Ligji Anti-Mafia frikëson politikanët e nivelit të lartë - Bota Sot
Ligji Anti-Mafia frikëson politikanët e nivelit të lartë

Politika

E mërkurë, 19 shtator 2018

Ligji Anti-Mafia frikëson politikanët e nivelit të lartë

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 24 maj 2018 Në ora: 09:12
Foto ilustrim

“Përderisa ky kod i drejtohet një sistemi të drejtësisë i cili është i kapur nga politika dhe grupet e interesit, sipas të gjitha gjasave edhe ky kod do ta ketë fatin e njëjtë me ligjet e tjera të cilat kanë mbetur luftë në letër kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit” ka Gzim Shala, Hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi.

Me 6 vota për, 1 kundër dhe 1 abstenim, të hënën kaloi miratimi në parim i Projekt-kodit Penal. Mirëpo, deri në miratimin e këtij kodi, replikat dhe akuzat në mes anëtarëve të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit nuk munguan.

Kryetarja e këtij Komisioni, Albulena Haxhiu e pyeti vazhdimisht ministrin e Drejtësisë nëse është Kodi Penal kusht për liberalizimin e vizave, sepse thuhej që vetëm demarkacioni është kushti kryesor,

“A është kusht kodi penal për liberalizimin e vizave”, pyeti Haxhiu.

“Ky Projekt kod Penal lidhet me liberalizimin e vizave, po nenet që lidhen me këtë kod penal janë kërkesë direkte e BE-së dhe lidhen me liberalizimin e vizave. Të gjitha ndërhyrjet që janë bërë janë kërkesë e BE-së”, ka thënë ministri Tahiri.

Deputetja e Vetëvendosjes, vazhdoi të thotë se miratimi i kodit penal nuk e  parandalon korrupsionin dhe krimin e organizuar, ndërsa e ka cilësuar si të nevojshme miratimin e ligjit antimafia.

“Edhe nëse hyn në fuqi Ky Projektkod prapë do të ketë korrupsion, sepse pa u bërë ligji Antimafia nuk ndalet krimi i organizuar”, ka thënë deputetja Albulena Haxhiu.

Mirëpo,  sa  është i vlefshëm kodi penal dhe perse ka hezitim ne Kosove që të miratohet ligji antimafia, flasin deputetë dhe analistë.

Image
Korab Sejdiu

Klasa politike pa vullnetin që të ndërmarrë hapa për të ndëshkuar veten

Anëtari  i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, Korab Sejdiu në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se Kosova fatkeqësisht mbetet peng i mungesës së vullnetit, fillimisht politik, e pastaj edhe të organeve të drejtësisë, që të ketë zbatim të plotë të ligjeve, përfshirë këtu edhe ndjekjen penale të atyre që kryejnë vepra të caktuara penale.

“Kodi Penal është një prej ligjeve më të rëndësishme në vend pasi që përcakton veprat që shoqëria ka vlerësuar se meritojnë ndëshkim penal.  Rrjedhimisht, këtu preken në esencë edhe vet të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve, dhe si rezultat, hartimi i një kodi të tillë kërkon kujdes të veçantë.  Natyrisht, edhe Kodi Penal por edhe ndonjë ligj eventual anti-mafia, që pajtohem se është i vonuar të hartohet si një tërësi e vetme, janë po aq të fuqishme sa edhe ka zbatim të tyre.  Ne fatkeqësisht mbesim peng i mungesës së vullnetit, fillimisht politik, e pastaj edhe të organeve të drejtësisë, që të kemi zbatim të plotë të ligjeve, përfshirë këtu edhe ndjekjen penale të atyre që kryejnë vepra të caktuara penale.  Për ta thënë më thjeshtë, ligjet nuk i ndjekin kriminelët, por njerëzit që i zbatojnë ato ligje e bëjnë atë.  Dhe nuk ka vullnet për zbatim të plotë të Kodit Penal, e as miratimin apo zbatimin e një ligji anti-mafia, sepse shënjestrat e para të një zbatimi të tillë do të ishin një pjesë e madhe e klasës tonë politike dhe udhëheqëse.  Prandaj, kjo klasë politike nuk ka as interesin e as vullnetin që të ndërmarrë hapa për të ndëshkuar veten.” ka thënë Sejdiu ?

Image
Shkumbin Demalijaj

Jo ligjit anti-mafia

Ndërsa, për deputetin e Aleancës për  Ardhmërinë e Kosovës, njëkohësisht anëtar në këtë komision Shkumbin Demalijaj,  Kosova ende nuk ka nevoje për një ligj antimafia, përcjell Bota sot.

“Miratimi i Kodit Penal është i domosdoshëm dhe natyrisht që është një prej ligjeve me relevante qe duhet ta këtë vendi ynë. Sa i përket debatit në Komision për këtë miratim mendoj që mendimet e deputetëve ishin të sakte edhe pse mendoje që Kosova ende nuk ka nevoje për miratim të një ligji antimafia që u diskutua edhe në Komision” ka theksuar Demalijaj.

Image
Tomë Gashi

Për armiqtë politik ligjet aplikohen , ndërsa për miqtë ligjet interpretohen

Avokati i njohur Tomë Gashi, ka thënë për “Bota sot” se në Kodin Penal nuk është paraparë si institut i veçantë parandalimi i krimit, por është i parapare dënimi i krimit, respektivisht personave që kryejnë krime-vepra penale.

Tutje, avokati Tomë Gashi ka komentuar edhe për një miratim të ligjit antimafia.

Gashi ka shtuar se janë shumë arsye për nxjerrjen e ligjit anti mafia, por duket se një pjesë të politikanëve të  lartë të Kosovës kjo nuk ju përshtatet për shumë arsye, njëra prej arsyeve është se si do ti arsyetojnë ata pasurit milionëshe, të cilat as përafërt nuk përputhen me të ardhurat e tyre.

“Miratimi i Kodit të ri penal nuk e parandalon në asnjë mënyrë korrupsionin dhe krimin e organizuar, sepse ne edhe deri me tani kemi pas dhe kemi ligje te mira ne sferen penale, por nuk ka pasur kurrë vullnet politik që të implemntohen dispozitat e Kodit Penal të Kosovës në mënyrë efikase, sa i përket luftimit korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në Kodin Penal nuk është parapare si institut i veçantë parandalimi i krimit, por është i parapare dënimi i krimit, respektivisht personave që kryejnë krime-vepra penale. Është e vërtetë se një pjesë të Neneve që janë propozuar që të ndryshohen në Kodin e ri penal janë sugjeruar nga Komisione të posaçme të BE-së, për të ndihmuar çështjen e liberalizimit të vizave, por kjo nuk e ndryshon faktin se jo vetëm sipas deputetes së LVV, Albulena Haxhiu, por sipas të gjithë atyre që duan një shtet normal pa krim, është e paevitueshme që të nxjerrim ligjin anti-mafia ashtu siç ka vepruar Shqipëria dhe shtete të tjera demokratike të cilat e kanë më të vërtet qëllimin e luftimit të korrupsionit dhe të krimit të organizuar” ka thënë Gashi

Tutje, Gashi ka theksuar se është problematike se ky Ligj Anti-Mafia. a duhet të ketë apo jo veprim retroaktiv dhe si duhet të këtë mundësi juridike të parandalimit të aplikimit të këtij ligji anti -mafia në luftën politike për pushtet, dhe kundër partive dhe individëve të caktuar.

“Nëse ne kemi problem që ti përcjellim shtetet e demokratike në sferën penale të luftimit të krimit, ne duhet vetëm ta përcjellim Shqipërinë, sepse Shqipëria është shtet me i avancuar se Kosova në çdo sfere, por edhe në çështjen e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Për armiqtë politik ligjet aplikohen, ndërsa për miqtë ligjet interpretohen. Janë shumë arsye për nxjerrjen e ligjit anti mafia, por duket se një pjesë të politikanëve të  lartë të Kosovës kjo nuk ju përshtatet për shumë arsye, njëra prej arsyeve është se si do ti arsyetojnë ata pasurit milionëshe, të cilat as përafërsisht nuk përputhen me te ardhurat e tyre. Po ashtu, është problematike se ky Ligj Anti-Mafia a duhet të ketë apo jo veprim retroaktiv dhe si duhet të këtë mundësi juridike të parandalimit të aplikimit të këtij ligji anti -mafia në luftën politike për pushtet, dhe kundër partive dhe individëve të caktuar” ka përfunduar Tomë Gashi.

Image
Shqipdon Fazliu

Në drejtimin e duhur

Koordinator Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike,  Shqipdon Fazliu ka thënë për “Bota sot” se Kosova ka nevoje të këtë Ligjin Antimafia apo ligjin që lejon konfiskimin e pasurisë se paligjshme edhe pa aktgjykim dënues.

“Nga pikëpamja e një prokurori që ka zbatuar drejtpërdrejte kodet penale, më duhet të potencoj se Kodi Penal dhe Kodi i Procedurës Penale kanë shfaqur disa mangësi dhe kontradikta. Si të tilla në disa raste kanë vështirësuar punën e organeve të zbatimit të ligjit e me këtë edhe të efikasitetit në hetimin dhe ndjekjen e krimit. Kështu, kodi i ri mëton të adresojë disa nga ato të meta t vërejtura. Ka një zgjatje të ndëshkueshme risë për veprat penale të korrupsionit etj. Natyrisht se këto në vetvete nuk e parandalojnë korrupsionin e as krimin e organizuar ndërsa mbetet për tu parë nëse kodi i ri do ta luftoje më me efikasitet krimin. Sidoqoftë, është një hap ne drejtimin e duhur. Ndërsa në konstatimin tjetër, unë ndaj po ashtu mendimin se Kosova ka nevoje të ketë Ligjin Antimafia apo ligjin që lejon konfiskimin e pasurisë së paligjshme edhe pa aktgjykim dënues. Tash, MD ka në program aprovimin e një ligji të ri, Ligjit mbi Kompetencat e Zgjeruara të Konfiskimit, që është një hap pozitiv ndërsa mirëpresim në një të ardhme të afërt edhe vullnetin për Ligjin Antimafia”, ka thënë Fazliu për “Bota sot”.

Image
Gzim Shala

Pa rezultat, Sistemi i drejtësisë i kapur nga politika

Ndërsa, Gzim Shala , Hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi ka thënë për “Bota sot” se përderisa ky kod i drejtohet një sistemi të drejtësisë, i cili është i kapur nga politika dhe grupet e interesit, sipas të gjitha gjasave edhe ky kod do ta ketë fatin e njëjtë me ligjet e tjera

Tutje, Shala ka theksuar se Shtetet të cilat kanë dështuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit vazhdimisht kanë miratuar politika të caktuara në mënyrë që tu “hedhin hi syve” qytetarëve se gjoja ne po e luftojmë.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në draftimin e projekt kodit penal të miratuar sot në Komisionin për Legjislacion. IKD i mirëpret ndryshimet që janë bërë në këtë kod sa i përket neneve që lidhen me veprat penale të korrupsionit, e veçanërisht ndalimin e ushtrimit të funksionit. Mirëpo, me miratimin e këtij projektkodi nuk mund të themi se do të ndodhë ndonjë mrekulli dhe automatikisht do të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni. Shtetet të cilat kanë dështuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit vazhdimisht kanë miratuar politika të caktuara në mënyrë që tu “hedhin hi syve” qytetarëve se gjoja ne po e luftojmë kriminalitetin. Përderisa ky kod i drejtohet një sistemi të drejtësisë i cili është i kapur nga politika dhe grupet e interesit, sipas të gjitha gjasave edhe ky kod do ta ketë fatin e njëjtë me ligjet e tjera të cilat kanë mbetur luftë në letër kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit” ka përfunduar Shala.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test