që u paralajmërua si zgjidhje kreative për tejkalimin e problemit të emrit, ku Greqia do të fitonte atë që e kërkon (erga omnes), kurse Maqedonia do të kishte një ristrukturim identitar nacional, pa prekur identitetin e maqedonasve etnikë”, pohon Neziri.

Shqiptarët bëjnë presion të zgjidhet emri si do të jetë, sipas Nezirit, dhe kjo për shkak që Maqedonia të jetë pjesë e BE-së dhe NATO-së.

“Shqiptarët dhe identiteti i tyre etnik nuk preken me asnjë emër të ri të shtetit. Andaj edhe kanë qenë krejtësisht të pa interesuar se çfarë emri do ketë shteti. Të gjitha partitë shqiptare deri më tani kanë mbajtur një qëndrim të prerë - është i pranuar çdo emër, përveç atributeve sllave në emrin e shtetit, siç ishte propozimi Sllavo-Maqedoni. Në fakt, shqiptarët bëjnë presion të zgjidhet emri, pa marrë parasysh se si do të jetë, me qëllim që vendi sa më parë të jetë pjesë e BE dhe NATO. Dihet se Greqia mban të bllokuar rrugën euroatlantike të Maqedonisë shkaku i emrit, të cilin e mban një rajon në veri të shtetit grek. Tani kur doli propozimi "Republika Ilinditase e Maqedonisë" disa parti shqiptare e refuzuan këtë emër. Disa thanë se nuk është përkthimi adekuat i fjalës Ilinden. Pa marrë parasysh, bëhet fjalë për një reagim joparimor pasi deri më tani thoshin se çdo emër është i pranueshëm përveç emrit Sllavo-Maqedoni. Ka historianë që thonë se kryengritja e Ilindenit ishte në vazhdën e bashkëpunimit të kryengritësve shqiptarë që nga Todor Aleksandrovi e Hasan Prishtina që luftonin për pavarësi nga perandoria Osmane, e deri te çetat e përbashkëta të Petar Çaulevit e Bajram Currit që luftonin kundër mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene. Këtë përgjigje duhet ta japin historianë kredibilë, por mendoj se tentimi për ta shqipëruar emrin Ilinden është një sinjal i ristrukturimit të shtetit si i përbashkët i maqedonasve dhe shqiptarëve etnikë”, deklaron Neziri.

Bisedimet vazhdojnë

Greqia ka përshëndetur pranimin e “Erga Omnes” nga Maqedonia, ndërsa ata shtojnë se se me përgjegjësi se do t’i vazhdojnë bisedimet.

Zëdhënësi i Qeverisë greke, Dimtrios Xanakopulos, ka thënë se ata insistojnë që zgjidhje më e mirë është, që të zgjidhet një emër nga ato të cilët i ka propozuar ndërmjetësuesi i OKB-së, Metju Nimic në propozimet e tij.

Neziri thotë se është e kotë të debatohet për një propozim që është refuzuar, mirëpo sidoqoftë ndër shqiptarë mungojnë historianë që do të eksplorojnë të vërtetat historike ashtu siç janë.

“Mendoj se është jorelevante të debatohet më për këtë propozim, i cili u refuzua nga qeveria greke. Sidoqoftë, ndër shqiptarët mungojnë historianë që do të eksplorojnë të vërtetat historike ashtu siç janë. Shpesh jemi pengje të miteve të rrejshme dhe të historisë që është në funksion të ideologjive apo populizmit. Në rastin konkret duhet institutet e historisë të thonë nëse Ilindeni mund të festohet edhe nga shqiptarët, apo thjeshtë është një kryengritje e maqedonasve”, nënvizon  Neziri.

Image
Xhenis Sulimani

Sulimani: Shqiptarët janë të ndarë sa i përket këtij termi

Ndërkaq, politologu Xhenis Sulimani thotë se qeveritë kanë bërë hapa konkrete drejt zgjidhjes së emrit.

Zgjidhja e emrit është e vështirë, thotë Sulimani, gjersa shton se shqiptarët janë të ndër sa i përket termit të propozuar e pastaj të refuzuar nga qeveria greke.

Mirëpo, sipas Sulimanit, çfarëdo emri që nuk prek identitetin etnik të shqiptarëve është i mirëpritur.

“Dy qeveritë aktuale të Maqedonisë dhe Greqisë kanë bërë shumë hapa konkret drejt zgjidhjes së çështjes tredekadëshe, në lidhje me emrin. Të dy qeveritë kanë bërë më shumë se cilado qeveri tjetër e mëparshme në këtë drejtim. Zgjidhja sipas të gjitha gjasave do të jetë shumë e vështirë. Greqia kërkon edhe ndryshim të Kushtetutës, ndërkaq për këtë nuk pajtohet pala maqedonase. Propozimi i fundit- Republika e Maqedonisë së Ilindenit, fillimisht dha njëfarë shprese se problemi po merr epilog. Shqiptarët janë të ndarë sa i përket këtij termi. Megjithatë, mendimi im është se çfarëdo emri që nuk e prek identitetin etnik të shqiptarëve është i mirëpritur. Ilindeni nuk është emër që cenon etninë shqiptare në asnjë aspekt. Nga ana tjetër, zgjidhja e emrit është detyrë e obligueshme për të marrë Maqedonia rrugëtimin euroatlantik dhe çdo prolongim do të shkonte në dëm të qytetarëve të Maqedonisë. Duhet të kihet parasysh lobi rus në Maqedoni, që është tejet aktiv kohëve të fundit dhe punon që kjo çështje të mos zgjidhet”, thekson Sulimani.

Image
Xhenur Iseni

Ilindenska s’ka të bëjë fare me shqiptarët

Njëjtë sikurse Sulimani, pohon edhe analisti politik Xhenur Iseni, i cili shton se Greqia nuk është treguar serioze në procesin e bisedimeve.

Iseni thotë termi “Ilindenska” nuk ka të bëjë fare me shqiptarët, mirëpo përfaqësuesit shqiptarë janë munduar ta qëndisin këtë.

“Mendoj se Greqia nuk është duke u treguar serioze në procesin e bisedimeve. Gjatë takimit të të dy kryeministrave në samitin e Sofjes është dakorduar për propozimin "Republika Ilindenska Makedonija", dhe më pas Cipras reteroi dhe refuzoi të njëjtin edhe pse ky propozim përmbante erga-omnes ashtu siç kërkonte Athina zyrtare. Edhe pse termi Ilindenska s’ka të bëjë fare me shqiptarët, përfaqësuesit shqiptarë në pushtet u munduan ta qësendisin mirë këtë fjalë duke e përkthyer në shqip me "Ilinditase", fjalë që nuk ekziston në fjalorthin e gjuhës shqipe. Krejt kjo ishte me "ua ly kokat me akull" shqiptarëve se kinse ky propozim do të përfshinte edhe shqiptarët. Por fundja fundit s’ka dhe aq rëndësi, shqiptarëve askush nuk ua konteston identitetin dhe duan me çdo kusht anëtarësimin e Maqedonisë në Evropë me shpresë që edhe institucionet të çrrënjosen nga mendësitë shoviniste, autoritare, që kanë qenë ndaj shqiptarëve”, shton Iseni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat