Plani i Beogradit për të futur nën kontroll pasuritë e Kosovës nëpërmjet Asociacionit

Politika

Plani i Beogradit për të futur nën kontroll pasuritë e Kosovës nëpërmjet Asociacionit

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 24 maj 2018 Në ora: 19:30
Foto ilustrim

Institucionet e Kosovës nuk duhet të lejojnë në asnjë mënyrë që Liqeni i Gazivodës, pjesa e Trepçës që gjendet në veri të vendit dhe Brezovica të kalojnë nën menaxhimin e Asociacionit të komunave serb.

Kështu thonë përfaqësues të partive opozitare dhe njohës të zhvillimeve ekonomike.

Sipas tyre, nëse këto resurse natyrore i shkëputën Kosovës, kjo e fundit nuk do të mund të krijojë të hyra për të ekzistuar si shtet dhe për t’i mbajtur qytetarët e saj.

Reagimi i tyre vjen pasi që në takimin e fundit, dy zyrtarët serb që janë caktuar nga institucionet e Kosovës për hartimin e statutit së bashku me drejtorin e Trepçës për pjesën veriore dhe më atë të liqenit të Gazivodës kanë diskutuar që këto dy resurse t’i kalojnë Asociacionit me arsyetimin se ato janë si parakusht për mbijetesën e popullit serb në vend.

Këto dy pasuri natyrore Kosova i konsideron si resurse me rëndësi strategjike.

Marrëveshja e Brukselit parasheh që Gazivoda dhe Trepça të menaxhohen nga Qeveria

Image
Bajram Gecaj

Përderisa, institucioni i Presidencës dhe ai i Qeverisë nuk i janë përgjigjur gazetës “Bota sot”, kur janë pyetur se a do të pranojnë që këto dy resurse t’i kalojnë Asociacionit, zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj, i cili ishte këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa thotë se marrëveshja e Brukselit për Asociacionin e nënshkruar në vitin 2015 parasheh që ato menaxhohen nga Qeveria e Kosovës.

“Menaxhimi i Gazivodes dhe Trepçës është një funksion ekzekutiv, diçka e pa paraparë në marrëveshjet e Brukselit. Prandaj, është totalisht e papranueshme”, thotë Gecaj për “Bota sot”.

Por, ai nuk ndihet i sigurtë tek krerët e shtetit sa i përket mbrojtjes së interesave të Kosovës.

“Me këta përfaqësues në institucionet e Republikës gjithçka është e mundur, prandaj edhe vendi duhet te përgatitet për zgjedhjet e hershme parlamentare sa më parë që të jetë e mundur”, shtoi Gecaj.

Gazivoda dhe Trepça kërkesa e kamotshme e Beogradit

Image
Xhelal Sfeçla

Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sfeçla, e sheh si të rrezikshme kërkesat që për resurset jetike të pronar Asociacioni.

Por për dallim nga Gecaj, Sfeçla fajëson edhe qeveritë e më hershme për nënshkrimin e marrëveshjeve me Serbinë që sollën vendin në krijimin e një entiteti politik që përfaqëson komunat serbe në Kosovë.

“Marrëveshja e prillit 2013 e nënshkruar nga Kryeministri i atëhershëm dhe tash President, Hashim Thaçi, është bazamenti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Poashtu edhe marrëveshja e gushtit 2015 të nënshkruar nga ish-kryeministri, Isa Mustafa është vazhdimësi e kësaj tendence për instalimin e Zajednicës brenda Kosovës, që do ta thyente karakterin unitar të Republikës””, thotë Sveçla për “Bota sot”.

Ai përmend edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese që konstatoi se shumica e pikave të kësaj marrëveshjeve bien ndesh me aktin më të lartë juridik në vend.

“Gjykata Kushtetuese në aktvendimin e saj të vitit 2015 ka deklaruar qartë se kjo marrëveshje shkel frymën kushtetuese në së paku 23 nene të saj dhe kështu ajo shpall të vdekur idenë e krijimit të një entiteti të tillë”, deklaron ai.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk duhet të diskutojë fare për statusin e Asociacionit të cilin tashmë Gjykata Kushtetuese në thelb e ka hedhur poshtë.

“Hyrja nëpër çështje të tilla natyrshëm çon në kërkesa të kamotshme të Beogradit për të futur nën kontroll pasuritë e Republikës së Kosovës, siç janë edhe liqeni i Ujmanit apo Gazivodës dhe Trepça”.

“Zajdenica në thelb dhe për nga qëllimi është antikushtetuese dhe kundër Republikës së Kosovës, prej këtij entiteti nuk mund të ketë asnjë rezultat të mirë dhe pikërisht për këtë të gjitha rezultatet do të jenë në drejtim të shkatërrimit të Republikës së Kosovës dhe unitaritetit të saj”, shtoi Sfeçla.

Lëvizja Vetëvendosje është subjekti politik që ka kundërshtuar hyrjen në bisedime me Serbinë pa kushte dhe rrjedhimisht nënshkrimin e të gjitha marrëveshjeve të Brukselit.

Kosova nuk duhet të bëjë kompromise me pasuritë vitale

Image
Mustafë Kadriaj

Edhe njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj, thotë se institucionet e Kosovës nuk duhet të bëjnë kompromise me pasuritë vitale.

“Nëse mbesin pasuritë vitale të shtetit nën menaxhimin e komunave serbe, për Kosovën do të jetë humbje e madhe ekonomike, sepse Kosova si përparësi krahasuese në nivel ndërkombëtar i ka pikërisht pasurit minerale dhe koncentrimi i këtyre pasurive, por njëherit edhe Kombinati Trepça me shumicën e pasurive i ka po në atë pjesë”, thotë për “Bota sot”, njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj.

Ai thotë se Asociacioni menaxhon këto resurse, rreziku për shkëputje nga Kosova është i lartë.

“Nëse komunat me shumice serbe do të menaxhojnë Trepçën në njëfarë mënyrë ato nuk kanë nevojë për buxhetin nga Prishtina, sepse banor ka pak ndërsa të hyrat nga ato pasuri do t’i sigurojnë ekzistencë të mjaftueshme financiare. Kështu që me kohë do të ndahen nga Kosova”, deklaron ai.

“Nëse Trepça, liqeni i Gazivodës mbesin nën menaxhimin e komunave me shumice serbe, ata nuk do të ndalen edhe me Brezovicën për ekonominë e Kosovës do të jetë vdekjeprurës, sepse pasurit vitale po i shkëputen Kosovës, ndërsa pjesa e mbetur është degraduar me betonizim, kështu që Kosova me tokën e mbetur nuk do të mund të krijonte të hyra për të ekzistuar si shtet për t’i mbajtur qytetarët e saj”, shtoi Kadriaj.

Kadriaj thotë se presidenti po i përgatit qytetarët për kompromise

Kadriaj thotë se kohëve të fundit presidenti i vendit, Hashim Thaçi, por edhe homologu i tij serb kanë filluar të flasim për kompromise të mundshme në bisedimet finale të Brukselit.

“Në bazë të deklaratave të presidenteve të dy vendeve si i Serbisë dhe ai i Kosovës, ata në fakt janë duke paralajmëruar qytetarët e te dyja vendeve që duhet të përgatiten që fundi i bisedimeve nuk do të jetë i kënaqshëm për asnjërën palë”, thotë Kadriaj.

Sipas tij, në këto bisedime Kosova në njëfarë mënyrë do të pajtohet që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive.

“Pra, politika në Serbi po e përgatitë opinionin që Serbia duhet të heq dorë nga Kosova dhe të njeh Kosovën duke siguruar ulëse në OKB dhe njëherit edhe Kosova do të iu jap status të veçantë komunave serbe, një autonomi e pashkruar, por që në të ardhmen mund të mos jetë pjesë e Kosovës që në njëfarë mënyre këtë po e kërkon politika serbe”, shtoi Kadriaj.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka proceduar në Kuvend për miratim strategjinë për bisedimet finale me Serbinë. Kjo strategji parasheh që bisedimet finale me Serbinë t’i udhëheq presidenti Hashim Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat